Shëngjini, mes harmonisë ideale: detit, malit dhe qytetit

0
473

Ka vite që Shëngjini është në krye të preferencave për pushuesit vendas dhe të huaj. E gjithë kjo nga puna e mirë që është bërë në zhvillimin dhe sistemimin urban, pastrimin e plazheve, përmirësimin e infrastrukturës, të shërbimeve për turistët, etj.

Qyteti i Shengjinit, me plazhet dhe lagunat që e qarkojnë, me hotelet e restorantet cilësore dhe mjediset për argetim janë destinacioni kryesor për pushuesit.

Virgjëria e Rërës së Hedhur

1.0 RERA E HEDHUNPlazhi i Rërës së Hedhur në Shëngjin, është një nga zonat më të bukura për të kaluar pushimet verore dhe nga vendasit cilësohet si “oaz i Adriatikut”. Ky mjedis fillon nga Guri i Marka Nikës deri tek Guri i Camës. Ka një gjatësi prej 3 kilometrash. Fillon me një bregore të vogël rëre (dunë rëre) që arrin lartësinë deri në 2-3 metra, vijon me një pyllëzim me pisha mesdhetare. Ato krijojnë një brez të gjelbër në një gjatësi prej 500 metrash. Më tej, brezi i pishave ndërpritet. Në formën e një faqeje piramide janë dunat që shkojnë deri në 5 metra, ku shpati i malit në sipërfaqe të madhe është i “veshur”. Duna më e lartë arrin nga 80 metra deri në 100 metra, e vendosur në shpatin perëndimor të kodrave të malit të Rrencit. Ky është një vend i mrekullueshëm, me rërën disi të ashpër, të pastër, i paprekur nga dora e njeriut. Këtu përveç detit dhe diellit, mund të shijosh dhe peizazhin relaksues, detin e kaltër në hapësirat deri në Kepin e Rodonit. Në këtë mjedis për stinën e verës shërben një restorant-kafe. Rruga për në Ranën e Hedhun (Rëra e Hedhur) është: Shëngjin-rruga e Marinës-ish reparti ushtarak kundërajror në drejtim veriperëndimor rrezë malit të Rrencit. Zgjatimi i rrugës të çon drejt Plazhit të Velipojës-Shkodër.

Plazhi i qytetit

Fillon nga Porti Detar shtrihet deri në Kune të Sipërme. Ka një bez rëre ku bëhet plazh, që ndanë zonën e banuar nga deti. Tashmë në zonën e urbane ka shumë palate banimi, hotele dhe lokale ku mund të gjeni llojshmëri dhe cilësi shërbimesh. Eshtë një nga arsyet kryesore ku çdo vit në këtë plazh vinë shumë pushues, të cilët preferojnë të kalojnë në këtë mjedis pushimet.

Maja e Zezë

Është pika me lartë në malin që e lidh Shëngjinin me Velipojën. Atyre që u pëlqën ecja në mal, mund të ngjiten drejt veriut kur janë tek Rana e Hedhun. Pasi lë detin dhe rërën, arrin në Majën e Zezë. Prej aty, mund të shijosh ajrin e pastër, bimësinë mesdhetare ku veçohet bulgri, shega, frashri, panja, etj. Hapsira pafund në horizont do të mund të shohësh që nga Ultësira e Shkodrës deri në Kepin e Rodonit. Rruga në ngjitje është pak e vështirë, por mjedisi nga ku kalon, ajo është mjaft mbresëlënës, përvçse mjaft drurëve dhe shkurreve mesdhetare, mund të vizitosh dhe “Logun e Zanave”, të shohësh vendbanimet e herëshme të lagjeve që tashmë jetojnë në Ishull-Shëngjin, etj.

