Bëhet shenjëzimi i rezervateve strikte të natyrës!

0
59

Duke marrë për bazë rëndësinë që kanë Rezervatet Strikte të natyrës për mbrojtën e vlerave natyrore, ekosistemeve të rralla dhe llojeve të veçanta të florës dhe faunës, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, konkretisht Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, gjatë vitin 2020, në kuadër të projektit për shenjëzimin e zonave të mbrojtura ka bërë shenjëzimin e Rezervatet Strikte, që janë pjesë e listës së zonave të mbrojtura në Kosovë.

Projekti është realizuar në rezervatet strikte që shtrihen në dy Parqet Kombëtare “Sharri” dhe “Bjeshkët e Nemuna”, si dhe në pjesë të tjera të territorit të Kosovës, përfshirë edhe pjesën veriore të vendit.

Projekti ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për rëndësinë që ka mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë natyrore përmes vendosjes së njoftimeve zyrtare në këto zona për publikun e gjerë dhe për vizitorët e turistwt.

Përndryshe Rezervatet Strikte të Natyrës janë zona të tokës ose ujit të pandryshuara ose shumë pak të ndryshuara dhe janë të dedikuar ekskluzivisht për ruajtjen e natyrës së paprekur, hulumtimeve shkencore të lëmisë biologjike, përcjelljen e gjendjes së natyrës si dhe arsimimit në rastet kur nuk errezikojnë zhvillimin e lirshëm të proceseve natyrore.

Bazuar në kriteret e Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës – IUCN-së, Rezervatet Strikte hyjnë në kategorinë e parë të mbrojtjes.

Rezervatet Strikte të shpallura në Kosovë, kanë vlera të shumta dhe çdo dëmtim i tyre mund të jetë i pakompenzueshëm. Prandaj, mbrojtja e tyre është shumë e nevojshme, sepse vlerat e tilla janë të rëndësishme jo vetëm për faktin se paraqesin bazën e informatave shkencore, por edhe për aspektet kulturore dhe historike.