“Po të dhuroj këtë poezi”- poezi nga Jimmy Santiago Baca

0
90

Po të dhuroj këtë poezi

meqenëse s’kam ç’të të jap më shumë.

Mbaje si një pallto të ngrohtë

që të mbështillesh kur t’ia behë dimri,

a si një palë çorape të trasha

që të ftohtët s’mund t’i depërtojë.

 

Të dua,

 

S’kam ç’të të jap më shumë

veç këtij misërniku

që barkun në dimër të ta ngrohë,

një shall për kryet, që flokët të

mbulosh, fytyrën të mbështjellësh.

 

Të dua,

 

Mbaje fort, vlerësoje

siç shtegun do kërkoje, në ke humbur,

në këtë xhungël që bëhet jeta kur rritemi;

dhe në skutën e sirtarit

fshihe, si një kolibe a një kasolle

në një pyll të dendur, eja trokit,

e unë do t’përgjigjem, rrugën do të t’prij,

pranë zjarrit do të t’ngroh,

ndanë tij të pushosh, e sigurt të ndihesh.

 

Të dua.

 

Është gjithë ç’mund të të jap,

dhe gjithë ç’lypset për të jetuar,

për të vazhduar jetën brenda,

kur botës jashtë

s’i bëhet vonë në gjallë je apo ke vdekur;

mos harro,

 

Të dua.