Dëgjohen dy dëshmitarë në gjykimin për korrupsion ndaj ish-zyrtarit të Gjendjes Civile në Komunën e Gjakovës

0
84

A.H. dhe P.P. ishin dëshmitarët e radhës që u dëgjuan sot në gjykimin që po zhvillohet ndaj zyrtarit të komunës së Gjakovës, Shkelzen Ahmeti, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifkim të dokumenteve, raporton “Drejtësia Sot”.

Ahmeti po gjykohet se duke qenë në cilësinë e zyrtarit në zyrën e Gjendjes Civile në Komunën e Gjakovës në vitin 2016, një personi të panjohur ia ka vërtetuar të dhënat personale se kinse personi në fjalë quhej B.V, ndonëse ato nuk i ka verifikuar paraprakisht.

Në seancën e sotme të udhëhequr nga gjyqtari i Departamentit për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Gëzim Pozhegu, fillimisht është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit A.H., nëpunës në zyrën e shpërndarjes së patentë shoferëve.

I njëjti i sqaroi gjykatës së si bëhet aplikimi për tu pajisur me patentë shofer e gjer tek mënyra e shpërndarjes së patentë shoferit. Ndër të tjera, ai gjatë deklarimit theksoi se nuk i kujtohet se a është tërhequr patentë shoferi nga ana e të dëmtuarit B.V.

Ndërsa, dëshmitari i radhës P.P., nënpunës në qendrën e regjistrimit civil për pajisjen e dokumentacionit përkatësisht pasaportës, përveç që shpjegoi mënyrën e aplikimit e gjerë tek marrja e dokumentit, i njëjti theksoi se nuk i kujtohet personi me inicialet B.V., por dokumentet e aplikimit të tij ekzistojnë.

Me të përfunduar dhënia e dëshmive nga ana e dëshmitarëve, mbrojtësi i të akuzuarit Ahmeti, avokat Meshari Selimaj, i propozoi trupit gjykues edhe një provë materiale përkatësisht një faturë e energjisë elektrike e paguar në vitin 2016, në të cilën provë shënon edhe adresa e vendbanimit e të dëmtuarit B.V.

Meqenëse procedura gjindej në fazën e administrimit të provave materiale, trupi gjykues këtë provë të propozuar nga mbrojtja dhe ato të paraqitura në aktakuzë i administroi gjatë seancës së sotme, kurse shqyrtimin e ardhshëm e caktoi më datën 16 Tetor 2020.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Shkëlzen Ahmeti po akuzohet se duke qenë në cilësinë e zyrtarit në zyrën e Gjendjes Civile në Komunën e Gjakovës në vitin 2016, kishte keqpërdorur detyrën zyrtare në atë mënyrë që personit deri më tani të panjohur, ia vërteton të dhënat personale se kinse personi në fjalë quhej B.V., banues në Gjakovë.

Aktakuza më tutje sqaron se po të njëjtën ditë i akuzuari e kishte pajisur këtë person edhe me ekstrakt të lindjes, me të cilën i mundësohet që në zyrën e Regjistrimit Civil, me të dhënat e rrejshme të vërtetuara, të posedoj dokumente personale si letërnjoftim, pasaportë dhe patentë shofer.

Me po të njëjtin akt akuzues, Ahmeti akuzohet edhe për veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar, pasi që ekstraktin të cilin e kishte e lëshuar me të dhëna të rrejshme, e kishte vërtetuar me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare.

Me këto veprim, ai po akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” nga neni 422 para.2-1-2.1 të KPRK-së dhe “falsifikim i dokumentit zyrtar” nga neni 434 para.1 të KPRK-së./DrejtesiaSot