“Dy koka mendojnë më mirë se një”, vëllezërit që ndërtuan avionin me motor

0
226

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 28 me radhë janë Vëllezërit Rajt Vilbur dhe Orvil.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. XXVIII Vëllezërit Rajt Vilbur dhe Orvil
(1867-1912) (1871-1948)

Meqë, arritjet e këtyre dy vëllezërve janë të lidhura ngushtë, po i paraqesim bashkërisht dhe njëkohësisht. Vilbur Rajt është lindur në vitin 1867 në Milvill të Indisë, ndërsa i vëllai, Orvili është lindur në vitin 1871 në Dejton, Ohajo të SHBA. Të dy ishin me arsim të mesëm (gjimnaz), por pa diplomën e maturës. Tek të dy u shfaq dëshira për mekanikën dhe interesi për fluturimet. Në vitin 1892, hapën një punishte për rregullimin, prodhimin dhe shitjen e biçikletave, që u dha mundësinë për sigurimin e mjeteve materiale. Me këto mjete iu përkushtuan studimeve dhe kërkimeve në fushën e fluturimeve ajrore. Ata, i lexuan me dëshirë librat e Oto Lilientallit, Oktav Shanutit dhe Semjues Lenglit, që flisnin për fluturimet. Në vitin 1899 filluan të merreshin vetë me këtë problem. Pas një pune katërvjeçare, në dhjetor të vitit 1903, përpjekjet e tyre u kurorëzuan me sukses.

Mund të lindë pyetja se si vëllezërit Rajt arritën sukses aty ku të tjerët para tyre kishin dështuar? Për këtë ekzistojnë disa arsye: Dy koka mendojnë më mirë se një. Vëllezërit Rajt punonin gjithnjë bashkë dhe në mënyrë ideale plotësonin njëri-tjetrin. Së dyti, ata vepruan me zgjuarsi në të kuptuarit e parimeve të fluturimit dhe pas kësaj provuan të konstruktonin avionin me motor. Kjo tingëllon disi paradoksale: Si mund të përvetësoheshin parimet e fluturimit derisa para kësaj nuk kishte avion? Përgjigja është se vëllezërit Rajt kishin mësuar të fluturonin me avion pa motor. Pas një viti konstruktuan një avion pa motor me madhësi normale (relativisht mjaft i madh për t’u mbajtur nga një njeri) dhe e çuan në Kiti Hok, në Karolinën e Veriut, për ta provuar. Prova nuk doli me sukses. Në vitin 1901, ndërtuan dhe provuan një avion të dytë pa motor, ndërsa në vitin 1903 një të tretë. I fundit ishte më i përsosur. Madje, për këtë ata morën edhe patentën. Me avionin e tretë pa motor ata kryen mbi 1000 fluturime të suksesshme. Para se të konstruktonin avionin me motor, vëllezërit Rajt ishin pilotët më të mirë e më të suksesshëm në të gjithë botën me avionët pa motor.

Pikërisht, praktika e madhe e fluturimeve me avion pa motor, është çelësi i tretë që hapi dyert drejt suksesit të tyre. Shqetësimi i konstruktorëve të parë të avionëve ka qenë ngritja në ajër, ndërsa, problemi më i madh i vëllezërve Rajt ka qenë drejtimi i avionit në ajër. Ata kryen shumë eksperimente për stabilizimin e aparateve dhe drejtimin gjatë fluturimeve. Ata shpikën një sistem trekëndësh për drejtimin e avionit, që u dha mundësinë e manovrimit të plotë.
Pastaj,vëllezërit Rajt bënë përmirësime cilësore në konstruktimin e krahëve. Ata e kuptuan shpejt se nuk mund të mbështeteshin më në të dhënat e publikuara deri atëhere për këtë problem. Të dy ndërtuan një tunel të ventiluar, ku eksperimentuan mbi 200 krahë të konstruktuara prej tyre. Në baza të eksperimenteve dhe studimeve, ata projektuan skema të ndryshme, prej të cilave zbuluan se trysnia e ajrit lidhur me krahët e avionit, varej nga forma e tyre. Duke shfrytëzuar këto të dhëna, arritën të ndërtojnë krahët e avionit të tyre.

Lavdia e vëllezërve Rajt, nuk do të ishte kjo e tanishmja, në qoftë se nuk do të shfaqeshin në çastin e duhur historik. Përpjekjet për fluturimet me motor në gjysmën e parë të shekullit XIX kanë qenë të paracaktuara të përfundonin me dështime. Lokomotivat me avull kanë qenë jashtëzakonisht të rënda në krahasim me energjinë që prodhonin. Kur dolën në skenë vëllezërit Rajt, motorët me djegie të brendshme ekzistonin. Por, raporti i peshës së tyre me forcën nuk jepnin mundësi shfrytëzimi për aparatet fluturuese. Për derisa asnjë konstruktor nuk kishte arritur deri atëhere të prodhonte një motor të përshtatshëm me benzinë për këto aparate, atëhere, vëllezërit Rajt së bashku me një mekanik ndërtuan vetë një motor të tillë, që ua kalonte të gjithë motorëve të prodhuar deri atëhere. Këtë motor ata e prodhuan relativisht për një kohë të shkurtër. Kjo e dhënë flet dukshëm për aftësitë e tyre gjeniale. Pas kësaj, ndërtuan edhe helikat. Helikat, që u përdorën në vitin 1903 kishin rreth 66% koeficient të shfrytëzimit të lëvizjes.

