Euklidi dhe mjeshtëria e tij, bëri që tekstet e tjera shkollore për gjeometrinë të harrohen

0
756

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Nr 14 Euklidi
Rreth vitit 300 p.e.s

Shumë pak figura të këtij libri kanë patur një lavdi kaq jetëgjatë sa ajo e gjeometrit grek, Euklidit . Ndonëse Napoleoni, Aleksandri i Madh apo Martin Luteri në kohën e tyre kanë qenë shumë më të njohur nga Euklidi, në fund të fundit, lavdinë e tij do ta përjetonte e ardhmja.
Veç lavdisë, për jetën e Euklidit nuk dihet gjë. Dihet vetëm se rreth viteve 300 p.e.s ka qenë mësues shumë aktiv në Aleksandri. Nuk dihet as data e lindjes dhe as e vdekjes. Madje, nuk dihet se në cilin kontinent është lindur dhe jo më se në ç’qytet. Edhe,në qoftë se kanë mbetur disa nga veprat e tij,ai në histori para së gjithash njihet për tekstin e njohur të gjeometrisë me emrin “Elemente”.

Rëndësia e këtij teksti, nuk qëndron në ndonjë nga teoremat e përcaktuara aty, pasi ato pothuajse të gjitha kanë qenë të njohura që më parë, por te sistemimi dhe vërtetimi i tyre. Euklidi i ka sistemuar materialet në një plan të përgjithshëm formimi të plotë, duke zgjedhur aksiomat dhe parimet përkatëse-detyrë kjo shumë e vështirë, e cila kërkonte përllogaritje jashtëzakonisht të sakta dhe përkushtim të madh. Krahas kësaj, teoremat i ka renditur me vëmendje e në mënyrë të tillë, sa që çdo njëra prej tyre është vazhdim logjik i pararendëses. Veç elementeve të domosdoshme, ai ka përpunuar dhe ka futur të dhëna të reja. Vihet re se shumica e librit trajton kapituj të planimetrisë dhe stereometrisë,por ka edhe kapituj nga algjebra dhe teoria e numërimit.

“Elemente” shfrytëzohet prej më se dy mijë vjet e më tepër dhe s’ka dyshim, se është teksti më i mirë shkollor i botuar deri më tani. Euklidi e kishte kryer kaq mjeshtërisht punën me të, sa që të gjitha tekstet e tjera shkollore për gjeometrinë, tashmë janë harruar fare. E shkruar në greqisht, ajo më vonë u përkthye në shumë gjuhë të tjera të botës. Botimi i parë i saj është bërë në vitin 1482, tridhjetë vjet pas daljes së shtypshkronjës së Gutenbergut. Më vonë, teksti “Elemente” ka përjetuar mbi një mijë botime të ndryshme. Si mjet për të ndjohur mendjen njerëzore me natyrën e mendimit logjik, ky tekst ka patur ndikim shumë më të madh se punimet logjike të Aristotelit. Teksti”Elemente” është shembull karakteristik për të menduarit deduktiv. Ai ka udhëhequr mençurinë e të gjithë shkencëtarëve të mëvonshëm.

