“Ai që do të shkruante emrin më madhështor, atij do t’i lëshonim cigaren në dorë”

0
148

Fadil Kraja

Cigarja

Njëzet vetë ne ishim

Njëzet vetë ushtarë.

Një cigare kishim

Kush ta ndezë më parë.

Dielli na përvlonte

Etja na kish tharë,

Nga cigarja nuk doshim

Asnjëri me u nda.

Me një zë vendosëm

t’hedhim lotari,

kjo nuk është përrallë,

mos ju vijë çudi!

Ai që do të shkruante

Emrin më madhështor,

Atij do t’i lëshonim

Cigaren në dorë.

Ramë të gjithë në mendime

S’ishte fort e lehtë,

Emrin më madhështor

Cili kish me e gjet?

Mua m’qeshi fytyra

Gjeta emrin nanë,

Mendova, cigaren

Mua do ma lanë!

U lexuan letrat

Nuk kisha fitu,

Sepse 18-të

Nanë kishin shkru!

Vrejtëm njëri-tjetrin

Fytyrat shprehnin mall,

E ndezëm cigaren

E thithëm me radhë.

Dielli s’na përvlonte

Etjen lan një nanë

Zemrat na i galtonte

Emri i dashtun, nanë!