Unaza në kthetrat e Shkabës

0
115

20 shkurt 2006 /TN

Ismail KADARE
Paris (Francë), Mars 2000, drejtuar Këshillit të Evropës

Është e qartë për gjithkënd se stabiliteti në gadishullin ballkanik varet nga dy faktorë kryesorë: e para, nga vetë popujt e Ballkanit, e dyta, nga Evropa (më saktë Evropa atlantike). As mendësia marksiste që ekzalton vetëm rolin e popujve në zgjidhjen e fatit të tyre, as mendësia kolonialiste, që bën të kundërtën, nuk funksionojnë sot, sidomos në Ballkan.

Ky gadishull, së shumti, mund të konsiderohet pjesë e shtëpisë evropiane, më së paku, oborri i kësaj shtëpie. Edhe në rastin e fundit, pra edhe si oborr, ai duhet marrë seriozisht, ashtu siç merren seriozisht qetësia e rregulli i oborrit, në qoftë se shtëpia e kërkon për vete atë. Kur fati i diçkaje varet nga dy palë, mirëkuptimi ose moskuptimi i të dyja palëve kthehet në faktor bazë për ecjen e gjërave.

Është bërë zakon të thuhet se Ballkani nuk kuptohet nga Evropa. E thonë këtë evropianët, por e thonë sidomos vetë ballkanasit. Në këtë pohim të këtyre të fundit ka një fije dëshpërimi, por më shumë se dëshpërim ka koketëri, trill, madje, mendjemadhësi të fshehur. (Ne jemi të çuditshëm, enigmatikë, askush s’na e merr vesh dot kokën).

Në të vërtetë, planeti ynë është dhe s’ka si të jetë veçse një pazar moskuptimesh midis zonave të ndryshme, grumbujve të popujve e shpesh midis popujve fqinjë. Kërkesa për një mirëkuptim total është një kërkesë naive, në atë masë që vajtimi për një moskuptim total është i tepruar.

Mospërputhjet e orarit midis Evropës dhe Ballkanit nuk kanë në bazë kurrfarë enigme apo fataliteti. Ato janë rrjedhojë e një fakti të thjeshtë e tragjik: kjo gjymtyrë e Evropës iu shkëput asaj për një periudhë pesëqindvjeçare. Përpjekja e gadishullit për kthim te kontinenti mëmë nuk mund të ishte pa dramacitet. Te popujt ballkanas e kaukazianë tregojnë legjendën e shqiponjës të zënë rob, e cila arrin t’i shpëtojë robërisë e të kthehet prapë te familja e saj. Mirëpo robëruesi i ka vënë shqiponjës një unazë në kthetra.

Është kjo shenjë që e bën shpendin e arratisur të huaj për racën e vet. Familja nuk e pranon më shpendin e kthyer. Popujt ballkanas qëndrojnë përpara portave të Evropës pa mundur ta fshehin dot shenjën që u ka lënë në trup e në ndërgjegje perandoria otomane.

Ata kanë nostalgji për Evropën, por bashkë me nostalgjinë ndiejnë nervozizëm e zemërim. Nervozizëm për fajet e tyre, që s’duan t’i pranojnë, zemërim për harresën e gjatë të nënës kontinentale: Evropës. Evropa, gjithashtu, për një kohë të gjatë i është shmangur përgjegjësisë së saj. Një vargor moskuptimesh kanë shoqëruar marrëdhëniet me gadishullin në shekullin XX.

Popujt e Ballkanit nuk janë tribu që grinden për gjëra pa kuptim, siç kanë menduar për një kohë të gjatë shumë zyrtarë evropianë. E, natyrisht, grindjet e tyre nuk e kanë patur atë kuptim të lartë e heroik, siç kanë dashur t’i jepnin vetë ballkanasit. E vërteta qëndron midis të dyjave.

