Gazetari nga Britania e Madhe John Sweeney dëshmon në gjykimin për krime lufte në Krushë të Vogël

0
205

Gazetari britanik, John Sweeney, më në fund ka arritur të jep dëshminë e tij në gjykimin kundër të akuzuarit Darko Sreqko Tasiç, i lindur më 20.11.1973, i cili nga Gjykata Themelore në Prizren, po gjykohet për akuzat e krimeve të luftës në Krushë të Vogël, gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Drejtësia Sot, raporton se gjykimi kundër të akuzuarit Tasiç, u përcoll me ndërprerje dhe shtyrje të vazhdueshme, për shkak të vështirësive për të siguruar praninë e gazetarit John Sweeney, në gjykim dhe insistimit të prokurores së Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari, që ai të dëgjohet si dëshmitar gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor.

Gazetari Sweeney, në cilësi të dëshmitarit deklaroi se gjatë kohës kur filluan bombardimet në Mars të vitit 1999, ai kishte shkuar në Tiranë për të mbuluar me raportim shkatërrimet nga lufta në Kosovë, ku me këtë rast kishte hasur në njerëz që po e kalonin kufirin nga Kosova në Shqipëri, të cilët ishin të rraskapitur. Pastaj, Sweeney tha se kishte biseduar me këta dëshmitar, të cilët i kishin sqaruar se në fshatin Krushë të Vogël kishte ndodhur një masakër nga forcat paramilitare serbe, në të cilën tragjedi, një numër i madh i burrave ishin ekzekutuar dhe pastaj ishin djegur në një stallë në Krushë të Vogël.

Pas kësaj, dëshmitari Sweeney, sqaroi se vendosi të bënte një dokumentar me dëshmitarët kryesor të rastit, ku dëshmitar kryesor ishte një person me emrin Mehmet, i cili kishte dy duart e djegura. Kjo për shkak se sipas Sweeneyt, edhe ai kishte qenë në stallën ku forcat serbe ekzekutuan dhe dogjën burrat nga Krusha e Vogël, por fatmirësisht ai kishte arritur që të shpëtoj dhe pastaj të largohet nga aty.

Pas përfundimit të luftës në Kosovës, më 14 qershor 1999, Sweeney tha se ka shkuar në fshatin Krushë të Vogël, i cili ishte i zbrazët nga banorët e tij, shtëpitë e shqiptarëve ishin të djegura, ndërsa ato të serbëve ishin të zbrazëta, por të padjegura. Pas kësaj, dëshmitari shtoi se kishte hyrë në shtëpitë e serbëve në Krushë të Vogël, ku kishte gjetur disa dokumente, ndër të cilët edhe dy lista të shkruara, njëra me orarin e veprimit të forcave paramilitare serbe, ndërsa tjera me emrat e këtyre pjesëtarëve, në të cilin ishte i shkruar edhe emri i të akuzuarit Darko Tasiç.

Në fund, gazetari John Sweeney, shtoi se me të shkuar në Krushë të Vogël, pas rreth një jave vizitoi lumin Drin, ku kishte parë një kamion në breg të lumit. Aty, dëshmitari tha se kishte hyrë në lum ku vërejti se në kamion ishin të theksuara njolla të pjekura të gjakut dhe një copë e vogël e ashtit. Të gjitha këto prova dhe dëshmi i kishte mbledhur dhe i kishte dërguar në Tribunalin e Hagës, lidhur me të cilat kishte dhënë dëshminë gjatë vitit 2005 dhe 2006, përfundoi John Sweeney.

Drejtësia Sot, njofton se në këtë shqyrtim gjyqësor, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ljubomir Pantoviç, disa herë paraqiti vërejtje në mënyrën e parashtrimit të pyetjeve nga prokurorja Hajdari ndaj dëshmitarit John Sweeney.

Mirëpo, prokurorja nga Prokuroria Speciale deklaroi se këtë veprim po e bënte në kuadër të suazave të lejuara ligjore dhe të gjitha pyetjet e parashtruara kanë të bëjnë me objektin e aktakuzës.

Drejtësia Sot, informon se trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Artan Sejrani dhe gjyqtarët Ajser Skenderi e Xheladin Osmani, mori vendim që shqyrtimi të ndërpritet dhe të vazhdoj më 30 dhe 31 mars 2020, në ora 10:00.

Në këto seanca gjyqësore, pritet që të jep mbrojtjen e tij i akuzuari Darko Tasiç dhe të jepet fjala përfundimtare e palëve në procedurë, pas së cilës do të shpallet aktgjykimi kundër të akuzuarit Tasiç.