Ahmeti: Tubimi i LVV-së papërgjegjësi e madhe, janë rrezikuar qindra qytetarë

0
209

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për tubimin e mbajtur sot, duke thënë se kanë rrezikuar qindra qytetarë dhe sipas tij kjo është një papërgjegjësi e madhe.

Ahmeti përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se LVV ka qenë në Qeveri dhe do të duhej të dinte si ka funksionuar menaxhimi i pandemisë.

I pari i kryeqytetit ka thënë se nëse në tubimin e sotëm kanë qenë të pranishëm 2-3 persona të infektuar me COVID-19, atëherë është i pamundur gjurmimi epidemiologjik dhe të gjithë ata që kanë qenë në shesh duhet të testohen.

“Lëvizjes Vetëvendosje ja uroj 15 vjetorin e krijimit! Por, meqenëse kanë qenë në qeveri në kohë të pandemisë e dijnë si ka funksionu menaxhimi i pandemisë. Kur dikush ka dal pozitiv, IKSHP ka bërë gjurmimin epidemiologjik, duke intervistuar të infektuarit për krejt kontaktet që i kanë pas në ditët e fundit. Ato kontakte pastaj janë testuar dhe situata ka qenë nën kontroll. Në qoftë se kemi pas 2-3 të infektuar në tubimin sot, atëherë është pamundësuar gjurmimi epidemiologjik. Të gjithë të pranishmit duhet të testohen dhe gjitha familjet dhe kontaktet e tyre. Këtë e kemi dëgjuar vazhdimisht nga IKSHP e nga qeveritë, e posaqerisht nga ajo e VV. Por edhe më keq, sot janë rrezikuar qindra njerëz. Nuk e kuptoj se pse ka pas nevojë të rrezikohemi kështu. Tepër papërgjegjësi e madhe. P.S. 58 raste të reja në Kosovë sot”, shkruan Ahmeti.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar se sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 227 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 58 raste.

Rastet pozitive janë nga: komuna e Fushë Kosovës 12 raste (sipas vendbanimit: 6 raste Miradi e poshtme dhe 6 raste Fushë Kosovë ), komuna e Vitisë 12 raste (sipas vendbanimit: 7 raste Zhiti dhe 5 raste Beguncë), komuna e Prishtinës 11 raste (sipas vendbanimit: 11 raste Prishtinë), komuna e Mitrovicës 10 raste (sipas vendbanimit: 6 raste Mitrovicë, 3 raste Kçiq i madh dhe 1 rast Suhodoll), komuna e Vushtrrisë 9 raste (sipas vendbanimit: 4 raste Akrashticë, 2 raste Vushtrri, 2 raste Reznik dhe 1 rast Dobërlluk), komuna e Prizrenit 3 raste (sipas vendbanimit: 3 raste Prizren) dhe 1 rast me vendbanim në Rahovec.