Në këtë pikë jemi të detyruar të shikojmë qoftë edhe fare shkurt atë periudhë 500-vjeçare, kur popujt e Ballkanit nga njëra anë dhe Perandoria Otomane nga ana tjetër sajuan bashkarisht një nga mashtrimet më të mëdha historike të historisë së vonshme të njerëzimit. Kohët e fundit është bërë zakon të shfaqet një farë përçmimi, njëfarë ndjenje ngopjeje, madje një farë tmerri sapo përmendet historia e ballkanasve. Mendoj se ky është një nga keqkuptimet e rënda të gjërave. Është pak a shumë e njëjta gjë sikur neveria për një krim, në vend që të na shtyjë ta hapim për ta shqyrtuar dosjen e krimit, të bëjë të kundërtën: të na shtyjë ta mbyllim.

Historia e rreme e ballkanasve është një nga mjegullat që nuk lejon njohjen e tyre, rrjedhimisht ndihmon kaosin ballkanik. Kjo mjegull historie ka qenë aleatja më e mirë e kastave shoviniste ballkanike, e nacionalizmave të egra, e doktrinave monstruoze, për të mos pranuar, për të shtypur, për të gjymtuar, mundësisht për të zhdukur “tjetrin”.

Shpërndarja e kësaj mjegulle do t’i linte këto kasta kriminale pa veshje maskimi, pa psikoza ndihmëse dhe pa alibi. Pa u zgjatur në këtë çështje, mund të thuhet shkurtimisht se otomanët, nga njëra anë, dhe ballkanasit nga ana tjetër, krijuan dy motërzime të historisë, të dyja të kundërta e fare pak të besueshme. As versioni otoman, sipas të cilit, perandoria i zbuti dhe i kultivoi ballkanasit kokëfortë, e as versioni i këtyre të fundit, sipas të cilit ata paraqiten si popuj martirë, që veç vringëllonin shpatat kundër pushtuesit, nuk i qëndrojnë të vërtetës.

Një version i tretë na e jep atë çka ndodhur. Është e vërtetë se popujt e Ballkanit i bënë qëndresë perandorisë, por po aq e vërtetë është se ata u bënë pjesë e perandorisë, pra pjestarë në trofetë, në bëmat dhe në krimet e saj. Perandoria Otomane, një nga strukturat ushtarako-shtetërore nga më të plotat që ka njohur historia nuk mund të kuptohet pa popujt e Ballkanit dhe të Kaukazit. Ata, më shumë ndoshta se vetë turqit, me të cilët gabimisht identifikohet shpesh kjo perandori, ushqyen me energji e vunë në lëvizje mekanizmat e këtij shteti kolosal.

Në shekujt XIX e XX, kur popujt e Ballkanit njëri pas tjetrit po shkëputeshin nga perandoria, kur erdhi, pra, ora e kujtimeve, secili nga këta popuj nisi të harronte atë pjesë të historisë që quhej “e turpshme”, domethënë bashkëpunimin, dhe të kujtonte veç pjesën “heroike”, atë të rebelimeve. Një mal spekulimesh u krijua me këtë rast. Për kastat shoviniste ballkanase ishte shumë e lehtë krijimi i psikozave për të monopolizuar “heroizmin ballkanas” e për t’u lënë kundërshtarëve të tyre “turpin ballkanas”. Mashtrimi historik u bë kështu bazë e gjithë nacionalizmave në Ballkan.

Fshehja e së vërtetës, e nisur në fillim si një dredhi e lejueshme lufte në emër të mbrojtjes së interesave të kombit, me kalimin e kohës u kthye në psikozë të rëndë kundër të tjerëve. Sa më tepër që kalonin vitet, psikoza nacionaliste, të ngurtësuara nëpërmjet shkollës dhe edukimit, nga brezi në brez u bënë më të helmuara. U harrua zanafilla e tyre si dredhi lufte ose dredhi e tregut (dredhi e lejueshme, për të fituar ca fusha ose ca kullota më shumë) dhe ato u zëvendësuan nga një bindje dhe një vethipnotizim, se popujt e tjerë nuk duhej të kishin të drejta normale.

