Fatlum Meholli, piktor autodidakt që njihet për portretet reale

0
286

Fatlum Meholli është student i Letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” i cili përveç letërsisë po vlerësohet për portretet reale që punon.
Qysh nga shkolla fillore pasionin më të madh e kishte artin figurativ, duke u përpjekur gjithnjë të realizojë punime të ndryshme artistike.
Edhe pse nuk e studion ndonjë drejtim të artit pamor, dëshira e madhe për krijimin e punimeve artistike është diçka që e karakterizon Fatlumin.
Për OxygenPress ai tregon se nga periudha e punimeve fillestare e deri tani, ka arritur të realizojë me qindra punime artistike, duke përfshirë skica të shumta, vizatime më të detajuara e më pak piktura.
Shihet që fokusi i tij ka qenë vizatimi që realisht është baza e artit vizuel, por në të ardhmen planifikon të realizojë më shumë piktura kryesisht me ngjyra të vajit, ku për realizimin e pikturave është duke mbledhur vazhdimisht njohuri për kombinimin e ngjyrave, përdorimin e mediumeve etj., nga artistë të mëdhenj botëror.
Meholli tregon se në shkollimin fillor dhe atë të mesëm ka arritur njohuri minimale për artin, por dëshira e zjarrtë për të e ka ndihmuar të përmirësohet në mënyrë autodidakte.
“Si i pasionuar ndaj artit, më pëlqejnë jashtëzakonisht shumë të gjitha stilet e artit, duke përfshirë artin bashkëkohor, surrealizmin, ekspresionizmin etj., por për mua më e veçanta mbetet realizmi, prej të cilit jam i ndikuar”, thotë ai.
Vizatimet i punon duke përdorur lapsa të ndryshëm grafikë, lapsa thëngjilli, letra të veçanta dhe materiale të tjera, ndërkaq koha e punimit të tyre varion.
“Mundësia më e mirë për ekspozimin e punës sime artistike mbeten rrjetet sociale, ku ndiqem nga qindra-mijëra njerëz, prej të cilëve marrë vazhdimisht kritika dhe komente pozitive, por punimet e mia gjithashtu kanë qenë të ekspozuara edhe nëpër ekspozita kolektive vendore. Sidoqoftë, ndërkohë jam duke përgatitur punime artistike të pa publikuara, për të hapur ekspozitën time personale” shton Meholli./OxygenPress.info
Më poshtë gjeni disa nga punimet e tij: