Roza Anagnosti, aktore e shquar e Teatrit Kombëtar dhe kinematografisë shqiptare

0
96

Roza Anagnosti festoi dje ditëlindjen e saj të 77.

Aktorja e njohur i përket atij brezi që themeluan teatrin dhe kinematografinë shqiptare dhe është ndër të paktat aktore që janë modeli ku aktoret dhe aktorët e rinj i referohen për t’u bërë më pas profesionistë të vërtetë të artit dramatik.

Roza Anagnosti lindi në qytetin e Shkodrës më 27 tetor 1943.

Anagnosti është aktore e shquar e Teatrit Kombëtar dhe kinematografisë shqiptare. E filloi karrierën ne Teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Vetëm 20 vjeç, hyn në kinematografi me rolin e mësueses në filmin “Detyrë e posaçme” (K. Dhamo, 1963).

Një vit më pas luajti Filen në filmin “Toka jonë” (H. Hakani, 1964). Në shtator 1964, ajo bëhet pjesë e trupës të Teatrit Kombëtar. Për Rozën fillon periudha më e shkëlqyer e karrierës, me role të shumta në Teatrin Kombëtar në Tiranë ku mund të përmendim: “Qielli i kuq”, “Mbreti Lir”, “Nata e dymbëdhjetë”, “Vizita e inspektorit”, “Cuca e maleve”, “Toka jonë”, “Besa e madhe”, “Zonja nga qyteti” etj.

Roza Anagnosti u shndërrua në aktore shumë e kërkuar nga regjisorët. Luan mbi 20 filma dhe fiton disa çmime të rëndësishme kombëtare.

Çifti Roza dhe Dhimitër Anagnosti bëhet simbol i suksesit në art. Disa nga filmat më të suksesshëm janë tek “Plagë të vjetra” (Dh. Anagnosti, 1969), ”Fije që priten” (M. Fejzo, 1976) me të cilin fitoi “Medalionin e Festivalit” të vitit 1977, “Mësonjëtorja” (M. Fejzo, 1979) me të cilin u shpall “Aktorja më e mirë” dhe fitoi Kupën e Festivalit më 1981. Me filmin “Rruga e lirisë” fitoi ‘Medalionin’ e dytë./ATSH