Ndërroi jetë mjeshtri i karikaturës Ramadan Zaplluzha – Therrë Murrizi

0
287

U lind më 28 prill 1938 në Prizren. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje kurse atë Normale shqipe më 1957 në Prishtinë.

Pas mbarimit të Normales u kthye për të kontribuar në arsimin shqip, fillimisht në Rahovec, pastaj në Malishevë dhe në Prizren. Fushëveprimtaria e artistit dhe pedagogut Zaplluzha është e madhe, mbi 60 vjet krijimtari në vizatim, karikaturë dhe strip.

Shumë breza janë rritur me karikaturat e Therrë Murrizit. Qysh në vitin 1945 ai botoi karikaturat e para në “Zani i Rinis” e më pas mbi 80 gazeta brenda dhe jashtë vendit. Emrin artistik “Therrë Murrizi” e mban nga viti 1960.

Stripin e kultivoi me pasion të madh dhe është një pishtar i cili ka mbi 50 tituj të botuar në strip ( stripi është proces grafik më i vështiri ).

Fillimet e tij të para janë në revista, si “Pioneri”, “Gëzimi” dhe “Rilindja”. Tematikat e tij sot janë të mbledhura në tre vëllime në katalogje “S‘më ha palla për kopalla “ në vitin 1997, “ Vizga me thepe 1 “ dhe “Vizga me thepe 2 “ e vitit 2003.

Ai ka ilustruar shumë libra për fëmijë dhe të rritur. Stripet më të famshëm të tij janë: “Arbëri nuk vdes kurrë”, “Trimi i Skendërbeut”, “Vëzhgimi”, “Arrestimi”, “Operacioni”etj. ’

Therrë Murrizi ka mbi gjashtë ekspozita personale dhe shumë kolektive, brenda dhe jashtë Kosovës, duke na ofruar mbi 3000 punime grafike dhe një thesar me novela të ilustruara, si “Borëbardha, “Betmeni”, “Spiderman”, “Hirushja” etj. Frymëzimet e tij për artet pamore mbeten në temat e përditëshme, ato historike, luftat, konfliktet, liderët botëror, legjenda, personazhe për fëmijë etj.

Ramadani, mjeshtrinë e vizatimit nuk e ruajti vetëm për vete, por atë ua mësoi edhe nxënësve të tij, ku shumë nga ta u bënë artistë të dëshmuar. Njëri prej tyre është edhe Mentor Zaplluzha i cili edhe pse specializoi në mjekësi, karikaturën nuk e harroi për asnjë çast. Edhe Mentori do të paraqitet me veprat e tij para publikut ferizajas në Edicionin e Katërtë të Karikaturës, më 3 maj 2018, në Galerinë e Arteve në Ferizaj.

Ramadan Zaplluzha jetoi në Prizren dhe vizatoi me pasion deri ditën e fundit, edhe pse i ka kaluar tetëdhjetë vjet jetë dhe 60 vjet krijimtari në fushën e karikaturës e të stripit. E gjithë forma e tematikave të realizuara të Zaplluzhës janë me dy apo me tre figura, të cilat zakonisht janë të natyrës politike në mes shqiptarëve dhe serbëve. Një është e sigurt, që kostumet edhe plisin në kokë, gjithmonë i vendosë në personazhin e shqiptarit.

Në vizatimet dhe grafikat e “Therrë Murrizit” nëse i përshkruajmë elementet përcjellëse, ato janë kostume të viseve të ndryshme të Kosovës, gjithmonë duke e shoqëruar shkopi ose në dorën e majtë ose në të djathtën dhe qëndrimi në profil i trupit të personazheve. Ato janë në shumicën e rasteve lineare dhe nuk kanë perspektivë. Ato kanë një sfond disa elemente apo pak elemente në sfondet e katikaturave të Zaplluzhës.

Esteikisht janë të thjeshta. Përçojnë mesazh te masa për ngjarjen apo imazhin që ka karikatura, duke e ilustruar edhe me disa fjalë që e bëjnë të kthjellët për shkrimin e mesazhit, qoftë satirik, qoftë kombëtar apo edhe historik e patriotik në raport me serbët. Në historinë e arteve kemi mjaft shembuj se si një karikaturë ka prodhuar revolucion apo edhe ndërrim të pushteteve, pa pas nevojë të shkohet në zgjedhje.