Mund të thuhet se pa rezerva se ky tekst është faktor i rëndësishëm për zhvillimin e shkencës bashkëkohore. Ai nuk është thjesht përfundim i studimeve të përpikta shkencore dhe përgjithësimeve të zgjuara, por është vijim i lidhjeve të empirizmit me eksperimentet nga njëra anë, dhe analiza e vëmendshme me të menduarit deduktiv nga ana tjetër. Nuk mund të themi me siguri përse shkenca është shfaqur më parë në Evropë dhe jo në Kinë, apo Japoni, por është e qartë se kjo nuk ka ndodhur rastësisht. Nuk ka dyshim se merita e shkencëtarëve të shkëlqyer si Njutoni, Galilei, Koperniku e Kepleri për këtë problem është shumë e madhe. Megjithatë, më e besueshme është se ka shkaqe të tjera që njerëz të tillë kanë lindur më parë në Evropë e jo në Azi. Ndoshta faktorët më të dukshëm historikë, që zgjodhën Evropën si djep të shkencës të jenë racionalizmi grek dhe shkencat matematike të lëna si testament nga grekët e lashtë.
Për evropianët duket shumë e natyrshme ekzistenca në fizikë e disa parimeve themelore me anën e të cilave mund të realizohet çdo gjë tjetër pasi përpara kanë patur shembullin e Euklidit (marrë në përgjithësi, në gjeometrinë e Euklidit ata nuk shikojnë një sistem abstrakt, por besojnë se parimet e tij, si rrjedhojë edhe teoremat, janë vepër e botës reale).
Të gjithë shkencëtarët e përmendur deri tani e kanë pranuar shkencën euklidiane.Në të vërtetë, secili prej tyre e kishte studiuar me vëmendje tekstin e tij, që ishte bazë për dijet e tyre matematike.Ndikimi i Isak Njutonit është i dukshëm, sepse ai është autori i veprës së njohur “Parimet matematike në filozofinë e natyrës”, ku forma gjeometrike është sipas nivelit të “Elementeve”të Euklidit.

Më vonë, shumë shkencëtarë perëndimorë e kanë imituar Euklidin kur kanë treguar se përfundimet e tyre i kanë nxjerrë logjikisht nga një numër i vogël pikëpamjesh themelore. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe matematikanët, si Bertrand Rasel dhe Alfred Nort Vajthed, si dhe filozofët, si Spinoza.
Krahasimi me Kinën është disi ndryshe;me shkuj aty teknika ishte më përpara se në Evropë. Megjithatë, kinezët nuk kanë pasur kurrë matematikanë të rangut të Euklidit dhe as bazat teorike të matematikës që kishte Perëndimi (kinezët kishin njohuri të mira për gjeometrinë e zbatuar,por dijet e tyre në këtë fushë asnjëherë nuk ishin përftyruar si sistem deduktiv). Euklidi mbeti pa përkthyer në gjuhën kineze deri në vitin 1600. Duhej të kalonin disa shekuj deri sa t’u bëhej i njohur atyre koncepti euklidian për të menduarit deduktiv të gjeometrisë. Përpara kësaj, në Kinë nuk kishte studime shkencore serioze në këtë fushë.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Japoninë, ku gjeometria e Euklidit mbeti e panjohur deri në shekullin XIX. Madje, edhe shumë vjet të tjera pasi u njoh, ajo u nënçmua. Japonia sot ka shkencëtarë të shkëlqyer, por para se të njihej Euklidi aty nuk kishte asnjë. Lind pyetja, nëse evropianët do të kishin arritur në shkencën bashkëkohore pa përshkrimin e rrugës nga Euklidi. Sot, te matematikanët ekziston bindja se gjeometria euklidiane nuk është i vetmi sistem i qëndrueshëm gjeometrik.Në 150 vjetët e fundit janë krijuar një numër i madh gjeometrash joeuklidiane. Që kur është pranuar teoria e përgjithshme e relativitetit të Ajnshtajnit, shkencëtarët mendojnë se gjeometria e Euklidit nuk shërben gjithmonë në kozmos. Në qoftë se si shembull merren gropat e zeza dhe yjet e neutroneve, ku fushat e gravitetit janë jashtëzakonisht të forta, gjeometria euklidiane nuk jep sqarime të qarta për reaglitetin. Megjithatë, ajo mbetet shumë pranë realitetit.u

Në çdo rast sukseset më të mëdha të shkencës botërore nuk zvogëlojnë as arritjet intelektuale të Euklidit dhe as rënëdësinë e tij historike për zhvillimin e matematikës dhe për vendosjen e strukturës logjike, domosdoshmëri kjo në përpunimin e shkencës bashkëkohore.

***

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do sjell personalitetin e dytë të renditur në këtë libër që është Mojsiu.