Fluturimi i parë u krye më 17 dhjetor të vitit 1903 te kodra Devil, jo larg Kiti Hokut. Në atë ditë, të dy vëllezërit fluturuan nga dy herë. Fluturimi i Orvil Rajtit zgjati 12 sekonda me një largësi 35m. Fluturimi i fundit, i katërti, zgjati 59 sekonda, ku Vilburn Rajti fluturoi 255.60 m. Ndërtimi i këtij avioni, që vëllezërit Rajt e quajtën “Flaer I” (tani i njohur si “Kiti Hok”), kushtoi rreth 1000 dollarë. Gjatësia e krahëve ishte 12m, ndërsa pesha 300kg, pesha e motorit ishte 77kg. ”Flaer I” tani është ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Fluturimeve Ajrore dhe Kozmike në Uashington.

Duke qenë se në fluturimin e parë, si dëshmitarë u ndodhën vetëm pesë veta, lajmi i kësaj ngjarjeje dhënë në gazetat ishte relativisht i vogël dhe mjaft i pasaktë. Edhe gazeta e Dejtonit nuk i kushtoi rëndësi të veçantë këtij fluturimi. U deshën edhe pesë vjet të tjera që mbarë bota të mësonte për shkëputjen e njeriut nga toka me një aparat më të rëndë se ajri.

Pas fluturimeve të kryera në Kiti Hok, vëllezërit Rajt u kthyen në Dejton ku ndërtuan avionin e dytë “Flaer II”. Me këtë avion, në vitin 1904, ata kryen 105 fluturime. Përsëri mund të thuhet se edhe tani, asnjeri nuk u kushtoi vëmendje. Në vitin 1905, ata ndërtuan “Flaer III”, shumë më të përsosur nga të parët. Edhe pse Vilburi dhe Orvili kishin fluturuar shpesh në rrethinat e Dejtonit, përsëri shumë njerëz nuk besonin në ekzistencën e një makine të tillë fluturuese. Madje, në vitin 1906, gazeta e Parisit “Herald Tribun” botoi një shkrim për vëllezërit Rajt me titullin: ”Fluturues apo gënjeshtarë”.

Megjithatë, në vitin 1908, morën fund të gjitha dyshimet. Vilbur Rajt transportoi një avion në Francë, ku bëri një varg demonstrimesh të qarta. Pas kësaj, krijoi firmën për investime të zbulimit. Në të njëjtën kohë , Orvil Rajt demonstroi në SHBA. Fatkeqësisht, më 17 shtator të vitit 1908, avioni me të cilin pilotonte, u rrëzua. Ky ishte rasti i vetëm i rëndë, që një nga dy vëllezërit, Orvili, e pësoi me dy brinjë dhe një këmbë të thyer, ndërsa një kalimtar që u ndodh aty rastësisht, vdiq. Sigurisht fluturimet e suksesshme e bindën pushtetin e SHBA për të nënshkruar kontratën për prodhimin e avionëve për Ministrinë e Mbrojtjes. Kështu, në vitin 1909, nga buxheti federal për aviacionin ushtarak u përcaktuan 30000 dollarë.

Për një periudhë kohe midis vëllezërve Rajt dhe pretendentëve të tjerë për këtë zbulim pati konflikte të rënda gjyqësore për patentën, por në vitin 1914, ky konflikt u zgjidh në dobi të vëllezërve Rajt. Para kësaj, Vilburi ishte infektuar nga ethja e Tifos dhe kishte vdekur në vitin 1912, në moshën 45-vjeçare. Ndërsa Orvili jetoi deri në vitin 1948. Të dy vëllezërit mbetën të pamartuar.

Duke parë studimet dhe eksperimentet e shumta të kryera para tyre, nuk ka dyshim se kurora e lavdisë për konstruktimin e avionit të parë u takon vëllezërve Rajt. Kur vendosëm se ku duhej t’i klasifikonim në libër, faktori kryesor ishte rëndësia e avionit. E ndiejmë se ky zbulim nuk është aq i rëndësishëm sa i shtypshkronjës, apo i makinës me avull, që ndryshuan pamjen njerëzore. Por, megjithatë, avioni shfrytëzohet edhe në luftë, edhe në paqe.

Prandaj, ai ka rëndësi shumë të madhe. Vetëm në disa dhjetëvjeçarë pas shfaqjes së avionit të parë, planeti ynë u shndërrua në një fshat të vogël. Nga ana tjetër, shkëputja me sukses e njeriut nga Toka ishte starti i rëndësishëm, pikënisja bazë për zhvillimin e fluturimeve kozmike. Njeriu prej kohësh ka ëndërruar të fluturojë. Pragmatistët gjithnjë kanë menduar se “qilimat fluturues” të “Një mijë e një netëve” kanë qenë vetëm fantazi jashtë botës reale. Por ja, vëllezërit gjenialë e plotësuan dëshirën shekullore të njeriut dhe e shndërruan përrallën magjike në realitet.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Çengis Khan.