Nga kjo, tek ideja e krimit kundër të tjerëve, tek ideja e mbrapshtë për të shpërngulur, djegur e masakruar të tjerët, nuk kishte veçse një hap. Për fatin e tyre të keq dhe për turpin e tyre, një pjesë e ballkanasve e kapërcyen atë kufi. Idetë nacionaliste, të mbështetura tani nga administratat, policitë, akademitë, pollën doktrina të egra e çnjerëzore, që mund të krahasoheshin me modelet më të këqija që kishte pjellë njerëzimi.

Në këtë pikë duhet patur kurajua për të pranuar se ballkanasit, ata që ankoheshin me të drejtë se kishin qenë për pesë shekuj viktima të një perandorie të errët e të prapambetur, u bënë ata vetë më të errët e më të prapambetur se kjo perandori. Kur Evropa atlantike vendosi të ndërhyjë në Kosovë për të ndaluar krimin shtetëror, në atë që quhet “elitë kulturore”, pati zëra që e kundërshtuan ndërhyrjen.

Zakonisht, ka qenë kultura ajo që i kritikonte shtetet kur hezitonin të ndërhynin për arsye morale. Ishte, me sa duket, hera e parë në historinë e Evropës e të njerëzimit që 19 kancelaritë e shteteve evropiane kryen në mënyrë unanime një aksion ushtarak, në emër të mbrojtjes të të drejtave të njeriut. Mëdyshja e njerëzve të kulturës përballë këtij unanimiteti të kancelarive jep përshtypjen sikur kanë ndërruar vendet: kancelaritë kanë zënë vendin e kulturës dhe kultura atë të kancelarive.

Konflikti ballkanik, ashtu siç nxiti nga njëra anë, një veprim të tipit të ri, që i bën nder Evropës, ashtu nga ana tjetër, zbuloi njolla të errëta në zgafellat e ndërgjegjes së saj. Çrrënjosja e krimit, si veprim dhe si ide bëhet kështu edhe më e ngutshme, qoftë në gadishullin ballkanik që e nxori krimin në dritë, qoftë në hapësirën europiane që mbante të fshehtë në qilaret e saj. Nga ky pikëshikim mund të thuhet se evropianët, duke qenë të pranishëm në dramën e sotme ballkanase, krahas vendosjes së rendit në Ballkan, kanë rastin që, ashtu siç thoshte Aristoteli për spektatorët e moçëm të theatrit antik, të “spastrojnë veten nëpërmjet mëshirës dhe frikës”.

2.
Roli aktiv i bashkësisë ndërkombëtare në Ballkan është jo vetëm i domosdoshëm, por edhe e vetmja zgjidhje e mundshme për shmangien e një tragjedie vrasëse e vetëvrasëse me përmasa kolosale. Sot për sot, një pjesë e ballkanasve nuk janë të aftë të zgjidhin disa nga çështjet e tyre themelore.

Gabimet dhe fajet e tyre, jo vetëm nuk i lënë të zhvillohen këto vende normalisht, por i çojnë pashmangësisht drejt një konflikti të armatosur. Ndaj “evropianizimi i Ballkanit” ndonëse tingëllon si një formulë iluministe, e kapërcen dukshëm atë dhe kthehet në faktor vendimtar për vendosjen e paqes në gadishull dhe në Evropë. Ky “evropianizim” s’mund të kryhet pa veprime që disa herë mund të ngjajnë arbitrare, madje brutale, siç ka qenë ndërhyrja e armatosur në Bosnjë dhe në Kosovë.

Ajo elitë politike e kulturore ballkanase, që afishohet tepër e fyer në ndjenjat e saj kombëtare nga ndërhyrja arbitrare evropiane, me atë kinse fyerje nuk fsheh veçse natyrën e saj perverse dhe dëshirën për destabilizim të përhershëm në gadishull. Destabilizimi u volit strukturave mafioze e shoviniste, në shërbim të të cilave elita ballkanase ka kohë që është vënë me shumë zell.

Prandaj, i parë nga ky këndvështrim, “patriotizmi ndërballkanik” e meriton në këtë rast maksimën amerikane që e cilëson si “streha e fundit ku kërkon të fshihet çdo horr”. Ballkanasit, ndërsa nuk e meritojnë përbuzjen evropiane, meritojnë ndërkaq arbitrazhin evropian. Nga ana evropiane mbrojtësit e doktrinës së mosndërhyrjes, përherë e më me vështirësi e mbulojnë përçmimin e vjetër kolonialist.

