KOSOVA SHËNON PROGRES TË KUFIZUAR SIPAS RAPORTIT TË KOMISIONIT EVROPIAN PËR 2020

0
49
Sipas vlerësimit të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Raporti i sivjetmë për Kosovën rikonfirmon sfidat me të cilat vazhdon të ballafaqohet shoqëria kosovare, ku pandemia konsiderohet si faktor rëndues.
Puna e Kuvendit
Duke qenë se Raporti për Kosovën rithekson problemet e njëjta lidhur me funksionimin dhe performancën e përgjithshme të Kuvendit, KDI vlerëson se duhet të ndërmerren hapa konkretë për adresimin e tyre, pasi Kuvendi nuk ka qenë në krye të detyrës në kohën kur qytetarët kanë pasur më së shumti nevojë për ushtrimin e funksioneve të tij. Në radhë të parë, KDI vlerëson që një pjesë e konsiderueshme e problemeve mund të tejkalohen përmes miratimit të Rregullores së re të Punës, e cila ndër tjerash duhet të sanksionojë mospjesëmarrjen e deputetëve në votim, si dhe të mundësojë fleksibilitet në zhvillimin në distancë të punimeve të Kuvendit, sidomos në situata të jashtëzakonshme. KDI kërkon po ashtu që Kuvendi të rrisë performancën dhe të prioritizojë mbikëqyrjen e punës së ekzekutivit, sidomos tash kur shumë vendime të qeverisë po merren në mungesë të transparencës.
Zgjedhjet
Edhe pse Kosova në vazhdimësi po tregon kapacitet për organizimin e zgjedhjeve demokratike dhe të lira, siç potencohet edhe në Raport, mungesa e transparencës lidhur me financimin dhe shpenzimet e subjekteve politike gjatë fushatës ka ndikuar në krijimin e një gare të pabarabartë mes subjekteve politike. KDI, si udhëheqëse e DnV-së, vlerëson që përkundër vlerësimeve pozitive për zgjedhjet, me përjashtim në pjesën veriore të vendit, ekziston hapësirë për përmirësime sa i përket administrimit teknik të zgjedhjeve, si dhe menaxhimit të ankesave lidhur me procesin.
Në këtë drejtim, duhen përpjekje serioze dhe vullnet politik për përmbylljen e procesit të reformës zgjedhore, i filluar para gati 10 vitesh. Po ashtu, çështja e financimit të subjekteve politike duhet të përmbyllet me miratimin e ligjit për financimin e subjekteve politike, i cili duhet të reflektojë rekomandimet e Komisionit të Venedikut si dhe kërkesat e shoqërisë civile.
Dialogu Kosovë-Serbi
Raporti vlerëson rifillimin e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë pas heqjes së taksave dhe reciprocitetit, si dhe kërkon nga pala kosovare angazhim të shtuar për arritjen e marrëveshjes finale, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke e konsideruar atë si “urgjentisht të nevojshme”. KDI konsideron që dialogu është e vetmja mënyrë përmes së cilës palët mund të arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse. Megjithatë, KDI kërkon që ky proces të zhvillohet mbi bazën e transparencës, llogaridhënies dhe konsensusit të gjerë politik, që janë thelbësore për arritjen e marrëveshjes, ratifikimin dhe zbatimin e saj. Në anën tjetër, Qeveria, si bartëse e procesit, duhet të shtojë përpjekjet për të garantuar gjithëpërfshirje dhe legjitimitet të procesit. Informimi i rregullt i Kuvendit dhe publikut të gjerë rreth dialogut duhet të mbetet prioritet.
Sundimi i ligjit dhe Korrupsioni
Krimi i organizuar, korrupsioni dhe ndërhyrjet e jashtme në punën e gjyqësorit, janë disa nga temat në të cilat Komisioni vlerëson se Kosova ka arritur “progres të kufizuar”, duke kërkuar vullnet më të fuqishëm politik në këtë drejtim. Administrimi i drejtësisë gjithashtu është vlerësuar si “i ngadalshëm dhe joefikas”, ndërsa si sfiduese është përmendur situata me punën dhe performancën e institucioneve gjyqësore në veri të vendit.
KDI konsideron që mosndëshkueshmëria e korrupsionit të nivelit të lartë dhe dënimet minimale për këto vepra, përveç që janë shqetësuese, inkurajojnë sjelljet e tilla korruptive në të gjitha sferat. Përkundër formimit të Departamentit Special për trajtimin e rasteve të korrupsionit, gjatë vitit 2019 nuk është iniciuar asnjë rast penal kundër veprave të korrupsionit të lartë. KDI vlerëson që ky fenomen është duke ndodhur si rezultat i ndërhyrjeve të vazhdueshme politike në punën e gjyqësorit, prandaj rritja e integritetit, llogaridhënies dhe performancës së prokurorëve dhe gjyqtarëve është e domosdoshme për funksionim të mirëfilltë të pushtetit gjyqësor.
Vlen të theksohet që Kosova ka shënuar sërish regres në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI), duke pësuar rënie për tetë pozita në renditjen globale.
Prokurimi publik vazhdon të vuajë nga mungesa e transparencës së plotë, me tendencë të përkeqësimit gjatë periudhës së pandemisë – për shkak të përdorimit të shpeshtë të procedurave emergjente të prokurimit. Kjo ka ndikuar në ulje të konkurrencës, transparencës dhe ka shumëfishuar shpenzimet e parasë publike për shkak të çmimeve të fryra.