Personaliteti i cili është “shkaktari” kryesor i shmangies së dhimbjeve gjatë operacioneve kirugjikale

0
94

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 37 me rradhë ka Uilliam Morton.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. XXXVII- Uilliam Morton

(1819-1868)

Emri i Uilliam Grim Mortonit, nuk tregon ndonjë gjë të madhe për shumicën e lexuesve. Por, ai është shumë më i shquar nga një varg figurash të njohura, sepse është “shkaktari” kryesor i shmangies së dhimbjeve gjatë operacioneve kirugjikale. I paktë është numri i zbulimeve në tërë historinë njerëzore që vlerësohet aq shumë nga njeriu i zakonshëm dhe reflektohet në jetën e tij. Të ngrihen flokët përpjetë kur kujtojmë ato kohë, kur kirurgët ua prisnin kockat pacientëve në vetëdije të plotë. Arritja e shmangies së dhimbjes gjatë operacioneve kirugjikale është me të vërtetë një nga fitoret më të çmuara të shkencës mjekësore, të humanizmit njerëzor.

Mortoni është lindur në vitin 1819 në Çarlton ta Masaçusetit, SHBA. Ai studioi për kirugjinë e dhëmbëve në kolegjin e Baltimorit. Nga viti 1842 filloi të punonte si dentist. Për një kohë të shkurtër bashkëkpunoi me një koleg pak më të vjetër në moshë, Horas Vels, që interesohej për preparate kundër dhimbjeve. Por, mesa duket, ky bashkëpunim nuk qe i frytshëm, ndaj u ndërpre në vitin 1843. Një vit më vonë, Velsi filloi të eksperimentonte duke përdorur si mjet për narkozë, oksidin e azotit. Në praktikën stomatologjike, që kishte zhvilluar në Hartford, Konektikat, kishte patur sukses. Por, për fat të keq, në demonstrimin kryesor që zhvilloi në Boston, dështoi. Si dentist, Mortoni ishte specializuar për vënien e dhëmbëve artificiale. Që të vendoseshin ashtu si duhet, së pari duhet të hiqeshin rrënjët e dhëmbëve natyrorë. Kur ende nuk kishin dalë mjetet e mpirjes, heqja e rrënjëve ishte një torturë e vërtetë, pasi shkaktonte dhimbje të tejskajshme.

Pra, dilte si domosdoshmëri gjetja e ndonjë farë anestezie. Mortoni vlerësoi me saktësi, se oksidi i azotit nuk kishte vetitë cilësore të mjaftueshme për mpirjen, ndaj u përpoq të gjente një mjet tjetër më të fuqishëm. Mjeku dhe shkencëtari Çarls Xhekson, i propozoi Mortonit të përdorte eterin. Vetitë narkotike të eterit ishin zbuluar 300 vjet më parë nga mjeku dhe alkimisti zviceran, Paracelzus. Disa të dhëna me përmbajtje të ngjashme janë botuar edhe në fillim të shekullit XIX. Por, as Xheksoni dhe as ndonjë tjetër nuk e kishin shfrytëzuar eterin gjatë operacioneve kirugjikale. Mortoni, duke besuar shumë në vetitë e eterit, filloi të eksperimentonte së pari te kafshët (te qeni i tij), e pastaj në trupin e tij. Në shtator të vitit 1844, një pacient i quajtur Abon Frosti, hyri në klinikën e tij me dhimbje të padurueshme dhëmbi. Ai ishte i gatshëm të pranonte çdo gjë, vetëm e vetëm të qetësohej nga dhimbjet. Mortoni përdori eterin.

Pasi u qetësua, pacienti deklaroi se nuk kishte ndierë asnjë dhembje gajtë heqjes së dhëmbit. Rezultat më të mirë Mortoni nuk mund të priste. Ditën tjetër disa gazeta dhanë lajmin për shkuljen e dhëmbit pa dhembje. Por kjo ngjarje, nuk tërhoqi vëmendjen e duhur. Duhej domosdoshmërisht edhe një demonstrim më i besueshëm. Për këtë, Mortoni iu lut kirurgut të spitalit kryesor në Mançester të Bostonit, Dr.Xhon Vornit, që ta lejonte për të demonstruar mënyrën e heqjes së dhembjes gjatë një operacioni kirugjikal përpara një grupi mjekësh kërkimorë. Dr.Vorni e miratoi propozimin: Më 16 dhejtor të vitit 1846, Mortoni vuri me eter në gjumë pacientin Gilber Abot. Tumorin nga zverku ia hoqi Dr.Vorni. Anestezia u krye me mjaft efikasitet. Demonstrimi pati sukses të madh. Menjëherë shpërthyen gazetat.

Përdorimi i narkozës në kirurgji filloi të përhapej rrufeshëm. Pas operacionit të Abotit, Mortoni dhe Xheksoni kërkuan të merrnin patentën, e cila iu dha pas një muaji. Por, menjëherë lindi konflikti për autorësinë: Mortoni këmbëngulte, se përdorimi i anestezisë me eter ishte meritë e tij; ndërsa disa mjekë të tjerë, këtë ia kushtonin më shumë Xheksonit. Kështu, shpresat e Mortonit se me këtë zbulim do të pasurohej, nuk u realizuan. Shumica e mjekëve dhe spitaleve, që e përdornin eterin për anestezi, nuk e shihnin me vend, që nga fitimet e tyre të ndanin përqindje edhe për autorin.

