Ky personalitet është figura kryesore për krijimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

0
256

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 26 me radhë e ka Xhorxh Uashington.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. XXVI- Xhorxh Uashington
(1732-1799)

Xhorxh Uashingtoni është lindur në vitin 1732 në Vajkfild-Frederiksberg, Virxhinia në Amerikën Veriore. Ai ishte djali i një plantacionisti të pasur. Në moshën 20 vjeç u bë trashëgimtar i një pjese të madhe të pronës së të atit. Në periudhën midis viteve 1753-1758 shërbeu në ushtri, ku mori pjesë aktive në luftërat kundër francezëve dhe indianëve. Në këto luftëra fitoi përvojë të madhe ushtarake duke rritur autoritetin e tij. Në vitin 1758, u kthye në Virxhinia, ku filloi të merrej me drejtimin e pronave të veta. Aty u tregua administrator mjaft i zoti. Një vit pasi u kthye nga ushtria, u martua me vejushën e pasur e me dy fëmijë, Marta Dandrid Kastic. Vetë ai nuk pati fëmijë.

Në vitin 1774 u zgjodh si delegat i Virxhinias në Kongresin e Parë Kontinental (kuvend ligjvënës që iu kundërvu pushtetit britanik). Në këtë Kongres, nga delegatët e 13 kolonive që morën pjesë, Uashingtoni ishte ndër më të pasurit. Në Kongresin e Dytë Kontinental, ai u zgjodh njëzëri si komandant i ushtrive revolucionare. Kjo zgjedhje erdhi si rezultat i përvojës së tij luftarake, i aftësive drejtuese, i karakterit të vendosur dhe të fuqishëm, i pasurisë së madhe që kishte, dhe i pamjes fizike: ishte i gjatë dhe mjaft simpatik. Në luftën për pavarësi (Revolucioni Amerikan) ai shërbeu pa pagesë dhe me sakrifica të dukshme.

Arritjet më të mëdha, Uashingtoni i arriti në periudhën midis qeshorit të vitit 1775, kur mori në dorë komandën e ushtrive revolucionare dhe marsit të vitit 1797, kur i mbaroi mandati i dytë presidencial. Vdiq në dhjetor të vitit 1799 në shtëpinë e tij në Maunt Vernon.

Përcaktimi i Uashingtonit si figura kryesore për krijimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është rezultat i tri meritave të tij:
Së pari, gjatë luftës për pavarësi (Revolucioni Amerikan), Uashingtoni u shqua si udhëheqës i zoti ushtarak. Kuptohet, që nuk afrohet aspak me udhëheqësit e tillë ushtarakë siç ishin Aleksandri i Madh apo Jul Çezari. Fitoret e Uashingtonit ishin rezultat i shfrytëzimit të aftësive vetjake ndaj paaftësisë së çuditshme të komdandantëve anglezë. Por, duhet përmendur, se edhe komandantë të tjerë amerikanë pësuan humbje të rënda në këtë luftë. Ndërsa ai, edhe pse pësoi ndonjë disfatë të vogël, arriti t’u japë ushtrive të tij fitoren e plotë.

Së dyti, Uashingtoni u zgjodh President i Kuvendit Ligjvënës, ndonëse, idetë e tij nuk luajtën rol thelbësor në formulimin e Kushtetutës Amerikane, por mbështetja që i bëri asaj dhe autoriteti që gëzonte, ishin faktori kryesor për miratimin e Kushtetutës për të drejtat e shteteve.

Në atë kohë, ekzistonin rryma të ndryshme kundër Kushtetutës së re dhe mendohet se pa ndikimin e Uashingtonit, vendimi për miratimin e saj edhe mund të mos ishte marrë.
Së treti, ishte Presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo llogaritet si fat, që Presidenti i parë u zgjodh një njeri i atij rangu. Siç tregon historia, shumë shtete jug-amerikane dhe afrikane e kanë filluar jetën e tyre me kushtetutë demokratike dhe pastaj kanë kaluar në diktaturë ushtarake. Uashingtoni u tregua udhëheqës mjaft i fortë dhe i rreptë për të mos lejuar prishjen e shtetit të ri. Ai nuk ishte ambicioz i sëmurë për të mbetur i përjetshëm në pushtet.Ai nuk donte të ishte as mbret e as diktator. Ndaj, ai krijoi parimin e dorëzimit të pushtetit, parim që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është në fuqi edhe sot.
Xhorxh Uashingtoni nuk dallohet për origjinalitetin e sinqeritetin që kanë patur lider të tjerë amerikanë, si: Tomas Xheferson, Xhejms Medison, Aleksandër Hamilton dhe Beniamin Frenklin. Pavarësisht nga kjo, ai mbetet si një nga figurat më të rëndësishme të atyre njerëzve të zgjuar, të cilët edhe në luftë, edhe në paqe kanë treguar aftësi të tilla, pa të cilat asnjë lëvizje politike nuk mund të kishte sukses. Merita, për shembull e Medisonit për themelimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e madhe, por merita e Uashingtonit është krejtësisht e pazëvendësueshme.

Vendi I Xhorxh Uashingtonit në këtë libër, në një masë të madhe varet nga roli historik që luajnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në botë. Është më se e vërtetë dhe e natyrshme që çdo amerikan bashkëkohës e ka të vështirë që të jetë objektiv.

Nga mesi i shekullit XX, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë fuqia më e madhe ushtarake në botë dhe me një ndikim më të fuqishëm politik se edhe Perandoira Romake kur ishte në kulmin e zhvillimit të saj. Megjithatë, ky ndikim politik mund të mos vazhdojë aq gjatë sa ç’vazhdoi Perandoria Romake. Nga ana tjetër, është më se e besueshme se disa arritje teknologjike të SHBA do të vlerësohen në të ardhmen shumë më tepër se sot. Krijimi i aeroplanit apo shkelja në Hënë, janë arritje që në epokat e kaluara as që mund të ëndërroheshin, ndërsa krijimi i armëve atomike, asnjëherë nuk do të vlerësohet si ngjarje e vogël.

Fakti, që Xhorxh Uashingtoni është figurë politike amerikane e cila ngjason pak a shumë me figurën e romkaut Oktavian Augustit, na detyron që në libër t’i vendosim pranë njëri-tjetrit. Uashingtoni është vendosur pak më poshtë, pasi periudha e pushtetit të tij është më e shkurtër dhe se merita për formimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë patur edhe njerëz të tjerë, si: Tomas Xheferson, Xhejms Medison etj.Nga ana tjetër, Uashingtoni qëndron më lart figurave të tipit të Aleksandrit të Madh dhe Napoleoni, pasi sukseset dhe arritjet e tij janë shumë më të qëndrueshme.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Karl Marks.