Ismaili: Për 1 vit, qeveritë Kurti dhe Hoti e futën Kosovën në krizë të thellë ekonomike dhe politike

0
34

Sot bëhet një vit që Partia Demokratike e Kosovës ka pranuar e para rezultatin zgjedhor, duke treguar një kulturë të lartë demokratike, dhe ka prezantuar qëndrimin që do të jetë në opozitë dhe do të bëjë opozitë.

Përgjatë këtij viti, Kosova ka pasur dy qeveri të ndryshme, atë Kurti dhe tani Hoti, të cilat nuk kanë bërë asgjë tjetër përpos që kanë thelluar krizën e qytetarëve.

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, në një konferencë për media ka thënë se sot, e jetojmë realitetin paralajmërimit të PDK-së, ku ende qytetarët, me dy Qeveritë, edhe atë Kurti, edhe këtë Hoti, nuk kanë arritur ta ndjejnë dorën e shtetit në tejkalimin e kësaj krize.

“Sot, pas një viti, populli sheh se me çfarë mashtrimi, inate dhe ekstremizmi është qeverisur Kosova me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike.”, ka thënë ndër të tjera sekretari Ismaili.

Lexoni më poshtë fjalimin e plotë të sekretarit të partisë, Uran Ismaili:

Përshëndetje të gjithëve dhe faleminderit për prezencën tuaj sot këtu!

Sot bëhet një vit që Partia Demokratike e Kosovës ka pranuar e para rezultatin zgjedhor, duke treguar një kulturë të lartë demokratike, dhe ka prezantuar qëndrimin që do të jetë në opozitë dhe do të bëjë opozitë.

Gjatë këtij viti, PDK ka ngritur një model të opozitarizmit, të bazuar në patriotizëm ndaj shtetit, në mbrojtjen e kërkesave të qytetarëve dhe në denoncimin e keqqeverisjes së dy Qeverive.

Si Opozitë, kemi iniciuar komisione parlamentare për hetimin e vjedhjeve në pandemi, për hetimet në privatizim që nga koha e pasluftës, si dhe udhëheqim komisionin parlamentar hetimor për hidrocentralet.

Kemi thirrur interpelanca e debate, ku kemi alarmuar për rreziqet që po i kanoseshin Kosovës nga drejtimi anti-amerikan i Qeverisë Kurti, por edhe për paaftësinë e Qeverisë Hoti.

PDK, si opozitë, ka përfaqësuar vullnetin e qytetarëve.

Opozitarizmi ynë nuk ka qenë i bazuar në mjete të dhunës dhe as në inate politike, por në bindjet tona se i shërbejmë Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj – pa asnjë dallim.

Kemi votuar shfrytëzimin e Buxhetit nga Qeveria Kurti, rishikimin e Buxhetit të Qeverisë Hoti, si dhe marrëveshje të ndryshme ndërkombëtare që kanë mundësuar investime mbi 300 milionë euro në shumë komuna të Kosovës.

Kemi votuar jashtë inateve politike, për të mirën e të gjithë qytetarëve.

Kemi ofruar modele alternative edhe për Qeveritë.

Qysh në fillim të krizës së pandemisë, që në muajin mars, kemi propozuar të parët Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike, me vlerë 300 milionë euro, për t’u dalë në ndihmë qytetarëve, mijëra familjeve dhe për ta mbështetur sektorin privat.

Kemi alarmuar që në atë kohë se mënyra e menaxhimit të pandemisë nga Qeveria Kurti do ta thellonte krizën ekonomike dhe nuk do t’ia dilte t’i ndihmonte financiarisht qytetarët.

Sot, e jetojmë realitetin e atij paralajmërimi tonë, ku ende qytetarët, me dy Qeveritë, edhe atë Kurti, edhe këtë Hoti, nuk kanë arritur ta ndjejnë dorën e shtetit në tejkalimin e kësaj krize.

Kosova është vendi i vetëm, në të cilën Qeveritë, edhe Kurti edhe Hoti, ende nuk kanë arritur ta implementojnë një pako gjithëpërfshirëse ekonomike.

Si ilustrim, Qeveria Kurti propozoi asokohe një Pako Emergjente me vetëm 179 milionë euro. Por, e painteresuar për implementimin e saj, i la ndërmarrësit dhe punëtorët pa mbështetjen e duhur.

Në fund të mandatit, Qeveria Kurti, me një neglizhencë ekzekutoi vetëm 30% të vlerës se planifikuar, duke i dhënë kështu një goditje të rëndë ekonomisë së vendit – e cila ndjehet edhe sot.