Duke treguar një nderim të tepruar për qeveritë e këtyre shteteve, ata dëshmojnë në të vërtetë përbuzjen për fatin e popujve që jetojnë nën këto qeveri. Duke njohur tërë vështirësitë që lejon mundësia e ndryshimit të kufijve në kohën e tanishme, duke pritur, në qoftë se është e domosdoshme, kohë më të qeta e më të emancipuara, për aplikimin e parimit të madh të vetvendosjes së popujve, Evropa nuk duhet gjithsesi, në mënyrë arrogante të përpiqet të varrosë këtë ide shpëtuese. Ajo është e vetmja ide ndërtuese, që na lejon të shohim dritën e daljes nga tuneli.

Mbyllja e kësaj drite është baraz me provokacionin më të rëndë që mund t’i bëhet një populli: dekretin për heqjen e të drejtës së lirisë. Asnjë popull në botë nuk mund ta pranojë këtë, e aq më pak një popull në Evropë. Pranimi i idesë së lirisë vetëvendosëse, përgatitja me durim e mençuri e saj, do të jenë një lehtësim i madh në ndërgjegjen e popujve të Ballkanit.

Pa këtë lehtësim janë të pamundura hapat drejt uljes së tensionit e drejt paqes. Një ide e tillë kërkon pa dyshim luftën pa mëshirë të çdo lloj nacionalizmi. Për fat të keq, dalja e popujve të Ballkanit prej tutelës së dy perandorive: otomane dhe habsburgase pati si shoqërues, frymëzues dhe si çimentim të unitetit kombëtar pikërisht nacionalizmin. Shpesh herë ai u përzie e u bë njësh me patriotizmin, me idealizmin heroik, madje me idenë e emancipimit shoqëror.

Ai u fut kaq thellë në kulturën politike e në krejt kulturën ballkanase saqë sot, për ta shkulur është e domosdoshme të gërryhen thellë shtresimet e tij që kanë zënë vend njëra sipër tjetrës, ashtu si suvatë e mureve të vjetër. E keqja është se kjo gërryerje në qoftë se bëhet jo në vendet e duhura, domethënë jo atje ku ajo ekziston vërtet, mund të prekë ngrehën e një kombi, duke rrezikuar shembje të tjera, pas të cilave mund të kemi katastrofa që nuk i sjellin asgjë të mirë, as paqes, as stabilitetit në Ballkan. Rreziku i luftës kundër nacionalizmit në mënyrë globale, sipas klisheve që aplikohen verbazi, pa shqyrtuar karakteristikat dhe rrethanat e çdo vendi, mund të çojë në përfundime të kundërta me qëllimin e këtij aksioni. Për ta ilustruar këtë me një shembull të thjeshtë, le të kujtojmë ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri, kur ndërtesa e shtetit shqiptar u shemb.

Ndërsa shoqëria dhe gjithë institucionet shtetërore po tronditeshin si pasojë e zhgënjimit postkomunist, në kohën që humbja e shpresës e dëshpërimi e kapluan tërë popullin shqiptar, duke e shtyrë drejt rrënimit të çdo vlere morale, një propagandë e verbër, brenda dhe jashtë Shqipërisë, në vend ta shuante i hidhte benzinë zjarrit të rrënimit.

Shqiptarët akuzoheshin për nacionalizëm dhe glorifikim të vlerave kombëtare, në kohën që ata, të sëmurë kolektivisht prej një kozmopolitizmi agresiv, pikërisht këto vlera po i shkelnin me këmbë në mënyrën më barbare. Ata ishin në gjendjen e një të sëmuri që po kurohej në mënyrë të mbrapshtë me barna të kundërindikuara. Ky keqkuptim tragjik përfundoi me shembjen e vetë shtetit shqiptar, gjë që krijoi probleme të rënda për gjithë rajonin (emigrim masiv, armata klandestinësh, trafik njerëzish etj.).

