Instituti EPIK tregon hapat kushtetues deri tek arritja e marrëveshjes me Serbinë

0
50

Sipas Institutit EPIK janë katër hapa kushtetues që duhet respektuar për të arritur deri te marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi.

Përmes një komunikate për media, EPIK thotë se që nga shpallja e Pavarësisë, me 17 shkurt 2008, Kosova ka arritur të konsolidoi shtetësinë duke u njohur nga më shumë se 100 vende të botës.

“Kosova i takon sistemit të demokracive kushtetuese parlamentare, ku vetëm Kuvendi ka të drejtën për kontroll mbi negocimin dhe lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare nga neni 18.1 i Kushtetutës, përkatësisht lidhur me çështjet që kanë të bëjnë, ndër tjera, me territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake etj. Në shumicën e shteteve qe i takojnë sistemit kushtetues parlamentar, kontrolli mbi negociatat për këto marrëveshje ndërkombëtare dhe vetë lidhja e tyre rregullohen me ligj te veçante ku shprehimisht përcaktohet mënyra e fitimit te mandatit dhe kushtet e negocimit për çështjet që kanë të bëjnë me territorin dhe çështjet tjera të sipërpërmendura”, thuhet në njoftimin e EPIK.

Ky është publikimi i plotë i Institutit EPIK:

Që nga shpallja e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më 17 shkurt 2008, Kosova ka arrit të konsolidoj shtetësinë e saj duke u njohur nga më shumë se 100 vende të botës si shtet sovran dhe i pavarur. Çështja e pavarësisë së Kosovës dhe raportit të saj me të drejtën ndërkombëtare është konfirmuar edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, si organi më i lartë gjyqësor i bashkësisë ndërkombëtare, i cili ka legalizuar Deklaratën e Pavarësisë si normën bazike të Kushtetues tonë.

Kosova i takon sistemit të demokracive kushtetuese parlamentare, ku vetëm Kuvendi ka të drejtën për kontroll mbi negocimin dhe lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare nga neni 18.1 i Kushtetutës, përkatësisht lidhur me çështjet që kanë të bëjnë, ndër tjera, me territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake etj.

Në shumicën e shteteve qe i takojnë sistemit kushtetues parlamentar, kontrolli mbi negociatat për këto marrëveshje ndërkombëtare dhe vetë lidhja e tyre rregullohen me ligj te veçante ku shprehimisht përcaktohet mënyra e fitimit te mandatit dhe kushtet e negocimit për çështjet që kanë të bëjnë me territorin dhe çështjet tjera të sipërpërmendura. Në Kosovë ketë e bënë ligji respektiv që normon materien e lidhjes dhe përfundimit te zbatimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Kuvendit dhe askujt tjetër i takon që, në cilësinë e përfaqësuesit të sovranit, të marrë vendim lidhur me formatin e dialogut me Serbinë përmes një vendimi të detyrueshëm që themelon dhe mandaton një trupë me një shumicë te kualifikuar për dialogim me Serbinë me qëllim të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve substanciale me këtë shtet dhe që kanë të bëjnë me çështjet nga neni 18.1 i Kushtetutës.

Një vendim i tillë i Kuvendit i miratuar sipas dispozitave të nenit 18.1 të Kushtetutës asnjëherë nuk mund të ketë formën e rezolutës apo të një vendimi tjetër që nuk ka fuqi juridikisht të detyrueshme. Nuk ka asnjë logjikë juridiko-kushtetuese, politike dhe morale që Kuvendi të legjitimoj një dialog që prek çështjet nga neni 18.1 dhe që mëton të mbyllet me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme me një dokument që vetë nuk ka fuqi juridikisht të detyrueshme dhe nuk plotëson kërkesën e nenit 18.1 për një shumicë te kualifikuar në të gjitha fazat.

Mungesa e legjitimitetit politik në dialogun me Serbinë përbën një kusht thelbësor për suksesin apo dështimin e dialogut: palët që dialogojnë dhe nuk kanë kohezivitet të brendshëm asnjëherë nuk mund të jenë garant të vënies në jetë të detyrimeve të marra përmes dialogut. Kjo pasqyrohet më së miri në rastin e demarkacionit me Malin e Zi.

Nuk duhet harruar kurrë qe çështjet nga neni 18.1 i Kushtetutës prekin thelbin e identitetit kushtetues dhe nacional të Kosovës, sovranitetin dhe integritetin territorial që çdo herë dhe në çdo fazë kërkon shumicën e votës prej dy të tretave të të gjithë deputetëve të sovranit, pra 80 deputet.

Në kuadër të zhvillimeve të fundit lidhura me arritjen e marrëveshjes me Serbinë, Instituti EPIK nënvizon që duhet respektuar me përpikëri rrugën juridiko-kushtetues të procesit për të ardhur deri te një konsensusi politik, dhe jo e kundërta.

Në këtë drejtim, konsiderojmë se janë 4 hapa kushtetues që duhet respektuar për të arritur deri te marrëveshja përfundimtare me Serbinë.

Fillimisht, Kuvendi duhet të votoj me 8o vota ekipin negociator, platformën negociuese dhe kufizimet e mandatit negociuese. Për të evituar çdo mundësi që territori jetë objekt i diskutimit në negociata në kuadër të kufizimeve të këtij mandati, Instituti EPIK konsideron se duhet të këtë një pikë të veçantë, si vijon: Asnjë institucion qendror kushtetues nuk ka të drejtë të negocioj çështje që kanë për objekt diskutimi territorin e Republikes së Kosovës.

Pas votimit të ekipit negociator, platformës negociuese dhe kufizimit të mandatit negociues, ekipi negociator ka për obligim që të zhvilloj negociatat nën kontroll të Kuvendit, ku pas çdo raundi negociatave është i obliguar të raportoj në seancë plenare të Kuvendit.

Në fund procesit negociator, marrëveshja e negociuar duhet të ratifikohet në Kuvendin e Republikes së Kosovës me 80 vota të të gjithë deputetëve.

Nga kjo që u tha më lartë, nëse analizojmë sistemet qeverisëse të vendeve të Bashkimit Evropian ekzistojnë tri sisteme të qeverisjes: presidencializmi, gjysëm-presidencializmi dhe parlamentarizmi. Ky i fundit përbënë formën më dominuese të kushtetutave Evropiane. Në të gjitha këto vende, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si sistem i pastër presidencial, i takon vetëm Kuvendit dhe askujt tjetër për të negociu dhe vendos çështjet që kanë për objekt territorin, paqen, luftën dhe kufijtë shtetëror.

Në fund, gjeni bashkëngjitur dy infografika që sqarojnë hapat kushtetues për arritjen e marrëveshjes me Serbinë, si dhe baza ligjore e negocimit të marrëveshjeve që prekin rendin kushtetues dhe territorin shtetëror.