Komuna e Prizrenit lanson ueb-faqen e re të turizmit

0
71

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, sot së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Sevil Kazaz, kanë bërë lansimin e “Ueb-faqes së Turizmit për Komunën e Prizrenit” : https://visit-prizren.com/.

Në këtë ueb faqe mund të gjenden videot përshkruese të qytetit, informatat e hollësishme rreth arritjes në Prizren, broshura informuese, harta të monumenteve kulturore e historike, evente, destinacione dhe oferta turistike, e shumë fusha të tjera që lidhen me zhvillimin e  turizmit.

Në një fjalë rasti kryetari Haskuka deklaroi se turizmi është një ndër sektorët më të prekur nga pandemia COVID-19, por theksoi se kjo periudhë e krizës mund të shfrytëzohet për t’i adresuar nevojat e këtij sektori.

“Sipas analizës që është bërë në kuadër të strategjisë së turizmit në Komunën e Prizrenit, një nga nevojat e sektorit të turizmit ishte qasja në informata, e cila do të plotësohet nga kjo ueb-faqe. Gjatë kohës së pandemisë turizmi i brendshëm po e merr primatin, për këtë arsye ne shpresojmë që kjo ueb-faqe po ashtu do të ndikojë në ngritjen e vizitave nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe nga vendet e rajonit”.

Duke theksuar se pandemia ka shkaktuar dëme të mëdha në fushën e turizmit, Haskuka shtoi se puna e Komunës së Prizrenit në këtë sektor nuk do të ndalet, ngase në periudhë afatgjate turizmi është një ndër sektorët e ekonomisë që krijon më së shumti vende të reja pune.