Onore Daumier ( 1808-1879 ), vepra “Barku Legjislativ “ e realizuar në vitin 1834 apo vepra që shkaktoi ndryshime në Francë me “Gargantua” në vitin 1831.

Therrë Murrizi ishte emër me të cilin kurrë asnjëherë pushteti serb nuk mundi të identifikohej, sepse autori i këtyre karikaturave dilte hapur kundër pushtuesit serb me anë të vizatimeve ditore duke shfaqur gjendjen reale të okupimit klasik nga ana e Serbisë në Kosovë.

Mënyra e realizmit të karikaturave të Zaplluzhës përcillen me deformime në kokë dhe në hundë ku të gjitha portretet dhe figuarat që e karakterizojnë shqipëtarin me hundë më të theksuar dhe më të trashë, ndërsa trupi mbetet me përmasa normale të proporcioneve. Nxjerrja në pah e gjithë planeve bëhej me një theksim të flokëve apo plisit, duke tregua vëllimin e kokës dhe stilin e veçantë të dallimit të karikaturës së Zaplluzhës.

I gjithë përshkrimi i bisedës me personazhe ka një dozë të mesazhit ngacmues dhe qesharak në raport me ngjarjen. Ne sot mund të konkludojmë se karikaturat e Zaplluzhës janë në duele dhe gjithmonë ose statike në përshkrimin e ngjarjeve politike, ndërsa të temave sociale e kulturore i kanë lëvizje dhe dallojnë në përmbajtje. Është e vështirë të mendohet se Franca e zhvilloi karikaturën duke e popullarizuar atë dhe duke e futur në degën e arteve figurative, si teknikë e veçantë e vizatimit.

Ne duhet të çmojmë çdo artist që jep apo ka dhënë kontribut personalë në fushën e arteve pamore duke, ruajtur, kultivuar, pasuruar, propaganduar, studiuar, ekspozuar dhe edukuar brezat që vijnë, për ta mësuar karikaturën si mjet që lufton stresin dhe e zhvillon imagjinatën.

Fjalët që kanë të bëjnë me karikaturën e “Therrë Murrizit “ janë : Satirë, farsë, parodi, shpifje, tallje, burleskë, mimikë, shtrembërim, imitim etj. Asnjë ngjarje që realizoi, nuk ka kuptim të mos ilustrohet edhe me donjë fjali apo rresht që e zhvillojnë bisedën që pastaj masa e zhvillonin interpretimin sipas mënyrës së vet.

Në gazetën “Thumbi” psh .karikatura që simbolizon 1 Majin, Ditën e Punëtorëve, pos ilustrimit ai shprehet “Po thonë: Duhet të ndërtojmë banesa për punëtorët por për kënd i paskemi ndërtuar gjer më tani?”. Një ilustrues i saktë dhe i gjithanshëm, veçanërisht si karikaturist, bëri histori me ilustrimet e tij në “Rilindje “. Çuditërisht në praktikat botërore, të gjithë posterat e filmave të famshëm në botë rezultojnë që i ka realizuar dora e karikaturistëve. Te ne në Kosovë ndodhë e kundërta. I realizojnë vetë regjisorët me foto të artistëve.

Zaplluzha është i njohur për stilin e tij të butë, të thjeshtë dhe komikë, nuk është energjikë e as kaotik në karikaturë. Në këtë kuptim ai është njëri ndër artistët më të dukshëm dhe të famshëm në Kosovë. Është personaliteti i fundit i mbijetuar i karikaturës pionere, së bashku me Açif Kajmakçiun në Kosovë. Ramadan Zaplluzha i takon gjeneratës së parë të artistëve pamorë në lëmin e karikaturës dhe stripit në Republikën e Kosovës. Edhe pse nuk është shkolluar për arte pamore, ai mbetet ikona e karikaturës shqiptare në përgjithësi.

Autor: Jeton Rexhepi