Të hënën ditë për mbledhje të Kryesisë, ndërsa të enjten mbledhjet plenare të Kuvendit

0
75

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Vjosa Osmani, kryetare, në të cilën ishin të pranishëm edhe kryetarët e grupeve parlamentare, diskutoi lidhur me formimin e komisioneve parlamentare, si dhe aspekte të tjera të funksionalitetit të punës në Kuvend.

Fillimisht, kryeparlamentarja Osmani u shprehu anëtarëve të Kryesisë dhe kryetarëve të grupeve parlamentare, urime për detyrat e tyre dhe njëkohësisht shfaqi interesimin dhe gatishmërinë e plotë për bashkëpunim, në funksion të avancimit të punës së Kuvendit dhe interesit të qytetarëve.

Duke hyrë në rend dite, Kryesia vendosi që numri i komisioneve parlamentare të mbetet 14, ndërsa bëri disa ndryshime në emërtime dhe përgjegjësitë e tyre, si në vijim: Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Komisioni për Integrim Evropian, Komisioni për Buxhet dhe Financa, Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, Komisioni për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Media, Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, Komisioni për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Përzgjedhja e komisioneve nga ana e grupeve parlamentare pritet të bëhet në mbledhjen e radhës të Kryesisë.

Gjatë kësaj mbledhjeje, Kryesia u njoftua edhe lidhur me kërkesën e Thesarit të shtetit përkitazi me buxhetin. Kryetarja Osmani bëri të ditur se Kuvendi është në pritje të vendimit të qeverisë nëse do të procedojë Projektligjin për buxhetin apo vendimin për zgjatjen buxhetore edhe për muajin mars.

Me propozim të kryetares Osmani, Kryesia u dakordua po ashtu që Kuvendi të ndërtojë një agjendë të rregullt pune, duke e përcaktuar të hënën si ditë për mbledhje të Kryesisë, ndërsa të enjten të mbahen mbledhjet plenare të Kuvendit.

Ndër të tjera, Kryesia diskutoi edhe për funksionalizimin e bordeve të disa institucioneve të pavarura, për hapësirat e punës për deputetë, për lehtësimin e qasjes në hapësirat e Kuvendit të personave me nevoja të veçanta, si dhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj. ​