Rëndësia e kafshëve në jetën e njeriut

0
245

Për rëndësinë që kanë kafshët në jetën e njeriut, janë shkruar libra e janë realizuar filma, por për benefitet e mëdha shëndetësore që ofrojnë ato në jetën tonë po bëhen edhe studime të vazhdueshme shkencore, të cilat pohojnë se mbajtja e kafshëve shtëpiake, mund të përmirësoj shëndetin e zemrës duke ulur presionin e gjakut dhe t’i rregulloj rrahjet e zemrës gjatë situatave stresuese.

Se këto anë pozitive qëndrojnë, e tregon edhe gazetari, Nderim Neziri i cili dashurinë e tij për kafshët e ka kultivuar dhe përcjellur edhe tek fëmijët e tij: ”Ajo që na bën shumë përshtypje si familje, është trajtimi i qenit apo maces si aksesor. Mbajnë qenë a mace për t’u bashkuar me një farë trendi që për ne është tejet irritues. Ne, jemi admirues të mirëfilltë të qenve, madje në shtëpinë tonë trajtohen si njerëz e miq dhe jo si kafshë. Amela është rritur me qen, andaj çdo kujtim i saj ka të bëjë me Puppyn, Emmen, Mian, Alexen, apo edhe të tjerë qen të familjes e miqve tanë. Ne, nuk e kemi frenuar dëshirën e saj për të luajtur, për tu kujdesur apo për të folur gjatë gjithë kohës për qenushen, e cila e ka bërë më sociale e të ndjeshme. Prandaj, merrni qen në shtëpi vetëm nëse jeni shumë të sigurtë, mos i braktisni, mos i nxirrni për adoptim vetëm pasi i keni shfrytëzuar mjaftueshëm për foto dhe snobizëm”, tha për Radio KFOR-in, Nderimi.

Mbi 71 milionë familje amerikane (62%) kanë një kafshë shtëpiake dhe sipas disa studimeve shkencore, kafshët shtëpiake gjithashtu mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në alergji, astmë, mbështetje sociale dhe ndërveprime sociale me njerëzit e tjerë.