Deklarohet i pafajshëm zyrtari i aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare

0
152

Në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, sot u deklarua i pafajshëm Martin Biserov Alekov, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton Drejtësia Sot.

I njëjti akuzohet se në cilësinë e inxhinierit të elektronikës dhe mbikëqyrësit automatik në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, ka lejuar që disa bagazhe të dyshuara si të kontaminuara të ngarkohen në aeroplan.
Pas leximi të aktakuzës, i pandehuri Alekov u deklarua se nuk e ndien vetën fajtor për veprën penale që i vihet në barrë.

Në këtë drejtim, gjyqtarja e çështjes Nushe Kuka Mekaj, i njoftoi palët se brenda 30 ditëve por jo më larg se 45 ditë mund të paraqesin kundërshtimet e tyre në lidhje me aktakuzën. Ndërkaq me pëlqimin e palëve është anuluar seanca e dytë e shqyrtimit fillestar.

Kujtojmë se seanca e kaluar e datës 16 korrik, është shtyrë në mungesë të shkresave të lëndës, ngase Prokuroria nuk kishte mundur të siguronte përkthimin e tyre, ku gjyqtarja Nushe Kuka Mekaj, kishte obliguar prokuroren e çështjes Dulina Hamiti që në afat prej 30 ditësh të njëjtat të ia dorëzoj të pandehurit Alekov.

Një obligim të tillë nuk e kishte kryer prokurorja Hamiti, as në seancën e sotme, e cila njoftoi se të njejtat janë dërguar në përkthim mirëpo për shkak se lënda është voluminoze nuk kanë mundur të përfundohen në kohë.

Pavarësisht kësaj avokati Shkelzen Sopjani, mbrojtës i të pandehurit Alekov, u pajtuan që të vazhdojnë tutje më këtë seancë gjyqësore, ngase nuk e shohin të arsyeshme prolongimin e të njejtës më tepër.

Sipas aktakuzës së bashku me Alekovin, të akuzuar në këtë çështje penale janë edhe Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj, të cilët janë deklaruar të pafajshëm në seancën e 26 qershorit 2020. Ndërkaq, në po të njëjten seancë gjyqtarja Kukaj- Mekaj, në mungesë të akuzuarit Alekov, kishte veçuar procedurën ndaj tij.

Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj, si operator skanimi dhe Martin Biserov Alekov, si mbikqyrës i sistemit automatik pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, kanë lejuar ngarkimin e valixheve të dyshuara si të kontaminuara në aeroplan, duke rrezikuar kështu jetën e pasagjerëve dhe ekuipazhit.

Tutje theksohet se me datë 19.08.2019, të pandehurit Faton Gurguri, Endi Bujupi dhe Visar Xhekaj gjatë orës 08:00-09:00 sa ka qenë greva e punëtorëve të aeroportit nuk i kanë mbikqyrë paisjet e skanimit dhe me anë të të pandehurit tjetër Martin Biserov Alekov, kanë lejuar që disa bagazhe të dyshuara si të kontaminuara të ngarkohen në aeroplan.

Me këto veprime të pandehurit e lartëcekur sipas aktakuzës kanë rrezikuar jetën e pasagjerëve dhe të ekuipazhit, sigurinë e aviacionit civil dhe imazhin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare./DrejtesiSot