Shpenzimet për proceset gjyqësore për njohjen e autorësisë së këtij zbulimi, e varfëruan shumë Mortonin. Dhe kështu, në vitin 1869, në moshën 49-vjeçare, në kulmin e dëshpërimit, vdiq në Nju Jork.Vlerat e anestezisë në stomatologji dhe në operacionet e tjera kirugjikale janë të paimagjinueshme. Për vlerësimin e rëndësisë së punimeve të Mortonit, më e vështirë është vendosja nëse merita kryesore për anestezinë i takon atij apo pararendësve të tjerë, si:Horas Vels-it, Çarls Xheksonit apo Kraford Longut nga Xhorxhia. Sidoqoftë, Mortoni qëndron shumë më lart se ata, prandaj dhe i jepet ky vend në libër. Është e vërtetë se Horas Velsi gjatë praktikës stomatologjike qysh dy vjet para se Mortoni të përdorte eterin, kishte filluar t’ua largonte dhimbjet pacientëve të tij. Por, anestezia e Velsit me “gaz të parajsës”(oksidi i azotit) nuk kishte dhe nuk mund të kishte efektin vendimtar në kirugji.

Përballë vetive të mira të njohura, ai gaz, për mospasjen e efektit të duhur, nuk mund të përdoret gjatë operacioneve të rënda. Sot në kirurgji, për anestezi, ai shfrytëzohet vetëm me kombinime mjetesh të ndryshme narkotike. Eteri, çuditërisht është mjaft i frytshëm dhe përdorimi i tij ka sjellë ndryshime rrënjësore në kirugji. Në raste të veçanta, mund të përdoren edhe mjete më të mira se eteri për sigurimin e vazhdimësisë së operacionit. Edhe pse ka ndonjë të metë të vetisë së tij, ai digjet lehtë dhe zakonisht shkakton papastërti pas përdorimit, përsëri ai mbetet narkotizanti më i përgjithshëm, që është përdorur deri më sot.

Nga ana tjetër, ai transportohet dhe përdoret lehtë dhe ç’është më e rëndësishmja, pranon kombinime me lëndë të tjera të parrezikshme, duke patur efekte të fuqishëm. Kraford Long (1815-1878), mjek nga Xhorxhia, qysh më vitin 1842, katër vjet para demonstrimit të Mortonit, kishte përdorur eterin në një operacion kirurgjikal. Por, rezultatet e eterit në këtë operacion ai i botoi në vitin 1849, kur përdorimi i tij në kirurgji, falë demonstrimeve të Mortonit, ishte bërë i njohur. Me fjalë të tjera, nga praktika e Longut kishin përfituar vetëm disa pacientë, ndërsa nga praktika e Mortonit ishin lehtësuar nga dhimbjet shumë e më shumë njerëz. Çarls Xheksoni i propozoi Mortonit të eksperimentonte eterin dhe e orientoi se si ta përdorte atë te pacientët.

Ai vetë, gjatë operacioneve kirurgjikale, nuk e përdori eterin deri në shkallën e kënaqshme. Para provës së suksesshme të Mortonit, ai nuk e bëri të njohur efektin e eterit në rrethet shkencore të mjekësisë. Kështu që Mortoni dhe jo Xheksoni, është ai që rrezikoi reputacionin e vet, kur kreu demonstrimin kryesor. Ndërsa kur Gilbert Abot-i vdiq në sallën e operacionit, Çarls Xheksoni, nuk pranoi asnjë përgjegjësi për atë. Ku është vendi i Uilliam Mortonit në këtë përzgjedhje?  Bëmë, për shembull, krahasimin midis Mortonit dhe Xhosef Listerit: të dy ishin mjekë dhe të dy u lavdëruan dhe u bënë të famshëm me sjelljen e teknikës apo procedurës së re; të dy kryen ndryshime rrënjësore në gjinekologji-obstetrikë.

Në të vërtetë, asnjeri prej tyre nuk ishte i pari që kishte zbatuar të rejat shkencore edhe pse i botuan dhe i popullarizuan përpjekjet e tyre. Të dy, meritat duhet t’i ndajnë me njëri-tjetrin. Mortonin e vendosim më lart se Listerin, pasi jemi të bindur se praktika me anestezinë është më e rëndësishme se sjellja e lidhjeve antiseptike. Nga ana tjetër, antibiotikët bashkëkohorë mund të zëvendësojnë mungesën e mjeteve antiseptikë në ndërhyrjet kirurgjikale. Por, pa anestezi, nuk është e mundur të durohen operacionet e gjata dhe të ndërlikuara, ndërkaq që edhe ndërhyrjet më të thjeshta kirurgjikale mund të jenë vdekjeprurëse. Demonstrimi kryesor me mjete praktite për mënjanimin e dhimbjeve, që Mortoni kreu atë mëngjes të tetorit të vitit 1845 është një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e njerëzimit. Këtë arritje nuk e sqaron asgjë tjetër më mirë se mbishkrimi në përmendoren e tij:

UILLIAM MORTON

Zbuloi dhe e bëri të njohur mosdhimbjen

Nga dhimbje të rënda na shpëtoi

Kirurgjia ishte në vështirësi.

Shkenca nga dhimbjet na çliroi.

 Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Guljem Markoni.