Kriza e moralit shoqëror në Kosovë

0
108

Nga Ruzhdi Peçani

Çdo shoqëri progresive duhet të shkoj nga ajo që që pjesëtarët e saj t’i arsimoj në frymën e një morali autonom, të jenë personalitete të lira me një përgjegjësi morali. Vetëm regjimet totalitare kishin mendësinë e mbajtjes të mentalitetit nënshtrues dhe autoritar. Regjimeve të tilla u ishte domosdoshmëri dominimi i moralit heteronom dhe ndaj personave pa qëndrim të moralit vetanak dhe pamundësisë së vetë përcaktimit. Kohëzgjatja e krizës së moralit mund të bjerë gjerë te shkatërrimi i plotë moral të një shoqërie.

Duhet thënë se historia nuk njeh asnjë rast se një shoqëri i ka mbijetuar shkatërrimit moral.

Ekziston mendimi se me ardhjen e sistemit shumpartiak ka filluar plasaritja morale e shoqërisë kosovare. Sigurisht, kjo nuk do thotë se para kësaj gjendja ishte ideale. Shikuar në kohë, në Kosovë dominonte morali patriarkal, i mbështetur në traditë dhe religjion. Në gjendjen e pasluftës, ishim një shoqëri e postraumatizuar nën proktetorat, të UNMIK-ut, patologjia sociale do marri rrugë, plasaritja e moralit në shoqërinë kosovare ishte e pashmangur. Patologjia sociale mori hov, ashtu që në raportet ndërnjerzore dalin në dukje si urrejtja, varshmëria dhe mostoleranca. Kështu partitë politike i vënë fillet e krizës morale.

Them, se themelimi i partive politike ndikuan në plasaritjen e moralit shoqëror, ngase nga mungesa e një tradite demokratike nuk mund të konstatohej interesi nacional. Me ardhjen e partive politike filloi kjo plasaritje e moralit shoqëror, ngase filloi ndarja e popullit në dy grupe, nga të cilat njëra glorifikohej dhe tjetra satanizohej. Filluan manipulimet e papara të opinionit publik, të papara ndonjëherë në historinë e Kosovës. Filluan të servohen gënjeshtra dhe mashtrime duke shkaktuar huti ndër qytetarët, si dhe shantazhe me kërcënime ndaj kundërshtarëve potencial politik. Këtë qasje e përqafuan dhe “shërbyesit politik”, në të gjitha nivelet si ministra dhe funksionar politik. Kështu zunë fillet e krizës së gjerë morale që sa shkonte dhe thellohej.

Korrupsioni filloi të lulzonte, kjo në veçanti me privatizimin e ndërmarrjeve dhe tokave publike si shumë të dyshimta. Kjo, që tregoj për plaçkitjen e paparë që do përfshinte edhe nivelet më të larta shtetërore. Manifestimi i plasaritjes së moralit të shoqërisë kosovare do përfshinte tërë vendin në të gjitha shtresat e shoqërisë. Humbja totale e solidaritetit dhe empatisë që, edhe më keq, do tregoj edhe fillimin e ndryshimit të mentalitetit tonë. Mes shumë tjerash, duhët cekur skandalet në shitjen apo dhënien në koncesion si aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari”, rrjetit të shpërndarjes të KEK, tani KEDS dhe kulmi skandali me Telekomin e Kosovës si rasti më flagrant.

Është i njohur fakti se në këtë kohë shkatërrimit total ekonomik dhe social mes njerëzish mbretëronte frikë e madhe e humbjes së vendit të punës duke u rrezikuar ekzistenca, rasti i largimit të punëtoreve nga KEDS dhe Aeroporti. Megjithatë, dhe në këtë situatë, do duhej të mbetej diçka njerzore, tek secili. Ndoshta jo te të gjithë, pos së paku tek ata me senzibilitet me të lartë morali që të ngrisnin zërin duke u dhënë shembull të tjerëve.

