Rrëfimi i Ismet Munishit, për lojtarët, ekipet dhe servilizmin e njerëzve

0
125

Ai është trajner i Klubit Futbollistik Ballkani në Suharekë dhe thotë se aty do qëndron për aq sa ka kontratën, 20 vjet.

Ismet Munishi në emisionin Oxygen ka shpjeguar pse të gjithë e quajnë Baba.

“Nuk e kam nga futbolli, por është transferuar edhe në futboll. Sporti lyp vetëbesim. Vetëbesimi i tepruar nganjëherë kalon në arrogancë, sepse me i thanë vetes Baba nuk është e mirë. Po mundohem me mbajt”, thotë ai.

Ai beson se rezultatet e mira në punë i vijnë ngase është i përkushtuar shumë.

“Kam shumë disiplinë, punoj shumë. Më thojnë që jam motivues i madh, por nuk tjetri nuk punon është e kot. I kam kalu të gjitha nëpër sport, e kjo më ndihmon që me e kuptu secilin lojtarë”, thotë Munishi.

Ai njihet si person temperament, por thotë se këtë e ka ngase nuk i nënshtrohet askujt.

“Servilizmi e mbyt kreativitetin. Ne i kemi punët kështu, sepse ne kemi faj. Ne duhet me ndryshu mentalitetin. Duhet me u ba luftëtarë më të mëdhenj. Njerëzit po ikin, unë nuk e kuptoj, unë krejt botën kam mujt me jetu por jam kthy me kontribu këtu. Kjo është tragjedi që ikin njerëzit. Këtu je me emër, ata je azilanti me një numër”, thotë ai, raporton oxygenpress.info

Kur flet për Diago Maradonën thotë se ka qenë lojtari më i mirë i të gjitha kohërave dhe ende askush nuk ja ka kaluar.

Ndërsa për Fadil Vokrrin thotë se ka qenë lojtari më i mirë shqiptarë, duke dhënë shumë detaje për të.

Thotë se për futboll duhet talent e pastaj shumë punë.

“Ka shumë futbollistë të mirë shqiptarë. Por unë them Grant Xhaka ndër më të mirët. Sepse familja e tij ka ikur nga vendi, si refugjatë, me arrit me u ba yll duhet me pas virtyte goxha të larta edhe të rralla”, thotë Munishi.

Ndërsa për kombëtaren e Kosovës thotë se janë gjasat shumë të mira që t kualifikohet. Sipas tij, Kosova është bërë shumë shpejt protagonist i grupit, ka bërë ndeshje të mira dhe djemtë kanë bërë një fushatë fantastike.

Ai beson se në katër vitet e ardhshme reprezentacioni i Kosovës do të jetë shumë shumë lartë.

Munishi thotë se Kosova duhet të ketë plan për zhvillimin e sportit, e që nënkupton që duhet investime më shumë në sporte luftarake e më pak në disa të tjera.

Për më shumë lajme për të dhe deklaratat e tij i gjeni të shkëputura në Oxygenpress në rrjetin social Facebook

*

Në vitin 2014, Munishi e fitoi titullin e kampionit të Kosovës me ekipin e Vushtrrisë, dhe u vetëquajt “baba i futbollit të Kosovës”. Munishit mund t’i njihet merita edhe për nxjerrjen në dritë të talentit më të madh që doli nga futbolli i Kosovës në arenën ndërkombëtare, Milot Rashicës. Ky i fundit, debutoi në futbollin e të rriturve pikërisht nën urdhrat e Munishit, dhe në vitin 2015 e realizoi një transfer spektakular te skuadra e Vitesses në kategorinë e parë të Holandës. Aktualisht, 7shja e Kosovës luan në Bundesligë për Werder Bremenin.

Por, sukseset e mëtejme të Munishit kanë munguar në zejen e trajnerit. Pas Vushtrrisë, ai e trajnoi Dritën e Gjilanit, ku u bë pjesë e një skandali me një gjyqtar kosovar, ndërkohë që më vonë u caktua edhe si shef i shtabit teknik të Vëllaznimit dhe Ferronikelit.

Munishi është i lindur në Gjilan, që karrierën si futbollist e nisi te Flamurtari i Prishtinës si mesfushor. Nga Flamurtari, në vitin 1996 ai realizoi një transferim mjaft të bujshëm te Maribori në Slloveni, në të cilin ka luajtur edhe në Ligën e Kampionëve dhe u bë kampion i Sllovenisë në vitin 1997. Pas Sllovenisë, Munishi kaloi në Turqi, te skuadra e Shekerspor (i njohur tash si Turanspor) në kategorinë e dytë, dhe luajti për një vit.

Nga ekipi turk, ai u rikthye në Slloveni te skuadra e Mura 05, ku luajti një vit dhe i bëri vetëm 7 paraqitje. Nga ky klub, ai u transferua te ndër ekipet më me traditë në Slloveni, Olimpia e Ljubjanës, te i cili klub u bë nënkampion i vendit në vitin 2001. Munishi në Olimpia bëri 23 ndeshje dhe i shënoi tre gola në kampionat për dy vite.

Gjatë kësaj kohe, Munishi ishte huazuar te skuadra e Maccabi Herzilyas në Izrael, dhe te Korotani përsëri në Slloveni. Pas gjithë këtyre aventurave, ai ndërroi edhe një mori skuadrash tjera, përfshirë Laçin e Shqipërisë, Vorskla Plotavan e Ukrainës, Besën e Kavajës, për të ardhur krejt në fund e për të përfunduar karrierën e futbollistit, në Kosovë, te Vëllaznimi i Gjakovës./oxygenpress.info