Fjala e ambasadorit amerikan gjatë vënies së gurthemelit të statujës së senatorit Doll

0
97

Kryeministër në detyrë, zonja dhe zotërinj, është kënaqësi që jam këtu dhe dëshiroj të falënderoj qeverinë e Kosovës, komunën e Prishtinës dhe Odën ekonomike amerikane të Kosovës për mundësimin e këtij çasti frymëzues. Alisoni dhe unë jemi tepër të nderuar që jemi dëshmitarë të vënies së gurthemelit dhe e di se senatori Bob Doll është prekur thellë nga ky nderim.

Gjatë tërë jetës së tij në shërbim – si hero i ushtrisë amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Kongresin e SHBA-së, si kandidat për president të SHBA-së dhe tani si njëri ndër burrështetasit më të respektuar – Bob Doll ka qenë prijës për promovimin e kauzës së lirisë nëpër tërë botën. Prandaj nuk ishte fare befasi që ai u bë mbështetës i pazevëndësueshëm i Kosovës – duke qëndruar përkrah popullit të këtij vendi në përpjekjet tuaja për ta ndërtuar një shtet të fortë dhe të lirë.

Qeveritë tona nuk do të pajtohen gjithmonë rreth politikave dhe do të duhet punë e mundimshme për ti mbajtur në vijë të njëjtë pozicionet tona përderisa partneriteti i Kosovës me SHBA-në piqet.  Por, e kemi parë se miqësia e qëndrueshme ndërmjet popullit të Amerikës dhe atij të Kosovës nuk varet nga ndonjë parti e posaçme politike apo udhëheqës individual.

Prandaj, është më se e përshtatshme që sot po qëndrojmë në këndin e rrugës “Bob Doll” dhe bulevardit “Bill Klinton”, rrugë këto të emërtuara për nder të dy burrave nga parti të ndryshme politike që për kohë të gjatë kanë qenë rivalë politikë.  Përkundër dallimeve të tyre në politikë, ata arritën të bëheshin miq të mirë që kishin të përbashkët dashurinë për vendin dhe përkushtimin për shërbim dhe bashkëpunuan kurdoherë që mundën. Të gjithëve do t’na bënte mirë ta përqafonim filozofinë e Bob Dollit se në politikë “kemi kundërshtarë e jo armiq”. Prandaj, sot le të përqendrohemi në historinë dhe vlerat e përbashkëta që i kanë bërë bashkë popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe atë të Kosovës. Dhe ky monument i Bob Dolit të frymëzojë përpjekjet e ripërtërira për të ndërtuar për fëmijët e Kosovës një atdhe çfarë e meritojnë – Kosovën në paqe me fqinjët e saj, me barazi në drejtësi dhe mundësi të barabarta për të gjithë.