Fëmijët në Madagaskar punojnë nga 13 orë në ditë në temperatura të larta

0
101

Minerali që përdoret për prodhimin e aeroplanëve, veturave, telefonave mobil, ngjyrat, kozmetikë dhe izolim termal, nxirret nga toka nga fëmijët në Madagaskar.

Një hulumtim i realizuar nga NBC News që do të transmetohet në disa pjesë, trajton çështjen se si fëmijët i kalojnë 13 orë në ditë në temperatura të larta, duke gërmuar dhe kërkuar mineralin Mica.

Fëmijët duke punuar në një minierë në Madagaskar, janë ankuar se kanë probleme shëndetësore në veçanti në sistemin respirator

Reporterja që ka shkuar në Madagaskar ka bërë të ditur se ka biseduar me disa kompani të atjeshme që merren me nxjerrjen dhe shitjen e Micas, duke pranuar se menaxhmenti i tyre është i vetëdijshëm se fëmijët janë faktori kyç i biznesit të tyre.

“Na thonë se nuk mund të bëjnë asgjë për këtë”, thotë Cynthia McFadden.

Pamjet e saj nga vendi i ngjarjes shfaqin momentin kur një burrë lavdëron fëmijët dhe duart e tyre të vogla për punën e mirë. Në mesin e punëtorëve në minierë, është edhe një nënë e re e katër fëmijëve, të moshës deri në 5 vjeç.

Fëmijët dhe të rriturit mbushin thasët me mineralin Mica që më pas transportohet me kamionë

“Shohim nënën e katër fëmijëve duke punuar në temperatura shumë të larta dhe që është më e keqja nuk ka ku të freskohet. Tashmë ka kryer pesë orë të punës, e aty do të jetë edhe gjashtë orë tjera. Të gjithë punojnë përpos bebeve. Ata pesë e ndajnë një filxhan me oriz në ditë. Kjo është e gjitha çfarë mund të bëjnë me tre dollarët e fituar në javë”, shtoi Cynthia.

Situata është edhe më e rëndë, pasi që miniera gjendet në një vend të izoluar, ku varfëria mbizotëron në çdo vend, kështu që punëtorët detyrohen ta kryejnë këtë punë për të mbetur gjallë.

“Kjo zonë është larg vendeve të frekuentuara (qyteteve të mëdha), për këtë rrallë kush i viziton. Ekziston “zona e kuqe” në të cilën ndalohet hyrja për shkak të dhunës lokale që mbizotëron”, shpjegon Cynthia.

Sipas saj, punëtorët flenë në kushte tejet primitive pa kanalizim. Por Cyntia shpreson që ky zbulim i saj do të ndryshojë këtë situatë të trishtë në të cilën ajo ishte dëshmitare.

“Kjo histori po më ha përbrenda, më bën shumë nervoze”, ka thënë për fund ajo. / telegraf