Bëhen homazhe për këngëtaren, kompozitoren e gazetaren Violeta Rexhepagiqi

0
90

Para objektit të ministrisë së Kulturës janë bërë homazhe në nderim të jetës dhe veprës së këngëtares, kompozitores dhe gazetares, Violeta Rexhepagiqi.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, së bashku me stafin e ministrisë ka nderuar këngëtaren e ndjerë, për të cilën tha se do të mbetet figura e artit dhe e kulturës në Kosovë dhe me gjerë.

Ajo shtoi se për shkak të pandemisë nuk kanë pasur mundësi të realizojnë një ceremoni me dinjitoze.

“Ne sot si ministri në këtë kohë pandemie kujtojmë ikonën dhe grupin Vivien, i cili në atë koha ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm. Është njohur si vajzë e jashtëzakonshme me zërin dhe dukjen e saj dhe i ka dhënë mesazh vajzave dhe grave të reja që duhet t’i thyejnë te gjitha tabutë dhe të depërtojnë si gra”.

“Si ministri kemi menduar se sado në ketë forme ta kujtojmë veprën e saj e cila do të mbetet një emër për artin dhe kulturën e Kosovës e me gjerë. Sot ia kemi vendosur fotografinë dhe do të dëgjojmë 39 këngët e saj”.

“Ngushëlloj të gjithë koleget dhe familjen. Ne do t’i rrimë pranë që sado pak t’i ngushëllojmë në këtë kohë pandemie pasi nuk ka formë tjetër”, tha Dumoshi.

Për shkak të rrethanave të pandemisë, është paraparë që në ketë mënyrë të organizohet homazhi ceremonial për këngëtaren, kompozitoren e gazetaren Violeta Rexhepagiqi.

Për publikun e gjerë shqiptar, ajo u bë e njohur me paraqitjet e saja në grupin e muzikës moderne “Vivien” rreth vitit 1984, raporton EO. Gjatë asaj kohe, Violeta përfaqësoi për dy herë Kosovën në përzgjidhen e përfaqësueses së Jugosllavisë për “Këngën e Evrovizionit”.