Kur Galilei hoqi dorë nga mendimi se Toka rrotullohet rreth Diellit: “E megjithatë rrotullohet!”

0
673

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit:

Nr XII  Galileo Galilei

1564-1642

Shkencëtari i madh italian, Galileo Galilei, i cili mund të jetë përfaqësuesi i parë i metodikës shkencore është lindur në vitin 1564 në Piza. Studimet i kreu në universitetin e vendlindjes, por i ndërpreu për arsye financiare. Në vitin 1589 fitoi të drejtën të japë mësim në të njëjtën universitet. Disa vite më vonë, u bë anëtar i trupit mësimor në Universitetin e Padovës, ku ndenji deri në vitin 1610.
Pjesën më të madhe të zbulimeve shkencore i kreu gjatë kësaj periudhe.
Sukseset e para shkencore Galilei i arriti në fushën e mekanikës. Aristoteli prej kohësh kishte hedhur tezën, se trupat e rëndë bien më shpejt nga të lehtët. Për shkak të autoritetit të madh të shkencëtarit të lashtë, të gjithë brezat e shkencëtarëve të mëvonshëm e kishin pranuar këtë tezësi të vërtetë. Megjithatë, Galilei mendoi ta provonte tezën duke hedhur trupa nga kulla e Pizës. Pas shumë eksperimentesh, vuri re se Aristoteli nuk kishte patur të drejtë; trupat e rëndë dhe të lehtë binin me të njëjtën shpejtësi, në qoftëse nuk merrej parasysh fërkimi i ajrit. Qëkur zbuloi këtë të vërtetë, Galilei hodhi edhe hapin e dytë.

Ai mati me vëmendje largësinë e trupave që binin në kohë të përgjysmuar. Me këtë, ai zbuloi se binin në përpjesëtim të drejtë me kohën. Ky zbulim, që do të thotë shpejtësi e njëjtë, sigurisht që është i rëndësishëm, por, më e rëndësishme ishte që Galilei arriti të bashkonte rezultatet e një vargu eksperimentesh në formulë matematike. Përdorimi i gjerë i metodave eksperimentale dhe i formulave të ngjashme ishte veçori e rëndësishme e shkencës bashkëkohore. Zbulimi i dytë i rëndësishëm i Galileit është ligji për inercinë. Përpara kësaj, mendohej se një trup, që lëviz në vetvete e ngadalëson shpejtësinë derisa qëndron në vend, në qoftëse nuk do të ketë shtytje të jashtme. Megjithatë, provat e Galileit treguan se ky parim i pranuar në përgjithësi ishte i gabuar. Në qoftë se forcat penguese, për shembull fërkimi, do të mënjanoheshin, trupi do të vazhdonte të lëvizte pa fund. Ky parim i rëndësishëm, i përsëritur nga Njutoni dhe i paraqitur si ligji i parë i lëvizjes, është një nga parimet themelore në fizikë.

Zbulimet më të rëndësishme të Galileit janë në fushën e astronomisë. Në fillim të shekullit XVII në teorinë e astronomisë nisi një lëvizje e paparë. Rilindën mosmarrëveshjet e vjetra midis trashëgimtarëve të teorisë heliocentriste të Kospernikut dhe ithtarëve të teorisë më të vjetër gjeocentriste. Që nga viti 1604 Galilei kishte shprehur se Koperniku kishte patur të drejtë në tezën se Toka dhe planetet e tjera rrotullohen rreth Diellit, por nuk mundi ta vërtetonte në atë kohë.

Në vitin 1609,ai mësoi se në Holandë ishte zbuluar teleskopi. Duke qenë mjaft i priru, vetëm nga përshkrimi i përgjithshëm, që dinte për aparatin, Galilei punoi vetë dhe dora-dorës arriti të ndërtonte një teleskop shumë më të mirë nga ai i pari. Me të ai nisi të vëzhgonte me pikësynim drejt qiellit. Vetëm pas njëviti arriti në një varg zbulimesh të rëndësishme.

Ai vëzhgoi Hënën dhe pa se ajo nuk ishte një top i lëmuar, por i “shkarravitur” nga shumë kratere dhe male të larta. Nga kjo nxori përfundimin se trupat qiellorë nuk ishin as të lëmuar dhe as idealë, por kishin të njëjtat pa rregullsi që ka edhe toka.

Galilei vëzhgoi Rrugën e Qumështit, ku vuri re se nuk ishte e përbërë nga një formë ne buloze (re të dendura dhe gazra të përqendruara), por përbëhej nga një numër shumë i madh yjesh të veçanta, që ndodheshin aq larg sa me sy dukeshin si mjegull. Vëzhgoi planetët dhe pa që rreth Jupiterit vërtiteshin katër hëna. Kjo ishte një e dhënë e qartë se trupat qiellorë mund të rrotulloheshin edhe rreth planeteve të tjera dhe jo vetëm rreth Tokës.
Gjithashtu, ai vëzhgoi Diellin dhe zbuloi njollat e tij (në të vërtetë ato ishin zbuluar shumë kohë më parë nga shkencëtarë të tjerë, por Galilei botoi materiale me argumente më bindëse për këto, ndaj edhe fitoi admirimin e kolegëve).