Mali i Shëngjinit

Mali i Shëngjinit fillon mbi qytet (tek porti) dhe vazhdon deri në lartësinë rreth 330 m mbi nivelin e detit. Këtu ka pyje artificialë me halorë mesdhetarë (të mbjella rreth 40-50 vite më parë) si dhe formacione të pyjeve me shkurre mesdhetare natyrore, ku dominon shega e egër, gjenden: driza, murrizi, lajthia, thana, etj. Së fundi në këtë mal janë zbular dhe disa tuma që datojnë 3-4 mijë vjet më parë. Kërkimet arkelogjike vazhdojnë. Ky destinacion arrihet lehtë me këmbë, në shtigje të shkelura. Lëvizjet në mjedise të pashkelura vështirësohen nga dendësia e shkurreve me gjëmba dhe mjediset shkëmbore. Ka çeltira në pyll që shërbejnë si vendpushime për vizitorët.

Mali i Rencit

mMgnjMpzbx23dvpFRys28jyqMAhcuAdbTYDfJR2hmiEVijon pas malit të Shëngjinit. Është nje rrugëtim i përshtatshëm për ata që pëlqejnë dhe përballojnë udhëtimet e gjata në natyrë disi të vështirë. Në këtë udhëtim mund të shohësh formacionet më të mëdha me bulgër (Quercus trojana) që zhvillohen sot në Shqipëri. Ka dhe drurë të tjerë si frashër, caracë, cërmëdel, krifshë, panjë dhe shumë bimë barishtore që durojnë thatësirën. Mund të takohen dhe kafshë si: dhelpra, lepuri, vjezhdulla dhe shumë shpendë. Në terrene të veçanta të malit dallohen rrënojat e vendbanimeve të disa lagjeve dhe fshatrave që tashme jetojnë afër qyteteve Lezhë dhe Shëngjin. Lëvizjet në mal mund të bëhen dhe jashtë rrugëve këmbësore (duke dalë në pika të larta), pasi bimësia është më e rrallë, kështu fushëpamja është më e madhe.

Kënalla

Ndodhet afro 2 km larg Shëngjinit, buzë rrugës automobilistike që të çon në Lezhë. Sipërfaqja e saj është rreth 0.2 kilometra dhe thellësia arrin deri në 10 metra. Dikur ky vend ka qenë një gji detar, por është shkëputur për shkak të depozitave detare. Ajo që e bën të veçantë është se mund të shfrytëzohet jo vetëm për lundrim, por edhe për gjueti, madje edhe në kohën e dimrit.

Ishulli i Kunes

Duke udhëtuar nga qytetit i Shëngjinit, pasi kalon në këmbë urën e Merxhanit, ke arritur në Ishullin e Kunes ose në Kune të Poshtëme. Eshtë ishulli i dytë në vend (pas Sazanit) me sipërfaqen më të madhe që arrin rreth 1.4 km2. Ky ishull përfaqëson një lagunë tipike dhe ishull deltar, i cili ndryshon format e veta në një mënyrë natyrale zhvillimi. Ky është një mjedis tipik për turizëm në ntyrë. Vizitori relaksohet nga mjedisi pyjor që qarkohet nga deti. Është vend ku ku ka freski dhe ujë të pijshëm nga puset arteziane të hapura shumë vite më parë. Për turistet ky mjedis është i pëlqyeshëm edhe jashtë sezonit të turizmit. Ishulli i Kunes ka vlera ekologjike, ekonomike, përfshi këtu peshkimin dhe turizmin, vlerat sociale dhe rekreative etj. Vlerat më të rendësishme të zonës janë ato të biodiversitetit. Ka rreth 70 lloje shpendësh, 20 lloje zvarranikësh, 6 lloje amfibësh dhe rreth 23 lloje gjitarësh. Këto vlera janë janë të kushtëzuara nga ekuilibri ekologjik. Në këtë ishull ndodhen “Kënetat e Kashtës”, monument natyror. Kjo zonë është e pabanuar dhe nuk ka ndërhyrje nga njeriu.

Rivat e Drinit

Janë destinacioni ditor më pëlqyer në natyrë. Ai është monument natyror, që ndodhet në një brez toke midis luginës së Merxhanit në veri dhe lumit Drin në jug. Sipërfaqja e zonës është më pak se 50 ha. Rivat e Drinit ndodhen ne pjesen veriore të pjesës fundore të lumit të Drinit dhe përfaqëson një habitat lagunor, shumë të pasur në biodiversitet, ku strehohen rosat e kërcënuara të ujit. Kjo zone ka një rendësi të madhe nga pikpamja biogjike, ekologjike dhe turistike. Në këtë territor është i lejuar argëtimi i vizitorëve në natyrë, fotografimet turistike, peshkimi sportiv i planifikuar.