Ndërsa në rastin e Serbisë dhe në një shkallë më të vogël të Greqisë, ishte e nevojshme një ndërhyrje kulturore evropiane për të ulur ethet e nacionalizmit agresiv, në rastin e Shqipërisë duhej bërë e kundërta: një ndërhyrje kulturore për rivendosje të vlerave, gjë që do të sillte një inkurajim dhe një farë shprese që ky popull të kuptonte se jetën duhej ta ndërtonte në atdheun e vet e jo në troje të të tjerëve.

Ky dallim në këtë rast, midis prirjes nacionaliste dhe vetëglorifikimit të dy fqinjëve të Shqipërisë, dhe prirjes kozmopolite e anarkike të kësaj të fundit nuk e vë popullin shqiptar kurrsesi në një skajim të favorshëm. Rrënimi anarkik nuk e nderon asnjë popull dhe historia shpesh ka treguar se mohimi i atdheut nga njëra anë, ose glorifikimi i sëmurë i tij, nuk janë veçse dy anë të një medaljeje, të tillë që lehtësisht mund të këmbehen me njëra-tjetrën.

3.
Raporti me krimin është testi themelor për çdo qytetërim. Meqenëse koncepti i krimit është mjaft i gjerë e i larmishëm, gjerësi dhe larmi që ia ka dhënë vetë historia e njerëzimit, e cila tani për tani nuk mund as të shpjegohet e as të kuptohet pa të, duhet të nënvizojmë se është fjala këtu për krimin e mirëfilltë, atë që qëndron në bazë të piramidës:

krimin që derdh gjakun njerëzor. Grekët e vjetër ishin shumë të qartë kur e veçonin këtë krim nga gjithë të tjerët. Dymijë e pesëqind vjet më parë në “Orestian” e tij Eskili e ka përcaktuar si gjëmën më të palejueshme: daljen e gjakut njerëzor prej dejeve të njeriut, atë dalje pa kthim e pa riparim. Vrasje e njeriut prej njeriut për ta ngrënë. Vrasje për t’i marrë ushqimin.

Për t’i marrë kullotën, shtëpinë, gruan, tokën. Vrasje për zhdukjen e krejt një race, një populli. Në prag të mijëvjeçarit të tretë, pavarësisht nga stërhollimi i racës njerëzore, të gjitha krimet bazike, (me përjashtim të kanibalizmit) janë në veprim. E vetmja zbutje tani për tani është përpjekja serioze e një grumbulli shtetesh në kontinentin europian e atë amerikan, për ta nxjerrë krimin e mirëfilltë, së paku atë që varet nga makina shtetërore, nga praktika njerëzore.

Në kontinentin evropian kjo përpjekje u kundërshtua e u sfidua haptas nga një pjesë e gadishullit ballkanik, kryesisht nga regjimi serb. Dënimi i këtij regjimi e i krerëve të tij si kriminelë nga kancelaritë euro-atlantike ka qenë një akt i madh emancipimi. Mbrojtja e tij e drejtpërdrejt ose e tërthortë prej një shtrese intelektualësh e politikanësh, dëshmoi më qartë se kurrë se krimi mizor e vulgar në planetin tonë ka qenë mbështetur nga mendimi kriminal.

Shkulja e krimit të mirëfilltë në Ballkan e, krahas tij, goditja pa kompromis e mendimit kriminal në Evropë e në botë, janë veprime që kërkojnë ngut. Shkulja e krimit fillon nga dënimi i tij. Dënimi i krimit fillon nga goditja e burimeve të tij. Shërimi prej nacionalizmit të sëmurë nuk është i pamundur në Ballkan. Një nismë e UNESKO-s për rishikimin e historisë së Ballkanit ka qenë një ide e mirë, por ajo ka mbetur e vetmuar e pa vazhdim. Procesi emancipues, që do t’i shtyjë popujt ballkanas drejt njohjes së vetvetes, është tepër i rëndësishëm. Të njohësh peshën dhe rëndësinë tënde të vërtetë, të njohësh peshën dhe rëndësinë e fqinjit tënd, të çlirohesh nga fantazmat, të çlirosh ndërgjegjen nga rëndesa e kotë, nga helmi revanshist, nga ëndrra të marra e pa kuptim është fillimi i vërtetë i emancipimit.