Ai theksoi se planeti Afërdita ka faza të ngjashme me ato të Hënë. Ky ishte një argument i rëndësishëm, që vërtetonte teorinë e Kopernikut se Toka dhe të gjithë planetet rrotullohen rreth Diellit.

Zbulimi i teleskopit dhe i shumë teorive të tjera e bënë emrin e Galileit të lavdishëm. Megjithatë, me mbrojtjen që i bëri teorisë së heliocentrizmit, ai provokoi pakënaqësi në mjediset e larta kishtare. Në vitin 1616 ata e urdhëruan që të hiqte dorë nga përhapja e ideve të Kopernikut. Galileit nuk i mbeti gjë tjetër, veç të pezmatohej për disa vjet. Kur vdiq Papa në vitin 1623,vendin e tij e zuri një admirues i Galileit, Urbani VIII, i cili bëri disa lëshime për të.

Kështu, gjashtë vitet e fundit, Galilei iu kushtua veprës së tij më të njohur “Dialog, lidhja e dy sistemeve kryesore  të botës”, që paraqitet interpretime mjeshtërore të dëshmive duke shfrytëzuar teorinë e Kopernikut. Ky libër u botua në vitin 1632 me lejen e censurës kishtare. Por, udhëheqësit e tjerë kishtarë reaguan me zemërim ndaj këtij botimi dhe Galilei shumë shpejt u  gjend para gjyqit të Inkuizicionit të Romës nën akuzën se kishte shkelur ligjin e vitit 1616.

Shumë besimtarë nuk ishin dakord me vendimin që të dënohej ky shkencëtar i madh. Edhe ligji i atë hershëm i kishës nuk ishte i qartë, ndaj Galilei u dënua relativisht lehtë. Atë nuk e futën në qeli, prapa dritareve të hekurta, por e lanë nën mbikëqyrje në vilën e tij në Arçeti. Formalisht, i ishin ndaluar vizitat, por kjo pjesë e dënimit nuk u respektua. Dënimi tjetër i vetëm ishte që të tërhiqej publikisht nga mendimi se Toka rrotullohet rreth Diellit. Shkencëtari 69-vjeçar u detyrua ta bënte atë. (Ka një version të njohur e të vërtetë sipas të cilit, kur u tërhoq nga ai mendim, Galilei hodhi vështrimin rreth e qark dhe mërmëriti: “E megjithatë rrotullohet!”). Në Arçeti ai vazhdoi t’i ekspozonte studimet e tij për mekanikën. Galilei vdiq në vitin 1642.

Prej kohësh janë të njohura arritjet e mëdha të Galileit për shkencën. Zbulimi i ligjit të inercisë, ndërtimi i teleskopit të ri, kërkimet astronomike dhe mbrojtja gjeniale e hipotezës së Kopernikut janë merita të mëdha të tij. Por merita kryesore qëndron në zhvillimin e metodologjisë shkencore. Shumica e filozofëve të tjerë të natyrës, nën shembullin e Aristotelit, kanë vëzhguar vijat karakteristike të dukurive duke i karakterizuar ato, ndërsa Galilei vijoi matjet e dukurive duke nxjerrë përfundime sipas madhësisë së tyre. Metodat eksperimentale që ai përdori mbetën shembull bazë për kërkimet e më vonshme shkencore.

Galilei, më tepër se kushdo, mbetet themeluesi i shkencës empirike. Ai i pari dha garancinë për domosdoshmërinë e eksperimenteve. Ai hodhi poshtë zgjidhjen e problemeve shkencore si nën autoritetin e mendimtarit të madh, Aristotelit. Ai hodhi  poshtë zgjidhjen e problemeve shkencore si nën autoritetin e kishës  dhe nën autoritetin e mendimtarit të madh, Aristotelit. Ai hodhi poshtë gjithashtu skematizmat e ndërlikuara deduktive duke mbështetur fort në metodat eksperimentale. Skolastikët e mesjetës për një kohë të gjatë këmbëngulin se një dukuri duhet të ndodhë pavarësisht nga realizimi ose jo i një dukurie tjetër, ndërsa Galilei këmbëngulte në domosdoshmërinë e eksperimenteve për përcaktimin e ndodhjes së vërtetë të dukurisë. Parashikimet e tij shkencore ishin larg çdo lloj misticizmi. Me këtë veprim ai u bë më bashkëkohor se ndonjë ithtar i tij, si psh Njutoni.

Galilei ishte thellësisht fetar. Në gjyq ai nuk u tërhoq nga feja e tij e as nga kisha, por hodhi poshtë përpjekjet e pushtetarëve të kishës për mbytjen e kërkimeve shkencore. Brezat e mëvonshëm me shumë të drejtë i përulen atij si simbol i rebelimit kundër dogmatizmit, që mbyste lirinë e mendimit. Gjithsesi, merita më e madhe e Galileit qëndron në dhënien e metodologjisë shkencore moderne.

Në ditët në vijim sjellim të XII me radhë, që është Aristoteli./Oxygenpress.info