Laguna e Vainit

6OK8R9u3JfEutTkkU9_1YRKGfymmdiRczC4cAKOP52IËshtë mjedisi lagunor më madh në juridiksion të komunës Shëngjin. Ajo, paraqet rëndësi të madhe për turizëm dhe peshkim. Ndodhet në bregun e majtë të deltës së Drinit të Lezhës, ka sipërfaqe rreth 9 km² dhe thellësi mesatare 0,7 m. Dallohet për larmi të theksuar të botës së gjallë dhe bukuri mahnitëse të peizazhit të qetë. Ujërat e mjediset lagunës ndahen në disa zona më të vogla si, laguna e Cekes, Gjoli i Buajve, Zajet, etj . Për në Lagunen e Vainit shkohet në rrugën automobilistike qyteti Lezhë-Ishull Lezhë-Vain deri tek ish Fazaneria në Grykë Lumi. Në lagunë rritet një numër i konsiderueshëm lloje bimësh drunore dhe barishtore. Gjenden ekzemplare të rrenjës (Quercus robur) tashmë i konsideruar në rrezik zhdukje, ka lloje të tjera si, vidhi i fushës, frashëri i zi, plepi i bardhë, disa lloje shkurresh dhe bimësh barishtore që durojnë ujin e kripur. Bimësia e mbetur konsiderohet ndër reliket e pakta të bimësisë ligatinore natyrore në Shqipëri. Laguna e Vainit është një mjedis me shtrirje të konsiderueshme, ku janë të ndërlidhura mjediset ujore me ato tokësore, lidhjet me detin dhe rrugët auto, në vetvete përbëhet nga disa rrugëtime të pëlqyera turistike. Aty mund të ecet në këmbë dhe të lundrosh në uje, kudo ka mjedise intresante për t’u vizituar dhe për hulumtime të ndryshme shkencore. Në mjediset e lagunës ka disa restorante që ofrojnë gatime tradicionale, ku dominon peshku që zihet në lagunë dhe në detin afër.

Dëme të pariparueshme nga zjarret e fundit

Ndërsa kishim nisur këtë shkrim, nga mediet mësojmë se në malin e Shëngjinit në Lezhë është krijuar një situatë alarmante nga flakët e zjarrit, të cilat kanë vazhduar disa ditë dhe që u përhapën me shpejtësi të madhe drejt banesave. Flakët e zjarrit të fundit kanë nisur në vendin e quajtur Kenadha dhe janë përhapur me shpejtësi në brezin me pisha, ndihmuar edhe nga temperaturat e larta dhe era. Një situatë e tillë qe para pak kohësh edhe në malin e Kakariqit dhe në Kallmet, ku janë bërë dëme të mëdha dhe të pariparueshme në pyje e shkurre.

Një emër që, me gjithë respektin, nuk i rezistoi kohës

Shëngjini është i njohur si qendër banimi që para erës së re, është banuar nga fisi ilir i Abrejve. Në lashtësi qyteti është thirrur me emrin helen “Nimfeu”, që do të thotë “vend i nimfave, vend i zanave”. Shëngjini, si qytet konsiderohet se është themeluar rreth 2400 vjet më parë nga kolonët helenë. Në mesjetën e hershme, Shëngjini quhej Medua. Emrin që mban sot, qyteti e ka marrë nga Kisha Shën-Gjinit që ndodhej në Malin e Shëngjinit mbi qytet.

Nga viti 1880 e më vonë, vaporët e shoqërive austriake, italiane. ulqinake, vinin rregullisht në portin e Shëngjinit. Nga vitet 30, të shekullit 20 dhe sidomos pas çlirimit të vendit, Shëngjini ka marrë zhvillim më të madh, sidomos pas ndërtimit së portit detar. Qeveria e Nolit pas revolucionit të qershorit 1924 i vuri emrin zyrtar qytetit të Shëngjinit “Qyteti Wilson” në nderim të Presidentit të SHBA-ve Thomas Woodrow Wilson. Megjithëse nuk i rezistoi kohës, dhe emri nuk u përdor më, Presidenti Wilson (1856-1924) gëzon respekt në kombin shqiptar për rezistencën që bëri ndaj mos copëtimit të mëtejshëm të Shqipërisë dhe njohjen e pavarësisë së saj.

