Malet e Sharrit janë të njohura ndryshe me emrin Mont Skardus

0
526

Malet e Sharrit – përfaqësojnë një zinxhir malesh që shtrihen nga pjesa jugore e Kosovës dhe Maqedonisë veriperëndimore në Shqipërinë verilindore. Ky zinxhir shënon edhe kufirin trepalësh që kalon nga maja e Sherupës. Malet e Sharrit paraqesin trekëndëshin mes Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Malet e Sharrit janë të njohura qysh nga antikiteti në dokumente të autorëve të ndryshëm, që nga shekulli i V p.e.s. me emrin Mont Skardus, nga Herodoti, i cili i përshkruan edhe fiset ilire dhe kufizimet e tyre. Ndër shekuj keto vargmale sherbyen si mur natyror, mbrojtës nga sulmet barbare, drejt Maqedonisë dhe Greqisë ku konsideroheshin si të pakapercyeshme. Më vonë, me ardhjen e turqve në Ballkan, Malet e Sharrit u quajten Çar-dagh, ne dokumentet ottomane dhe europiane.

Malet e Sharrit janë të famshme për relievin e tyre të thyer dhe majat e larta malore. Aty gjenden gjurmë të epokës së akujve në formën e liqeneve të ngrira e të larta malore. Mali i Sharrit lidhet me Malin e Korabit (2,764 m) në jugperëndim.

Malet e Sharrit kanë rëndësi të madhe për gjithë mjedisin përreth për faktin se aty gjenden burimet ujore nga ku “ushqehen” lumenjtë e rajonit. Këto male bëjnë lidhjen midis tre zonave të mëdha ujëmbajtëse dhe janë të pasura me burime, lumenj, liqene dhe ujëvara.

Fauna e Maleve të Sharrit përfshin shumë kafshë të rralla dhe të rrezikuara. Këtu bëjnë pjesë një numër gjitarësh, si ariu i murrmë, rrëqebulli, derri i egër, ujku, kaprolli, dhia e egër dhe shpendët si shqiponja e malit, thëllëza e malit, gjeli i egër, skifteri kthetrabardhë, bufi, dhe shkaba.

Rajoni i Malit Sharr bart shumë komunitete të ndryshme bimësie që gjenden të shpërndara në habitate të ndryshme. Shfaqja e tyre varet nga lartësia mbi nivelin e detit, ekspozimi dhe lloji i tokës apo përmbajtja e shkëmbit.

Këtu gjenden komunitete të ndryshme pyjore, që pjesërisht kanë degraduar në komunitete shkurresh malore, veçanërisht në zona ku pyjet janë prerë në mënyrë të përsëritur. Pjesa më e madhe e zonave mbi brezin pyjor mbulohen nga kullota malore, nga bimësia e tokave shkëmbore-gëlqerore dhe shkëmbore-silikate, nga bimët e lëndinave, vegjetacioni i tokave të lagështa që ndodhen lart në male dhe nga vegjetacioni i rrafshnaltave me bar.

Për rrjedhojë, këto male janë të pasura me një numër tejet të madh speciesh bimore. I veçantë është fakti që këtu kanë mbijetuar specie të shumta të periudhës terciare dhe të asaj të akullnajave, të cilat në pjesë të tjera të Europës janë zhdukur. Një ndër këto specie relike është pisha gjethe-gjilpërë (Pinus peuce), me filizat tipikë të shkurtër dhe me pesë gjethe në formën e gjilpërës, dhe pisha boshnjake (Pinus heldreichii), e cila gjendet në zona më të thata dhe më shkëmbore se sa specie e mësipërme.

Bjeshkët e Sharrit konsiderohen ndër bukuritë e rralla në Evropë, ndërsa ajo që ju mbetet është t’i vizitoni dhe t’i shijoni për së afërmi këto bukuri magjepsëse.