Rekrutimi i vajzave në futboll – Turne interesant

0
100

Rajoni i Llapit vazhdimisht ka prodhuar talente të futbollit tek meshkujt, por tanimë kjo pjesë e vendit ka filluar të japë talente futbolli edhe në konkurrencën e femrave. Kjo gjë u dëshmua edhe në turneun e radhës nën moton ”Ti mund ta bësh- You can do it” në kuadër të projektit të FFK-së “Rekrutimi i vajzave të reja shkollore në futbollin e organizuar”, i cili u mbajt për dy ditë në komunën e Podujevës, me pjesëmarrjen e 12 shkollave. Në hapjen e këtij turneu kryetarja e Komisionit të Futbollit të femrave dhe njëherësh anëtarja e KE të FFK-së, Vjollcë Krasniqi, pasi i ka njoftuar të pranishmit për ecurinë e këtij projekti, i cili po zhvillohet për të dytin vit radhazi, ndër të tjera theksoi: “Llapi ka dhënë shumë futbollistë të shquar dhe me të drejtë vlerësohet si vatër e futbollit. Edhe legjenda dhe presidenti ynë tashmë i ndjerë, Fadil Vokrri ka qenë nga kjo trevë, me të cilin jemi krenuar të gjithë. Besoj fuqishëm se nga kjo trevë do të dalin edhe shumë futbolliste të talentuara. Shihet se këtu ka brumë dhe këtë e dëshmon aktiviteti i KFF ‘Llapi’ nën drejtimin e Driton Rrahmanit, prandaj vetëm duhet t’u japim hapësirë dhe mundësi këtyre talenteve. E ky projekt është pikërisht për këtë qëllim”.  Ndërkaq, Labinot Podvorica, në emër të Shoqatës së Pedagogëve të Edukatës Fizike dhe Sportit në KK të Podujevës ka falënderuar FFK-në për realizimin e këtij projekti dhe për përkrahjen që u ka dhënë shkollave pjesëmarrëse me topa futbolli.
Gjatë dy ditëve të garave është vërejtur entuziazëm tek vajzat e reja për lojën e futbollit, derisa janë zhvilluar edhe lojëra interesante, ku janë spikatur edhe disa talente që në të ardhmen pritet të përfshihen në KFF “Llapi”. Garat e këtij turneu krahas kryetares Vjollcë Krasniqi janë mbikëqyrë  edhe nga menaxherja e futbollit ë femrave znj. Valbonë Gashi-Uka, përzgjedhësi i kombëtareve U16 e U19 të femrave, Kushtrim Munishi, trajneri i KFF ‘Llapi’, Driton Rrahmani si dhe një numër i madh i arsimtarëve të edukatës fizike.

Garat u zhvilluan me sistem të eliminimit, ku në fund fitues i turneut doli SHFMU “Naim Frashëri”, që në finale e mundi ekipin e SHFMU “Shefki Latifi”, me rezultat 1:0. FFK-ja për të gjitha shkollat pjesëmarrëse ka dhuruar nga 6 topa të futbollit, derisa për ekipet më të mira janë ndarë kupa dhe mirënjohje. Në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve krahas Vjollca Krasniqit ka marrë pjesë edhe drejtoresha për Kulturë, Rini e Sport në KK të Podujevës, Donika Sfishta.

Rezultatet
Rrethi i parë
SHFMU “Enver Maloku” – SHFMU “Lasgush Poradeci” 2:0
SHFMU “Naim Frashëri” – SHFMU “Xheladin Rekaliu” 6:0
SHFMU “Ibrahim Rugova” – SHFMU “Shefki Latifi” 0:1
SHFMU “Afrimi e Fahriu” – SHFMU “Pavarësia” 0:2
SHFMU “Hamit Sejdiu” – SHFMU “Hyzriu e Samiu” 3:0
SHFMU “Dëshmorët e Kombit” – SHFMU “Eqrem Qabej” 0:2

Rrethi i dytë
SHFMU “Enver Maloku” – SHFMU “Naim Frashëri” 0:6
SHFMU “Shefki Latifi” – SHFMU “Pavarësia” 2:0
SHFMU “Hamit Sejdiu” – SHFMU “Eqrem Qabej” 3:1

Gjysmëfinalja
SHFMU “Naim Frashëri” – SHFMU “Hamit Sejdiu” 5:1
SHFMU “Shefki Latifi” pa lojë

Finalja
SHFMU “Shefki Latifi” – SHFMU “Naim Frashëri” 0:1