Nga Lezha në det, me barka, nuk do të jetë më ëndërr!

Është një rrugëtim turistik i veçantë dhe me një të ardhme të afërt mjaft të mirë. Drini, që kalon nga qyteti i Lezhës dhe ndan dy ishujt e Komunës Shëngjin, sot lundrohet pak. Ka disa arsye objektive që lëvizjet janë të kufizuara, por së shpejti me ndërhyrjet e domosdoshme në infrastrukturën e qytetit Lezhë dhe drejtpërsëdrejti mbi lumin Drin, udhëtimi me skafe apo me varka nga qyteti i Lezhës drejtë detit do të jetë një destinacion unikal ndër më të pëlqyerit në Shqipëri. Brigjet e lumit janë të veshura me drurë me gjatësi të konsiderueshme. Pas zonës së banuar të ishujve shtrati i lumit zgjerohet. Aty mund të shohësh një numër të madh shpendësh dhe të peshkosh me grep. Delta e Drinit dhe mjedisi përreth janë panorama të papërsëritshme.

Udhëtim në dy fshatrat, Ishull-Shëngjin dhe Ishull-Lezhë

Për ju turistë, që doni të njiheni kulturën rurale si një atraksion turistik, i vizitoni këta dy fshatra të komunës Shëngjin. Peizazhet agrokulturore turistikë në këta fshtra janë të shumtë. Këtu fermerët zhvillojnë me kujdes kulturat bimore, specie dhe varietete bimësh dhe pemësh frutore, si dhe raca të kafshëve të ndryshme, nga ato tradicionale tek ato të përzgjedhura. Në këta dy fshatra ju ofrohen dhe mjedise për pushime dhe ekskursione, veçanërisht etnokulturore dhe agrokulturore që që ruajnë origjinalitetin e mëparshëm. Banorë e këtyre fshatrave quhen “malësorë”. Pra origjina e tyre është kryesisht nga malësitë e veriut të Shqipërisë, çka bën që në këta fshatra të ruhen akoma shumë elementë kulturorë dhe të mënyrës së jetesës të atyrë zonave nga kanë origjinën. Pas viteve 90 janë shtuar në këto fshatra dhe familjet e reja me origjinë nga krahinat të tjera të vendit, çka ka çuar në rritje të vlerave dhe diversitetit kulturor. Banoret janë mjaft mikpritës, në çdo kohë të urojnë mirëseardhje. Miku (vizitori) vlerësohet, dhe për të ka një përkudesje të madhe sapo shkel në pragun e çdo shtëpie. Banoret e këtyre fshatrave si dhe të disa zonave të tjera të Shqiperisë, të gjithë mikpritjen dhe kujdesin për të huajin (mikun, vizitorin-turist ) e kanë përmbledhur në thënien “ Shtëpia është e Zotit dhe Mikut”.

Në familjet e këtyre fshatarëve do gjeni disa gatime tradicionale me prdukte bio dhe pije alkoolike cilësore (raki dhe verë) të prodhuar vetë. Nga fshatrat Ishull-Shëngjini dhe Ishull- Lezhë, lagunat, deti, qyteti i Shëngjinit dhe ai Lezhës mund të arrihen shpejtë edhe në këmbë, ndonëse fshatrat janë të përshkuara me shumë rrugë auto si dhe autostrada që të lidh me Tiranën.

Ju, të nderuar turistë, mos u habisni nëse keni fjetur apo drekuar në një familje apo që ju kanë ofruar dhe shërbime të tjera, dhe të zotët e shtëpisë nuk pranojnë t’u marrin para. Është në traditën e tyre, por kjo mendësi e shkuar, duhet tejkaluar. Le të jeni ju njëri prej atyre që do të kontribuojë për ta ndryshuar këtë mendësi, duke ju dhënë atyre shpërblimin e merituar.