Nga një pikëshikim i veçantë mund të thuhet se drama e Serbisë së sotme ka ardhur ngaqë ky vend i vogël i dha vetes së vet një rëndësi që gjithsesi nuk e kishte, qoftë nga ana fizike, qoftë shpirtërore. Për të kryer këtë dhunim të realitetit objektiv, Serbia krijoi e vuri në veprim makinën e urrejtjes kundër popujve të tjerë. Pas urrejtjes, dihet ç’vjen: agresioni dhe krimet. Është provuar tashmë nga historia se hapësirat greke, shqiptare, serbe, bullgare etj. mund të jetojnë natyrshëm përbri njëra-tjetrës.

Ky nuk është një urim moralizant, por përfundim i një përvoje pesëshekullore, kur ata jetuan e u mbajtën në këmbë pikërisht ngaqë u ndodhën përbri njëri-tjetrit në kushte tejet tragjike. Prishja e kësaj tabloje, ideja e mbrapshtë se për të jetuar vetë më mirë, disa nga popujt duhet të shtypin, mundësisht të zhdukin popuj të tjerë, është në bazën e dramës ballkanase sot. Rivendosja e drejtpeshimit shekullor është fillim i daljes nga drama.

Për t’i ndihmuar ballkanasit Evropa atlantike duhet t’i ketë vetë të qarta disa gjëra bazike. Moskuptimi për një kohë të gjatë nga Evropa i konfliktit midis shqiptarëve dhe serbëve (konflikt kryesor, pa zgjidhjen e të cilit nuk mund të ketë paqe në Ballkan) ka ndodhur edhe për një arsye të thjeshtë, por themelore: njohja e gabuar e peshës dhe e rëndësisë së dy popujve. Nën një trysni shurdhuese propagandistike të bërë kryesisht nga Beogradi, në opinionin publik, madje edhe në zyrat europiane u krijua klisheja e konfliktit midis dy popujve me peshë krejtësisht të pabarabartë:

Serbia si vend i madh, vend kryesor, rrjedhimisht me të drejtën për të vendosur rend, Shqipëria e kundërta: vend i vogël, popull i vogël, problematik, rrjedhimisht i shenjuar për t’u mbajtur në përgjim. Kjo tablo e dhunshme, ky hipnotizim kërkonte të përjetësonte një gjendje absurde, të krijuar nga një vendim absurd, që kishte vendosur ndarjen e një vendi në mbarim të Luftës së Parë Botërore. Natyrisht, ishte e lehtë të zvogëloje gjer në kockë kufijtë e një vendi, por ç’duhej bërë me popullin shqiptar? Ishte pikërisht ai, populli shqiptar, që iu mbeti nëpër këmbë zyrave europiane. Ishte ai që kërkonte korrigjimin e tablosë.

Ishte kjo arsyeja që, kur ai u shpall praktikisht “popull i ndaluar” Evropa nuk u shqetësua fort ngaqë ky popull ishte vërtet i besdishëm, si çdo qenie e pastrehë. Gabimi bazik evropian duhej të qortohej pikërisht në këtë pikë themelore: dy popujt nuk ishin me pesha të ndryshme, por ishin pothuajse të barabartë qoftë nga ana fizike, si numër, qoftë nga ana kulturore. Ka qenë vërtet kaq e panjohur kjo e vërtetë? Për publikun e gjërë po, por është pak e besueshme për specialistët.

Një shfletim sado i përciptë i historisë do të jepte të dhëna të tjera për statusin e dy popujve në konflikt. Në shekullin XVII, kur otomanët, pasi e kuptuan se nuk mund të sulmonin Evropën pa ndihmën e ballkanasve, ata vendosën ta joshin gadishullin, duke i dhënë postin e kryeministrit të perandorisë, vezirit të madh. Ky post për gati një shekull, në formë dinastie iu dha shqiptarëve. Në atë kohë ata konsideroheshin dhe, me sa dukej ishin, një ndër popujt kryesorë në Ballkan, i tillë që mund të përfaqësonte gadishullin. Me kalimin e kohës, ky popull e humbi peshën dhe rëndësinë.