Pas të gjithave këtyre që ndodhin në Kosovë, do duhej të shtrohej pyetja: se a u ka mbetur ndërgjegje partive politike dhe simpatizantëve të tyre? A janë të vetëdijshëm për shkatërrimin moral të shoqërisë kosovare? A mendojnë për përgjegjësinë që bartin në këtë proces? Mos këta ndoshta kanë bindjen se një ditë të gjitha dëmet që i bënë Kosovës do u falen, të amnistohen? Procesi i shkatërrimit të moralit të shoqërisë kosovare vazhdon dhe vështirë të i shifet fundi dhe do vazhdoj përderisa të qëndroj ky regjim i këtyre kastave politike. Do kemi shpresë se një ditë, që kjo katrahurë të marri fund, e të përjetojmë një ripërtërije të moralit të shoqërisë, apo Kosova do i bashkëngjitet shteteve që nuk i mbijetuan shkatërrimit të moralit ?

Në përditshmërinë tonë, në rrugë, kafiteri në park në bisedat dëgjohen fjalët: kështu nuk shkon!, çka po ndodhë me këtë vend?, këtu nuk ka perspektiv, shtet i kapur, në rastin e parë do ik jashtë, Agroni, një i ri 23 vjeç, punëtor krahu në ndërtim “ja me master ekonomie po kovat nuk po më heqen nga dora, na është vrarë ardhmëria, nuk do rri më këtu, po priti vëllain të më dërgoj garanci pune dhe do iku”. Ikja e të rinjve nga vendi me pasoja të pariparueshme të një tkurrje biologjike të popullatës. Mosha e vjetër, me diplomë universitare gëzon vetëm pension pleqërie. I vetmi vend në regjion pa Ligj të sigurimeve shëndetësore. kujdesi jo meritor ndaj luftëtarëve dhe invalidëve të luftës së UÇK, viktimave të dhunës seksuale si pjesa më e dhimbshme e shoqërisë, plaga e të pagjeturve dhe jo vetëm këto. Arsimimi dhe shëndetësia të degraduar. Sistemi gjyqësor dhe ai prokurioral të kapur katërçipërisht.

Kështu, ndjeshmëria për vlerat morale dhe etikës, solidariteti, toleranca, empatija, komunikimi i mirëfilltë publik, altruizmi, konsiderata ndaj integritetit të tjetërit, trajtimi i njeriut si produkt biologjik dhe teknik si vegël pune, vlera këto që në thelb po humbin luftën ndaj profitit dhe forcës,të gjitha këto tregojnë për krizën morale që ka pllakosur vendin. Një miku im nga Kanadaja më shkruan ”nuk është punë të dëgjojmë diçka mirë nga Kosova jonë”?!

Tek ne nuk është prezente vetëm kriza ligjore, po edhe ajo njerëzore. Rekrutimi i njerëzve në vendet kyçe, me arsyetime se ata që kanë pushtetin bartin edhe të drejtën e vendosjes së tyre ku ata dëshirojnë. Kjo është një patologji e pastërt e të kuptuarit të “demokracisë”. Kështu në vendet e punës vendosen personat jokompetent në institucionet. Njerëzit jo të aftë nuk dijnë të zgjidhin asnjë problem dhe të tillë kanë pru vendin në këtë krizë. Rasti i fundit, kur edhe tërhiqet Ambasada e SHBA në Prishtinë nga mbikëqyrja në Këshillin Prokurial me deklarim se emërimet bëhen pa transparencë dhe ka konflikt interesi i prishur në rrënjë, me këtë edhe përfaqësuesi i Bashkimit Europian në Prishtinë.

Nuk ka asgjë nga jeta morale nëse kemi mungesë idesh, detyrës dhe përgjegjësisë. Këtu ndërgjegjja është humbur në mënyrë drastike kaherë. Nuk ka mbetur autoritet në tërësinë e shoqërisë, e në veçanti në politikë. Institucionet e vetme kredibile tek qytetarët mbeten

FSK dhe Policia e Kosovës, që mbeten pranë qytetareve. Kështu në këtë vorbullë katrahure më së miri gjenden njerëzit e moralit dhe motivit të ulët.

Ripërtërija morale, pa ndryshime thelbësore që duhet të ndodhin, është e pamundur. Inteligjenca morale është kusht për spastrimin, rruga drejt katarzës dhe jetës së civilizuar.

Për këtë temë si shumë komplekse do duhej të uleshin në një tryezë shkencore multidiciplinare me politikologë, psikologë, sociologë, psikiatër, teolg dhe kompetent të tjerë nga shkencat humane.