Kaq do të kushtojë bileta për linjën Prishtinë-Aeroport

0
212

Së shpejti do të lëshohet për qarkullim linja e autobusit nga Prishtina për në Aeroportin e Prishtinës. Për këtë është nënshkruar marrëveshja ndërmjet ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe i Transportit, Rexhep Kadriu, sot për televizionin publik tha se mungesa e deritashme për linjën e autobusit Prishtinë-Aeroport është si pasojë e mos vullnetit nga ana e ministrave të kaluar.

“Kemi pasur mbi 2 milionë pasagjerë nga ANP-ja dhe ka qenë e padrejtë që të mos kemi pasur linjë të autobusit”, tha Kadriu.

Sipas tij nga e hëna do të krijohet një komision me komunën e Prishtinë ku do të vendoset për linjat e autobusit dhe për çmimin që do të paguajnë udhëtarët.

“Nuk do të shkojë më shumë se 3 euro bileta e autobusit nga Prishtina deri në Aeroport”, tha Kadriu.

Ai bëri me dije se kanë investuar shumë në komunat e Kosovës ku veçohet edhe Prishtina, përcjell buletiniekonomik.

“Rruga e Veternikut ka mbetur një greminë. Ne kemi gjetur me një projekt të shpallur, ka qenë pa koordinim me Prishtinën. Do të ndërtohet Rruga “A”, e cila lidh Kalabrinë me lagjen ‘Mat’”, tha ai.