Megjithatë, mbeti trupi i tij dhe natyrisht ato që ballkanasit nuk i humbasin kurrë: kujtimet historike.

Kur, në kushte krejtësisht të reja, shqiptarë e serbë rifilluan konfliktin e lashtë, shtypja e tyre prej serbëve nuk mund të ishte veçse një revansh, për fyerjen e gjatë e të padrejtë, që populli serb kishte pësuar nën Perandorinë Osmane. Ky revansh nuk mund të ishte veçse i përkohshëm. Në këtë botë mund të ndodhin gjithfarë gjëmash, por është vështirë të besohet që një popull ballkanas mund të thyhet nga një tjetër popull ballkanas. Kur popujt e gadishullit të bëhen të ndërgjegjshëm për këtë të vërtetë, kur ata të kuptojnë se i vetmi shans për ta është e kundërta e konfliktit, ata do të vihen vërtet në rrugën e shpresës.

4.
Është normale të thuhet sot se Ballkani ka nevojë për Evropën. Ndërkaq pyetja tjetër: a ka nevojë dikush për Ballkanin, ose, më mirë, a mund t’i hyjë në punë Ballkani Evropës, bëhet rrallë. Kjo pyetje ka gjasë të shoqërohet me buzëqeshje ironike dhe me mendimin: kush mund të jetë i interesuar të fusë djallin në shtëpi?

Nga dy perandoritë e fundit, që patën punë me ballkanasit: ajo e Habsburgëve dhe ajo e otomanëve, ishte kjo e dyta që, siç u tha më lart, e kapi qysh në krye faktorin ballkanas, si faktor vital për risimin e saj. Në këtë ide novatore e çoi logjika ushtarake.

Duke qenë për më shumë se dy shekuj shumë më të përparuar se Evropa nga pikëpamja ushtarake, otomanët erdhën natyrshëm te shfrytëzimi i minierës së pashtershme ballkanase, ajo që do t’i furnizonte me oficerë, gjeneralë, me shpirt aventuroz, ambicie dhe marrëzi. Habsburgët aristokratë as që mund ta duronin idenë që në elitën e tyre ushtarake, që plakej çdo ditë, të futnin këtë magmë të nxehtë e të rrezikshme.

Ndërkaq, maksima se Ballkani fillon nën Vjenë, ndonëse e thënë me shpoti nëpër sallonet e Evropës, përmbante në vetvete një realitet, një ngacmim mondan, një qortim dhe pse jo, një sugjerim që nuk u mor kurrë parasysh. Ideja e kundërt, që Evropa të shfrytëzonte Ballkanin si fer de lance kundër Perandorisë Otomane ka qenë gjithashtu e njohur dhe e vjetër. Projekte kryqëzatash të kryesuara nga papë, nga prijës heronj ose aventurierë u braktisën njëra pas tjetrës. Shkak për këtë ishte, me sa dukej, mosnjohja e thelbit të marrëdhënieve Ballkan-Perandori.

Ato, siç u tha në krye të këtij shkrimi, duke mos qenë konformiste nuk ishin megjithatë aq heroike, siç mendohej. Dy luftërat ballkanike kundër turqve në fillim të shekullit tonë, nuk ishin veçse karikatura e një premtimi të gjatë, nga ato për të cilat thuhet “u mbars mali e polli një mi”. Në krahasim me përplasjet e vjetra pak a shumë epike, këto dy luftëra përmbyllëse s’ishin veçse një razzia cubash për të plaçkitur një kalë të rrëzuar tashmë.

