Edhe dy komuna nxjerrin urdhëresa kundër vrasjes dhe keqtrajtimit të qenve

0
80

Ndëshkimi për personat që e shkelin këtë urdhëresë, do të jetë gjobë deri në 5 mijë euro.

E komuna e Pejës dhe ajo e Gjakovës kanë nxjerrur urdhëresa që ndalojnë vrasjen dhe keqtrajtimin e kafshëve, përfshirë këtu edhe garat mes qenve.

Në urdhëresën e nënshkruar nga kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, thuhet ndër të tjerash që Drejtoria për Inspektim do ta monitorojë zbatimin e kësaj urdhërese.

“Me këtë urdhëresë ndalohet vrasja, keqtrajtimi, eksperimentimi i kafshëve pa licensë, operimi kirurgjik me qëllim të modifikimit të dukjes së kafshës me të cilën largohet apo dëmtohet cila do pjesë e grupit, importimi dhe shitja e kafshëve agresive në kundërshtim me dispozitat e Ligjit, transportimi i kafshëve pa certifikatë, tregtimi i kafshëve në kundërshtim me dispozitat ligjore, organizimi i garave në të cilat testohet fuqia apo shpejtësia e kafshës, me ç ‘rast kafsha mund të pësojë dhembje, lëndime apo ngordhje”, thuhet ndër të tjerash në këtë vendim.

Një ditë më pas vendim të ngjashëm ka marrë edhe komuna e Gjakovës.

Deri më tash, urdhëresë për ndalimin e vrasjes dhe keqtrajtimit të kafshëve kanë marrë edhe komunat e Rahovecit dhe Vushtrrisë.