Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti në mbledhjen e 40-të të Qeverisë

0
37

Si shumë herë më parë, gjatë historisë sonë jemi përballur me sprova, kapërcimi i të cilave dëshmon pjekurinë tonë shtetërore.

Zhvillimet e fundit, si rezultat i konfirmimit të aktakuzave ndaj një pjese të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mesin e të cilëve edhe presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ish-kryetari tjetër i Kuvendit të Kosovës, dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, deputeti Rexhep Selimi dhe të tjerë, gjithë këta, dhe gjithë këto zhvillime, e kanë vënë edhe njëherë shtetin e Kosovës në sprovë.

Me këtë rast, me lejoni të përshëndes sjelljen e tyre të përgjegjshme, gatishmërinë për të bashkëpunuar me Dhomat e Specializuara të Kosovës, qëndrimin dhe kulturën e tyre institucionale, e cila dëshmon edhe njëherë se Republika e Kosovës i beson drejtësisë dhe bashkëpunon me drejtësinë pa asnjë hezitim.

Duke uruar që puna e institucioneve të drejtësisë të udhëhiqet vetëm nga profesionalizmi, ne besojmë se mbarimi i këtij procesi do të ri-dëshmojë se lufta e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi ka qenë e drejtë dhe e pastër.

Populli i Kosovës luftoi për liri, për pavarësi, për demokraci, luftoi për çlirim nga shtypja brutale serbe, e cila në kulmin e saj, në vitet 1998- 1999, po rrezikonte vetë qenien tonë fizike.

Populli i Kosovës nuk luftoi në tokë të huaj, por në oborrin e vet, për të mbrojtur atdheun dhe pragun e shtëpisë.

Agresori ishte Serbia dhe forcat e saj të armatosura militare dhe paramilitare, të cilat u ndëshkuan nga bota e civilizuar, pikërisht për shkak të agresionit ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe për këtë, askush, asnjëherë nuk ka asnjë dilemë.

Të nderuar anëtarë të Qeverisë,

Më lejoni që në kontekst të këtyre zhvillimeve si Kryeministër i Republikës së Kosovës dhe si qytetar i këtij vendi t’i hedh një vështrim kalvarit, përpjekjeve tona që kemi kaluar për të arritur deri te liria dhe pavarësia që gëzojmë sot.

Ndërkohë që, terrori serb në disa republika të ish-Jugosllavisë po trondiste botën, populli i Kosovës filloi ndërtimin e shtetit paralel, Republikën e Kosovës.

Në ballë të lëvizjes sonë nacionale për liri, demokraci dhe pavarësi, u vu Dr. Ibrahim Rugova, një prijës e burrështetas i jashtëzakonshëm.

Ndonëse në rrethana të pabarabarta dhe krejtësisht të pafavorshme për rezistencë ushtarake, populli i Kosovës iu bashkëngjit luftës së ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të ndaluar spastrimin etnik të Kosovës.

Në vitet 1998 – 1999, bota po shihte gjenocid ndaj popullit të Kosovës.

Përballë këtij fakti të tmerrshëm, bota e qytetëruar dhe demokratike, e udhëhequr nga Aleanca Veri-Atlantike ndërmori hapin e domosdoshëm për shpëtimin e popullit të Kosovës.

Sot, dy dekada më pas, kjo ndërhyrje shpëtimtare kujtohet si një akt i humanizmit të lartë ndërkombëtar.

Andaj ne, populli i Kosovës, do t’iu jemi mirënjohës vendeve mike, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe të gjitha vendeve të tjera, anëtare të NATO-s, të cilat na ndihmuan në çastet më kritike të historisë sonë.

Po ashtu i falënderojmë të gjitha këto vende mike të cilat na ndihmuan në rimëkëmbjen ekonomike pas luftës dhe në procesin e pavarësimit, Shpalljes së Pavarësisë të shtetndërtimit të Kosovës.

Të bindur se vetëm bashkëpunimi i sinqertë me këto vende na e garanton integrimin e plotë në familjen e kombeve të lira e demokratike, ne vazhdojmë ta promovojmë e ta kultivojmë këtë bashkëpunim. Kjo nënkupton edhe marrjen e përgjegjësive dhe obligimeve që kemi si shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik.

Njëkohësisht ne pohojmë përkushtimin tonë për të punuar bashkërisht për ta forcuar bashkëpunimin e institucioneve dhe demokracisë tonë të brendshme.

E ardhmja e Republikës së Kosovës qëndron mbi të gjithë ne, ndërsa ne secili në detyrën e vetë jemi në shërbim të Republikës së Kosovës në çfarëdo kapaciteti që mund të jemi institucional ose privat në çdo rrethanë dhe në çdo kohë.

Në këto kohë të vështira kur krahas pandemisë me Covid-19 e cila ka marrë jetën e shumë bashkëqytetarëve tanë, ne po ballafaqohemi edhe me sfidën e forcimit dhe vazhdimësisë së stabilitetit institucional të Republikës.

Prandaj duhet të tregojmë urtësi e vizion me qëllim që së bashku ta përballojmë edhe këtë sprovë. Jam i bindur se para botës do të dalim faqebardhë ashtu siç kemi dalë shumë herë deri më sot.

Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se në situatën e re të krijuar, kur presidenti i vendit ka dhënë dorëheqje, duhet të ruhet stabiliteti i institucioneve sa i përket ushtrimit të kapaciteteve dhe kompetencave kushtetuese.

Qeveria e Republikës së Kosovës zotohet se do të punojë me përkushtim e me ndershmëri për t’i realizuar obligimet dhe përgjegjësitë e saj kushtetuese. Qeveria do të bashkëpunojë me të gjithë bartësit e institucioneve dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë.

Ne presim bashkëpunimin e të gjithëve, bashkëpunimin e Kuvendit së Kosovës dhe të gjitha subjekteve të përfaqësuara në kuvend, në mënyrë që t’i realizojmë projektet tona të mëdha që kemi para vetes, të cilat nuk janë vetëm projekte të kësaj qeverie, por janë projekte me rëndësi nacionale, nga realizimi i të cilave varet procesi i rimëkëmbjes sonë ekonomike dhe i integrimit në strukturat euro-atlantike, drejt të cilave synojmë.

Qeveria e Republikës së Kosovës pret nga të gjithë të vazhdojnë të demonstrojnë kulturë të lartë politike.

Ne jemi një vend i lirë, që i besojmë drejtësisë, dhe jemi të bindur se pa drejtësi të plotë, një vend nuk mund të ketë paqe as me veten, e as me të tjerët.

Ju faleminderit të gjithëve.

Ky është qëndrimi i Qeverisë sa i përket zhvillimeve me të cilat po përballemi.