Rreth 43% e qytetarëve nuk e përkrahin grevën e SBASHK-ut

0
44

Kompania Pyper, e specializuar për grumbullimin e të dhënave dhe matjen e opinionit publik, së fundmi ka realizuar sondazhin “Greva në Arsim”. Me qëllim të matjes së perceptimit të qytetarëve, Pyper ka realizuar sondazhin “Greva në Arsim” në të cilin kanë marrë pjesë 1100 respondentë nga 29 komuna të Kosovës ku 22% e respondentëve janë nga Prishtina, 11% nga Pejë, 8.37% nga Prizreni etj.  Nga e gjithë mostra, rreth 46% e respondentëve i përkasin grup moshës 21 – 30 vjeç.

Vlen të theksohet se 27.79% e respondentëve janë shprehur se përkrahin pjesërisht kërkesën e mësimdhënësve, kurse 29.43% e respondentëve përkrahin plotësisht kërkesën. Mirëpo, përqindja e pjesëmarrësve në sondazh që nuk përkrahin aspak kërkesën e mësimdhënësve arrin në 42.78%.

Ky opinion është reflektuar edhe në pyetjen nëse mësimdhënësit paguhen mjaftueshëm, ku 56.04% e respondentëve janë shprehur se ata paguhen mjaftueshëm.

Po ashtu, shumica e qytetarëve besojnë se greva në arsim ndikon negativisht te nxënësit/studentët, gjegjësisht, 84.11% e respondentëve besojnë se ndikimi i grevës tek nxënësit/studentët është negativ, e këtij rezultati i shtohet edhe fakti se 38% e respondentëve që kanë marrë pjesë në sondazh janë nxënës ose studentë.

Qytetarët janë shumë të ndarë sa i përket zgjidhjes për grevën në arsim. Rezultatet tregojnë që 42.87% mendojnë se qeveria duhet t’i pranojë të gjitha kushtet e SBASHK-ut për rritjen e koeficientit të pagave kurse 38.51% mendojnë se qeveria nuk duhet t’i pranojë kërkesat e grevistëve.

Rreth Pyper…

Pyper është platformë e avancuar teknologjike që ka për qëllim grumbullimin dhe hulumtimin e të dhënave në mënyrë profesionale dhe matjen e opinionit publik me qëllim që t’i jepet fuqi shprehjes së lirë të mendimit.

Regjistrimi në Pyper bëhet pasi të shkarkohet aplikacioni në telefonët e mençur me sisteme operative iOS ose Android dhe pas regjistrimit respondentët mund të marrin pjesë në sondazhe.

Të regjistruarit kanë mundësinë të marrin pjesë në sondazhe të cilat janë atraktiv dhe përfshijnë një gamë të gjerë të sferave jetësore. Për secilin sondazh të plotësuar, ekziston mundësia e fitimit të bonuseve të cilat vijnë në formë të “rollers” që mund të konvertohen në mbushje telefonike.