20 vjetori i Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

0
129

Këtë vit shënojmë 20 vjetorin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për ‘Agjendën e Grave, Paqes dhe Sigurisë’ të miratuar unanimisht më 31 tetor 2000. E përshkruar si një nga arritjet kurorëzuese të lëvizjes globale të grave dhe e njohur që nga ajo kohë si “agjenda për gratë, paqen dhe sigurinë”, kjo rezolutë është shprehje e përkushtimit për t’i adresuar mënyrat e shumta në të cilat gratë dhe vajzat kthehen në caqe gjatë konflikteve, si dhe për t’i përfshirë gratë në mënyrë domethënëse në proceset e paqes dhe sigurisë – një nga hapësirat e vendimmarrjes më të dominuara nga burrat.

Për njëzet vitet e kaluara, përparimi ka qenë shumë i ngadaltë, por dëshmitë janë të qarta: kur gratë janë në tryezën e negociatave, marrëveshjet e paqes kanë më shumë gjasa të zgjasin 15 vjet ose më shumë. Teksa proceset e paqes vazhdojnë të mbeten nën hijen e emergjencës aktuale globale shëndetësore, kërkohet vëmendje e qëndrueshme ndaj zbutjes së riskut të lartë që lidershipi i grave, ekspertiza gjinore dhe analiza gjinore specifike për kontekstin, të neglizhohen pikërisht kur janë më të nevojshme se kurrë. “Ndërkohë që bota mëson të jetojë me COVID-19 dhe fillon të rindërtohet dhe rimëkëmbet, ne duhet ta shfrytëzojmë mundësinë për të shkuar përtej progresit të brishtë drejt rritjes, duke synuar ndryshime më transformuese. Reagimi ndaj COVID-19 që është i ndjeshme ndaj gjinisë përfaqëson një mundësi transformuese për një botë më paqësore, të qëndrueshme dhe të barabartë” deklaroi Ulrika Richardson, Koordinatore e OKB-së për Zhvillim në Kosovë.

Zbatimi i agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë në Kosovë është mbështetur nga Ekipi i OKB-së në Kosovë përgjatë viteve, duke siguruar ndërtimin e kapaciteteve në fushën e të drejtave të njeriut të grave, drejtësisë tranzicionale, ndërtimit të paqes dhe sigurisë. UN Women ka siguruar integrimin gjinor në sektorin e sigurisë, duke synuar rritjen e njohurive dhe kapaciteteve për të përmirësuar qasjen e grave në drejtësi dhe siguri, dhe pajtueshmërinë me politikat gjinore, duke kontribuar përfundimisht në sigurinë dhe sigurimin e grave të të gjitha moshave përmes shërbimeve të sigurisë.

Më tej, në një hap thelbësor përpara, në vitin 2014 institucionet e Kosovës u angazhuan për zbatimin e Rezolutës 1325 të KS të OKB-së, dhe forcuan mbështetjen e tyre për agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, përmes krijimit në të njëjtin vit të Planit të parë Kombëtar të Veprimit. Duhet të theksohet se përgjatë viteve Kosova ka arritur edhe një pjesëmarrje më të madhe politike të grave, ku gjatë zgjedhjeve të fundit u përmbush kuota prej 30 për qind sipas ligjeve zgjedhore për sa i përket përfaqësimit të grave në listat e kandidatëve dhe në Kuvend.

Kosova ka dëshmuar arritje të rëndësishme në lidhje me të drejtat e të mbijetuarve nga dhuna seksuale e lidhur me konfliktin. Një nga arritjet kryesore u iniciua në mars 2014, kur Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin i cili u dha njohje ligjore të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë konfliktit, pasuar nga themelimi i Komisionit për Verifikimin dhe Njohjen e Statusit të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale, në vitin 2018. Këto masa që paraqesin arritjet më të mëdha të viteve të aktivizmit nga ana e grave kosovare, pasqyrojnë rrugën e mundimshme dhe të ngadaltë drejt drejtësisë dhe të kuptuarit në rritje se dhuna seksuale duhet të adresohet në mënyrë specifike në zgjidhjen e konflikteve. Dëmshpërblimet, shpesh mekanizmi i drejtësisë më i kërkuar nga gratë, historikisht janë dhënë në shumë pak raste. Krijimi i këtij komisioni është njohur si një nga 20 momentet më të rëndësishme në 20 vitet e fundit[1] në agjendën për gratë, paqen dhe sigurinë.

Sot, teksa bota është goditur nga pandemia COVID-19, kjo rezolutë ka edhe më shumë rëndësi. Pandemia ka nxjerrë në dritë faktin se sa kritike është agjenda për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, si një kornizë për adresimin efektiv të ndikimit të menjëhershëm të krizës së COVID-19. Me rastin e 20 vjetorit të Rezolutës 1325 të OKB-së, Vlora Tuzi Nushi, Udhëheqëse e Zyrës së UN Women, deklaroi se “duke qenë se pjesëmarrja e grave është e domosdoshme për arritjen e zgjidhjeve të qëndrueshme, pandemia e ka theksuar qartë se sa kritike është agjenda për GPS për vendimmarrje gjithëpërfshirëse dhe efektive. Premtimi i agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë ofron një kornizë për paqen e qëndrueshme gjatë kësaj krize globale.”

Pandemia e COVID-19 po i përkeqëson pabarazitë ekzistuese gjinore dhe po i prish mekanizmat e përballimit. Por kriza duhet të shihet edhe si një mundësi për të nxitur ri-negocimin e kontratave sociale dhe për të vendosur pjesëmarrjen domethënëse të grave në jetën publike dhe ndërtimin e paqes si thelbin e përpjekjeve kolektive. Proceset efektive të rimëkëmbjes duhet të orientohen drejt ‘rindërtimit më të mirë’ me shoqëri më të drejta, të barabarta dhe gjithëpërfshirëse.

Kosova ka një kornizë të pasur normative dhe legjislative, por në të ardhmen ne duhet të përpiqemi më shumë për ta shfrytëzuar në mënyrë efektive këtë kornizë, për ta përmirësuar zbatimin duke u fokusuar drejt së ardhmes në një dekadë të veprimit që do të jetë një dekadë e ndryshimit të pakthyeshëm dhe jetëgjatë.

Foto: Pikturë nga një e mbijetuar e dhunës seksuale të lidhur me konfliktin në Kosovë. Piktura ishte një nga të shumtat të ekspozuara në ekspozitën “Ngjyrat e shpirtrave tanë” të organizuar nga UN Women në vitin 2018. 

Motivet e zgjedhura nga të mbijetuarit portretizojnë jetën ashtu siç ato do ta dëshironin të ishte dhe tregojnë elementë të paqes, shpresës, dashurisë dhe solidaritetit – që ato i kërkojnë në jetët e tyre.