Kryeministri Kurti kundër gjendjes së jashtëzakonshme

0
50

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi ka thënë në konferencën për medie se kryeministri Albin Kurti nuk është pajtuar që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës.

Abazi, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, tha se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme nuk shihet e nevojshme dhe duket si masë ekstreme.

“Ajo që është propozuar nga presidenti si gjendje e jashtëzakonshme, është konsideruar si masë ekstreme që është e panevojshme, që mund të interferojë me masat adekuate që ka marrë Qeveria e Kosovës. Kemi marrë lëvdatë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ambasada e Britanisë, për veprimet e duhura adekuate. Me këtë formë të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me partnerë ndërkombëtarë, do të vazhdojmë tutje. Kryeministri ka shprehur qëndrimin se nuk është në pajtueshmëri me masën ekstreme që e ka propozuar Presidenti. Mendojmë që për një gjendje të tillë duhet të përcillet situata dhe të veprohet kur e kërkon nevoja, por tani për tani është i panevojshëm dhe nuk do të duhej të merrnim një vendim të tillë tani”, tha Abazi.

Abazi tha se një mendim të tillë e ndajnë edhe nga Lidhja Demoratike e Kosovës.

Ky sipas tij ka qenë qëndrimi i Qeverisë së Kosovës dhe të gjithë ishin të mendimit që  kjo është një masë ekstreme dhe e panevojshme në këtë kohë, duke shtuar se vetëm Serbia nga shtetet e rajonit deri më tani ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme.

“Siç e theksova të gjitha masat vendimet janë marrë të përbashkëta, minstritë pa dallim kanë vepruar e janë duke vepruar në dinamikën 24-orëshe. Kjo nuk është çështje e i një individi por e institucioneve. Nuk kemi mëdyshje e asnjë dallim, edhe sonte diskutimi në fjalë nuk kishte të bënte me ndonjë qëndrim partiak. Mendimi i përbashkët ishte që kjo është masë ekstreme e panevojshme në këtë moment. I vetmi vend në rajon që ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme është Serbia. Madje as Italia nuk ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, Jemi vendi i parë që kemi marr masa të hershme, kemi mbyllur shkollat, dhe do të vazhdojmë kështu.”, tha Abazi.