Në përkujtim të grave/vajzave të vrara në Kosovë; nënshkruaj edhe ti se do të jesh aktiv kundër dhunës ndaj grave

0
119

Në kuadër të shënimit të 16 ditëve të aktivizmit, SIT – Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime do ta mbajë aktivitetin “Tregimi i Fundit”, në përkujtim të viktimave të femicidit (vrasja e grave/vajzave veçanërisht nga burrat, për shkak të gjinisë së tyre) në periudhën e pas luftës në Kosovë.

Aktiviteti do të zgjasë nga 25 deri më 27 nëntor 2019, dhe ndodhet përballë ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe është i hapur për të gjithë.

Historitë e grave/për gratë viktima të femicidit do të vendoset në shesh dhe njerëzit që kalojnë nëpër të do ta kenë rastin t`i lexojnë këto storje, për ta parë një përshkrim të dhunës që gratë në Kosovë e përjetojnë përgjatë vitit, vit pas viti.

Këto tregime u përgjigjen pyetjeve “Kush? Kur? Si? Cfarë?”, dhe shpresojmë me këtë rast të përcjellim mesazhin edhe tek mediat tona se këto janë pyetjet që kanë rëndësi në raportimet për rastet e dhunës dhe jo pyetja “Pse?” – sepse dhuna nuk ka arsyetim!

Në fund të instalacionit, do të jetë një deklaratë e “zotimit publik” ku të gjithë ne zotohemi se do të jemi aktivë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Deklarata është e hapur për nënshkrim nga të gjithë. Ejani!

16 Ditët e Aktivizmit është pjesë e projektit “Burrat dhe djemët si partnerë në promovimin e barazisë gjinore dhe parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit tek të rinjtë në Ballkan” i implementuar nga CARE International Balkans në partneritet me SIT – Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime dhe YMCA në Kosovë mbështetur nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA), OAK Foundation dhe Ambasada e Suedisë në Prishtinë.