I lindur dhe rritur në Prizren, ai aktualisht është ndër figurat më të njohura në Kosovë.
Babai i tre djemve, ai ka zgjedhur si mënyrë të punës dhe veprimit në jetë, që të identifikojë jetim dhe familje në nevojë, qoftë financiare apo për probleme shëndetësore.
Në vitin 2009 themeloi Shoqatën Jetimat e Ballkanit, e cila tek në tri vitet e fundit u bë e njohur dhe realizoi shumë projekte të mëdha.
Aty ai edhe merr pagë, të cilën e ka dedikuar për fëmijët e sëmurë, e edhe për djalin e tij, që është autist, e që së fundmi ka humbur shikimin.
Punon me shumë të rinj, por Shoqatën e hapi pas idesë që i erdhi sa ishte refugjat në Itali. Atje u ushqy në kuzhinë humanitare, ku edhe mori idenë dhe e realizoi në Kosovë.
Tri të tilla që i hapi, atë në Pejë e menaxhojnë ende, dy të tjerat kanë kaluar te Bashkësia Islame e Kosovës.
Shumë i ri ishte në Haxh, së fundmi edhe në Umre, dhe deklaron se ata që ndihmojnë përmes kësaj Shoqate janë të gjithë shqiptarë.
Me miliona euro janë ndihmat që i kanë dhënë, ku Kastrati thotë se të gjitha të hyrat janë të deklaruara te shteti me emër dhe dihet saktë shuma kush sa kanë dhuruar.
Kjo Shoqatë ndihmon në gjithë vendet ku ka shqiptarë. Së fundmi, më 28 nëntor ai ka dhuruar 28 shtëpi për familje në nevojë, ndërkohë në emisionin Oxygen Show ka bërë të ditur se më 17 shkurt do i dhurojnë 17 banesa.
Kastrati shpjegon se secila familje që ndihmohet kalon nëpër një verifikim të gjatë, derisa të saktësohet se ka me të vërtetë nevojë për ndihmë, apo për çfarë ka më shumë.
Në shumë familje, kanë punësuar kryefamiljarin, e edhe japin pagë për dy fëmijë kur një familje, pa kryefamiljar, ka katër apo edhe më shumë fëmijë.
Halil Kastrati është teolog, ku ka studiuar në Jemen, por nuk diplomoi ngase erdhi për të luftuar për atdheun. Aktualisht studion psikologjinë.
Ai ka një vëlla të zhdukur, gjatë luftës së fundit në Kosovë, fati i të cilit asnjëherë nuk dihet. Ndërkohë, vet Halili as që ka aplikuar për veteranë.
Ai i kërkon falje familjes së tij, veçanërisht djalit autist, që shumëherë nuk ka qenë pranë tij, ngase ishte në teren për të identifikuar familje në nevojë. Shoqata e tij ndihmojnë edhe njerëz që kanë nevojë për shërim, dhe nuk kanë mundësi financiare.
Ai i është falënderues të gjithë atyre që ndihmojnë, dhe beson që në 3 vitet e ardhshme, nëse vazhdohet me këtë ritëm do të zbutet varfëria mjaft shumë.
Teksa përmend tashmë të ndjerin Riza Lluka, që sipas tij, ishte iniciatori dhe personi që e shtyu dhe e ndihmoi që të arrinte deri këtu.
Altruisti Halil Kastrati ka një ëndërr, që të ndërtohet Jetimorja në Kosovë, ku sipas planit të tij, do përdorej si shtëpi e pleqve e edhe strehë për ata që nuk kanë./OxygenPress.info