Memorandum Mirëkuptimi midis Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës dhe Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”

0
172

Deklarata e Ministres Meliza Haradinaj Stublla, pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit midis Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës me Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, për bashkëpunim në krijimin dhe hartimin e një strategjie mbarëkombëtare:

Sot, është një ditë historike, e veçantë për Kosovën dhe për shqiptarët kudo që ndodhen.
Me Federatën Pan-Shqiptare “Vatra” – nënshkruam Memorandumin e Mirëkuptimit, një zotim i cili tani e tutje do të na lidh edhe më fortë së bashku – për hartimin e një agjende të përbashkët mbarëkombëtare.

Është përgjegjësi, nder dhe kënaqësi e veçantë, që si Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, së bashku, të konkretizojmë dëshirën e vullnetin tonë të madh, për të krijuar një program të promovimit të vlerave dhe interesave të shqiptarëve.

Mbi të gjitha, sot kemi lidhur Besën dhe Fjalën, edhe zyrtarisht, me “Vatrën” tonë, e cila ka qenë, e mbetet një nga organizatat më të rëndësishme për promovimin e vlerave shqiptare.

Historia na mëson se të bashkuar dalim fitimtarë, dhe ky është synim i ynë i përbashkët.
Puna për ngritjen e fondit ndërshtetëror për mbështetjen financiare të Luginës, shënon një momentum të ri politik në përpjekjet tona për të lartësuar pozicionin e për të përmirësuar gjendjen e shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc, e Medvegjë. Dhe ky është vetëm fillimi. Do të vazhdojmë me të njëjtin përkushtim edhe për shqiptarët e Malit të Zi e kudo.

Përmes Memorandumit të Mirëkuptimit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Federata Pan – Shqiptare “VATRA” u zotuan se do të bashkëpunojnë në aktivitete të interesit të përbashkët, me qëllim promovimin në politikën e jashtme të vlerave mbarëkombëtare.

Dua të falënderoj nga zemra Federatën “Vatra” për të gjithë punën e palodhshme që bëjnë për të fuqizuar rolin shqiptar kudo, dhe në veçanti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Misioni i saj i pandalshëm edhe kur kohërat ishin kundër nesh, dhe guximi për të qëndruar drejtë, është shtegu që duhet të ndjekim edhe sot, edhe si qytetarë edhe si institucione.