Sado e habitshme të duket, marrëdhëniet Evropë-Ballkan sot, duam apo nuk duam ne, përsëritin diçka nga kjo lojë e vjetër pasqyrash. Idenë e vjetër otomane për t’i përdorur brigjet shqiptare kundër Evropës e trashëguan sovjetikët, madje, pikërisht në bazën e vjetër ushtarake turke të Vlorës (që dikur kishte qenë romake), u bënë gati të vendosnin raketat e tyre me mbushje bërthamore. Sot, me sa duket, Perëndimi do të bëjë të njëjtën gjë.

Ballkani është gjithmonë tokë që rrezikon, herë nga Perëndimi, herë nga Lindja. Ndaj, kur flitet për të nuk duhet harruar asnjë herë ndarja e fajit: çfarë i përket gadishullit, çfarë i përket kontinentit. Na pëlqen apo s’na pëlqen, në politikën e Evropës ndaj Ballkanit do të ketë patjetër rikujtime të vjetra, qoftë romake-bizantine, qoftë otomano-habsburgase.

Nga gjithë ky realitet mijëvjeçar ka mbetur ende ideja e paluajtshme, ajo e arbitrazhit. Arbitrazhi evroatlantik, megjithë mungesat që mund të ketë një arbitrazh nuk është fyes, përkundrazi është shpëtimtar për rajonin. Fakti që ai është arbitrazhi i vendeve më të përparuara demokratike të kohës i jep legjitimitet përpara këtyre popujve të lodhur, me fat kaq të ashpër, që quhen ballkanas.

Për të ushtruar ndikimin e saj, për ta bërë Ballkanin zonë pozitive, që mund ta furnizojë kontinentin jo vetëm me pasuri e plazhe, që ai i ka si rrallëkush, por edhe me energji njerëzore e kulturore, Evropa duhet të çlirohet nga paragjykimet e fundit, që ende ia errësojnë pamjen. Ajo duhet të pranojë se në gadishull janë krijuar realitete të reja, që më parë as që mund të mendoheshin. Për të parë sa të thella janë ndryshimet mjafton shembulli i dy vendeve me konflikt shekullor: Shqipërisë dhe Jugosllavisë.

Shqipëria e gjerdjeshme: e izoluar, e çmendur, staliniste, antiperëndimore është kthyer në një nga zonat më proevropiane të rajonit. Jugosllavia e gjerdjeshme, e hapur, properëndimore, liberale ose më saktë kinseliberale ka bërë të kundërtën: është kthyer në vend të mbyllur, stalinist. Dy armiqtë e vjetër kanë ndërruar kështu vendet. Askush nuk mund të jetë i verbër përpara kësaj. Popujt e Ballkanit gjatë historisë së tyre të gjatë kanë krijuar një drejtpeshim fizik dhe shpirtëror përbri njëri-tjetrit.

Në shekullin XX, për shkak të keqkuptimeve politike tragjike ky drejtpeshim u prish. Përpjekja për të përjetësuar të keqen në Ballkan me anë të doktrinave të reja raciste, siç është për shembull ajo e “rrezikut të ekspansionit shqiptar”, vjen në kundërshtim me atë frymë qytetëruese europiane.

Në kohën e krijimit të shtëpisë evropiane, në të cilën të gjithë popujt duhet të zhvillohen natyralisht, të krijosh ligje speciale për kufizimin e lirisë dhe për zhvillimin harmonioz të një populli, ky është një kundërsens historik e moral, për të përdorur fjalën më të butë. Evropa, mbikëqyrëse e gadishullit nuk duhet kurrsesi të bjerë në kurthin e intrigave e xhelozive të ndërsjellta ballkanase.

Nga ana e tyre, popujt e Ballkanit përfundimisht duhet ta kuptojnë se, ashtu siç shekuj më parë shkuan bashkarisht drejt katastrofës, ashtu sot bashkarisht do të ecin drejt shpëtimit. Riskajimi i gadishullit të madh në kontinentin mëmë do të sjellë ndryshime të ndjeshme për të gjithë. Vetëm atëherë mund të thuhet se unaza dalluese në kthetrat e shkabës së rikthyer nuk do të jetë shenjë e ndarjes, por e kujtimit të një brenge.

(Shkruar për Këshillin e Evropës, Paris, mars 2000)