Sqarim: Monitorimi i çmimeve për test të COVID19 nuk është obligim dhe e drejtë ligjore e ATK-së

0
43

Administrata Tatimore e Kosovës e konsideron të nevojshme të sqaroi për opinionin publik paqartësitë e krijuara në media dhe më gjerë, sa i përket çështjes së monitorimit të çmimeve për test të COVID19 nga ana e laboratorëve të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Lidhur me deklarimet e djeshme në media për çështjen e monitorimit të ngritjes së çmimeve për test të COVID19 nga ana e laboratorëve të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë, Administrata Tatimore e Kosovës sqaron se asnjë dispozitë ligjore nuk e obligon dhe nuk i jep të drejtë ATK-së, për të monitoruar procesin e rregullimit të çmimeve të shitjes.

ATK bën me dije se i vetmi organ, i cili ka bazë ligjore për të monitoruar aplikimin e çmimeve monopoliste, si dhe të zbatimit të konkurrencës së drejt në treg është Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

ATK nuk është institucion i thirrur për të monitoruar çmimet e tregut, ky institucion është organ i autorizuar me ligj për të mbledhur tatimet ashtu siç e kërkon ligji, nga të gjithë personat fizikë dhe juridikë që zhvillojnë aktivitet ekonomik në Republikën e Kosovës.

Shënim: Gjatë muajve mars dhe prill të këtij viti, ose në periudhën e parë të pandemisë, me kërkesë dhe autorizim me shkrim nga ish Ministri i Financave, kemi monitoruar procesin e ngritjes artificiale të çmimeve tek disa produkte bazike, dhe se ky monitorim është bërë vetëm për zvogëluar panikun e krijuar në atë kohë tek qytetarët, si dhe parandalimin e keqpërdorimit nga ana e një numri të vogël të individëve, që në ditët e para të pandemisë kishte raportime të vazhdueshme se janë duke ngritur çmimet artificialisht.