Konstandini i Madh; Perandori i Parë i krishterë, që konsiderohet edhe krijues i Evropës

0
406

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 21tin me radhë e ka Konstandinin e Madh.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr XXI Konstandini i Madh
280-337

Kostandini i Madh është Perandori i parë kristian romak. Me pagëzimin që bëri dhe me masat e ndryshme që mori për nxitjen dhe përhapjen e kristianizmit, ai luajti rol të madh për shndërrimin e saj nga një sekt i persekutuar në një fe mbizotëruese në Evropë.

Kostandini u lind rreth vitit 280 në qytetin Naisus (sot Nishi). I ati ishte oficer i lartë, ndaj Konstandini rininë e vet e kaloi në Nikodemi, vendi ku ndodhej oborri i perandorit Dioklecian.

Dioklecian u largua nga froni në vitin 305. Babai i Kostandinit, Konstanci, mori pushtetin e pjesës perëndimore të Perandorisë Romake. Një vit pas vdekjes së Kostancit, si perandor i kësaj pjese u zgjodh Konstandini. Meqenëse, një pjesë e ushtrisë nuk e donte atë, shpërthyen një varg luftërash civile, që mbaruan në vitn 312 me betejën që u zhvillua pranë Tiberit, në afërsi të Romës. Kështu, Konstandini fitoi edhe ndaj kundërshtarit të fundit, Maksencij, duke u bërë zot absolut i tërë pjesës perëndimore të Perandorisë. Pastaj, ai filloi luftën kundër Laicinit, që udhëhiqte pjesën lindore të Perandorisë. Duke e mundur edhe atë, ai u bë zot absolut i tërë Perandorisë Romake.

Nuk dihet me saktësi se kur u pagëzua Konstandini. E dhëna më e përhapur është kjo: “Në mbrëmjen para se të fillonte beteja e Tiberit, Konstandini kishte parë në qiell një kryq të zjarrtë të shoqëruar me fjalët: “Me këtë shenjë do të fitosh!”. Pavarësisht se si dhe ku u pagëzua, pas kësaj, Konstandini iu përkushtua me gjithë shpirt përhapjes së kristianizmit. Një nga hapat e tij të parë në këtë aspekt është Verdikti i Milanit, me anën e të cilit ligjëroi zyrtarisht kristianizmin si fe të lirë. Verdikti udhëzonte që pronat e konfiskuara më parë, gjatë persekutimeve,t’i ktheheshin kishës dhe përcaktonte ditën e diel si ditën e lutjeve.
Pas Verdiktit të Milanit nuk qëndronte të kuptuarit e durimit fetar. Përkundrazi, gjatë pushtetit të Konstandinit zotëronte parimi zyrtar për persekutimin e hebrenjve, parim që vazhdoi edhe shumë shekuj më vonë në Evropën kristiane.

Konstandini nuk e solli kristianizmin si fe zyrtare shtetërore. Megjithatë, me ligjet dhe masat e tjera që mori, bëri shumë për përhapjen e saj. Në kohën e tij ishte e dukshme, që pranimi i fesë kristiane të jepte mundësi për t’u ngjitur në sferat e larta shtetërore. Dekretet e tij i jepnin kishës të drejta fuqiplota. Në kohën e Konstandinit filluan të ndërtoheshin kishat më të njohura në botë, si ajo e “Kërshëndellave” në Vitlem dhe “Varri i Zotit”në Jerusalem.

Duke qenë Perandori i parë kristian në Romë, Konstandini e meriton vendin në këtë libër. Megjithatë, edhe veprimtarë e tjera të tij kanë qenë me largpamësi. Ai rindërtoi dhe zgjeroi qytetin e vjetër Bizant, ia vuri emrin Kostandinopol dhe e bëri kryeqytet të tij. Konstandinopoli (sot Stambolli) u zhvillua shumë dhe u bë një nga qytet më të mëdha të botës; u bë kryeqytet i Perandorisë Romake Lindore dhe pas kësaj, për shekuj me radhë mbeti kryeqyteti i Perandorisë Osmane. Veç të tjerash, Kostandini ka luajtur rol të rëndësishëm edhe në punët e brendshme të kishës.Duke mbledhur kuvendin e parë Nikejan (viti 325) ai zgjidhi konfliktin midis Arijt dhe Atanasit( të dy të krishterë, por që predikonin doktrina të kundërta).Në këtë kuvend, ku Kostandini mori pjesë aktive, u miratua i ashtuquajturi Simbol i fesë, që hyri në shërbimin fetar ortodoks.
Rëndësi të veçantë kanë edhe disa ligje, që u vunë në kohën e tij. Ai mori masa ligjore për disa profesione, që ishin shpallur si të trashëguara (për shembull:kasapëria, furrtaria etj.); nxori dekretin me anën e së cilës ndalonte kolonët (punëtorë të pajtuar të bujqësisë), që të linin tokën që punonin, Në gjuhën bashkëkohore kjo do të thotë, se kolonët ishin shndërruar në forca të lidhur gjithnjë me tokën. Këto, bashkë me ligje të tjera sollën vendosjen e bazave të strukturës së përgjithshme shtetërore në Evropën mesjetare.

Konstandini u pajtua me idenë e pagëzimit, kur u ndodh në shtratin e vdekjes, por është e qartë, se kristianizmi këtë ide e kishte pranuar shumë kohë më parë. Gjithashtu, është e qartë, se thelbi shpirtëror i fesë kristiane tek ai nuk ekzistonte. Ai ishte i ashpër dhe i rëndë dhe jo vetëm me kundërshtarët. Nga shkaqe të panjohura, me urdhrin e tij, në vitin 326 janë vrarë e shoqja dhe i biri.
Mund të thuhet, që me miratimin e kristianizmit, Konstandini në thelb nuk e ndryshoi rrugën e historisë, por vetëm njohu të pashmangshmen. Perandori Dioklecian (284-305), që i persekutoi mizorisht të krishterët, nuk arriti të shtypë fenë e tyre. Në atë kohë, kristianizmi ishte aq i fuqishëm, sa që as me masat më të rrepta nuk mund të shkatërrohej. Në qoftë se analizohen dështimet e të gjitha përpjekjeve të Dioklecianit për ta çrrënjosur kristianizmin, mund të pranohet përfundimi se në fund të fundit ajo fe do të mbizotëronte edhe pa ndërhyrjen e Kostandinit.

Interesante janë edhe shumë të dhëna të ngjashme, por të pasigurta dhe që nuk të shpien asgjëkundi. Është e vështirë të arrish në përfundimin e plotë, se ç’mund të ndodhte po të mos ekzistonte Kostandini. Megjithatë, është më se e qartë, se ndihmesa e tij për përhapjen e fesë kristiane ishte e madhe. Ajo u përhap shpejt, numri i ithtarëve të saj u rrit shumë dhe ndikimi i saj u bë i jashtëzakonshëm. Nga një fe e vogël e parëndësishme, për 100 vjet, kristianizmi u shndërrua në një kult, që përfshiu perandorinë më të madhe të botës.

S’ka dyshim, që për të gjitha këto, Kostandini mbetet një ndër figurat më të mëdha në historinë evropiane. Ndikimi dhe veprimtaria e qëndrueshme e tij më detyron që ta vendos në libër edhe përpara personaliteteve të tilla të njohura, si: Aleksandri i Madh, Napoleoni apo Hitleri.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.
Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.
Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Xhejms Vat.