Prishtina e mundi Dritën me golin e Armend Thaçit

0
47

Prishtina ka shënuar fitore në derbin e javës së 11-të në Ipko Superligë, duke e mposhtur Dritën, me rezultat 1:0. Golin e fitores për bardhekaltrit e kryeqytetit në ndeshjen e zhvilluar në orët e mbrëmjes në stadiumin “Fadil Vokrri” e realizoi Armend Thaçi, në minutën e 82-të, kur e shndërroi në gol një asistim të Mankendas.

Prishtina ishte më këmbëngulëse për të gjetur golin që nga fillimi i ndeshjes, teksa mysafirët nuk arritën po thuajse asnjëherë ta rrezikojnë portën e Visar Bekajt. Me këtë fitore skuadra e Armend Dallkut ngjitet në pozitën e katërt me një pikë më pak se Drita, e cila me këtë humbje mbetet në pozitën e tretë pas javës së 11-të.

Ndërkaq, më herët gjatë ditës së sotme Ballkani ka shënuar fitore para tifozëve të vet në duel me Flamurtarin, me rezultat 3:1. Golat për Ballkanin i shënuan Blend Baftiu, në minutën e 24-t, Artur Magani, në minutën e 47-të dhe Jetmir Topalli, në minutën e 64-t, derisa golin e vetëm për kuqezinjtë e kryeqytetit e shënoi Granchov, në minutën e 71-të.