Sot, pas një viti, populli sheh se me çfarë mashtrimi, inate dhe ekstremizmi është qeverisur Kosova me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike.

Qeverisja e Albin Kurtit foli për sundim të ligjit, e u bë kampione e shkeljeve kushtetuese.

Premtimin për luftën kundër korrupsionit e shndërroi në keqpërdorim dhe keqmenaxhim pikërisht gjatë pandemisë, një gjë tashmë e dokumentuar edhe nga organizatat ndërkombëtare si Transparency International.

Aferat e vjedhjet gjatë pandemisë, rritjet e çmimeve të barnave, si dhe shkeljet tjera, sot janë duke u hetuar nga një komision parlamentar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Albin Kurti si Kryeministër do të mbahet në mend, po ashtu, edhe për dy veprime të turpshme: mbylljen e kufirit me Shqipërinë dhe hapjen me Serbinë.

Mos të harrojmë: Ai mashtronte për bashkimin kombëtar, i ndante shqiptarët në tradhtarë e patriotë, por i ofendoi të gjithë shqiptarët, kudo që janë, me ato teste të turpshme nga Serbia – duke e shpallur në media botërore Aleksander Vuçiqin humanistin e Ballkanit.

Për herë të parë, pas 20 vjetësh në liri, një Kryeministër i Kosovës tentoi ta ndërronte politikën kombëtare të Kosovës, duke ia dhënë qëllimshëm Qeverisë së tij drejtimin anti-amerikan.

Tradhtoi interesat kombëtare dhe u bë i rrezikshëm për vendin.

Qeverisja Kurti është votuar mbi një tregim mashtrues të saj politik, që kinse do ta forconte shtetin e Kosovës, por manifestoi veprime që janë pikërisht në kundërshtim me interesat e qytetarëve, përfshirë edhe të atyre që e kanë votuar.

E kemi edhe gjysmën tjetër të Qeverisë së proklamuar të 6 tetorit, Lidhjen Demokratike e Kosovës, së bashku me partnerët e saj, që sot janë në një vorbull të paaftësisë për të qeverisur – duke e zhytur Kosovën çdo ditë në krizë të thellë ekonomike.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, rënia ekonomike ka arritur në 9.2 %, sipas Entit Statistikor të Kosovës, duke e çuar Kosovën drejt parashikimit të errët të Bankës Botërore për një rënie të përgjithshme të ekonomisë prej 11.3 %.

Përkthyer në shifra, bëhet fjalë për gati 1 miliard euro të humbura në ekonominë kosovare.

Kjo është jashtëzakonisht alarmuese.

Është e dhimbshme se si Qeveria Hoti ka lënë sektorin privat pa mbështetjen e duhur.

Bizneset e Kosovës po shkojnë drejt falimentimit, ndërsa Qeveria Hoti ka arritur një numër rekord të tentimeve dhe dështimeve për ta kaluar Pakon Ekonomike, e nuk po i bëhet vonë për pasojat që po i vuajnë qytetarët tanë.

Një Qeveri pa stabilitet të brendshëm, pa vendime dhe pa fuqi për t’i realizuar politikat e saj.

Një Qeveri që nuk merr veprime për ekonominë, thyen parimet e veta në diplomaci – duke e treguar hipokrizinë më së miri me mbrojtjen e Mini-Shengenit që deri dje e quante Jugosllavi, dhe që nuk është në gjendje të ndërtojë asnjë konsensus të domosdoshëm në Parlament, është një Qeveri që po e zgjat zhgënjimin e qytetarëve.

Qeveri Kurti dhe Qeveria Hoti kanë pasur një seri dështimesh, të cilat e kanë futur Kosovën në një krizë të thellë ekonomike dhe politike.

Pasojat e këtyre keqqeverisjeve do të jenë evidente në ekonominë e vendit dhe mirëqenien e familjeve kosovare.

PDK në opozitë do të vazhdojë të denoncojë abuzimet dhe neglizhencën e Qeverisë krahas sfidave të mëdha ekonomike dhe sociale që ka Kosova.

Do të jetë opozitë në shërbim të popullit.

Në fund, dëshiroj t’i falënderoj aktivistët tanë dhe gjithë strukturat e PDK-së, që janë duke e thelluar procesin e reformimit, duke e avansuar komunikimin me qytetarët, dhe kështu duke e përgatitur PDK-në që në zgjedhjet e ardhshme të jetë platforma kryesore për realizimin e projekteve në përmirësimin e jetës së qytetarëve.