Moti i keq paralizon tërë Evropën

0
107

Kaos dhe ankth kanë shkaktuar temperaturat e ulëta si dhe reshjet e dendura të borës në shumë qytete të Evropës. Situatë më e rëndë paraqitet në Gjermani, Zvicër, Austri, si dhe Greqi ndërkaq pritet përkeqësim edhe në Turqi si dhe në vendet e Ballkanit.

Reshjet e shumta të dëborës kanë bërë që në Gjermani të anulohen të paktën 120 fluturime ndërkaq rreth 70 të tjera të vonohen  për më shumë se një orë në aeroportin e Mynihut. Zëdhënësja e aeroportit ka thënë se është e vështirë të vlerësohet nëse do të ketë edhe më shumë anulime gjatë ditës, por ka shtuar se duhet të presim dhe të shohim ndryshimet e motit. Po ashtu edhe trenat kanë ndërprerë udhëtimet, autoritetet kanë thënë se kanë qenë të detyruar të bëjnë një gjë të tille sepse disa pemë kanë rënë dhe kanë bllokuar binarët ndërsa pastrimi i tyre ka qenë i mundshëm vetëm pas përmirësimit të kushteve klimatike.

Si pasojë e motit të keq gjatë ditës së djeshme në Greqi një grua u gjet e vdekur ndërkaq dy burra të tjerë rezultojnë të zhdukur pas stuhive të mëdha që goditën një pjesë më të madhe të Greqisë. Trupi i 66 vjeçares u gjet në një makinë të përmbysur pranë një përroi në një rajon të Athinës.

Ndërkohë që edhe disa pjesë të Kroacisë janë mbuluar nga dëbora, ku edhe është ndaluar qarkullimi për kamionët me rimorkio. Në Malin e Zi është shpallur alarm i kuq për shkak të reshjeve të mëdha të borës, ndërkohë që edhe Bosnje Hercegovina si dhe Serbia poashtu janë përfshirë nga mot i keq me shira të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta. Në Shqipëri raportohet poashtu për temperatura të ulëta, ku në Dibër 115 familje kanë mbetur të bllokuara dhe pa ujë si pasojë e ngricave ndërkohë që dyshohet se vdekja e një personi është shkaktuar nga i ftohti.

Moti i keq ka përfshirë edhe një sërë rajonesh të Italisë. Siç raportohet, njerëzit atje ankohen se shërbimet e pastrimit janë dërguar vetëm në rrugët kryesore, ndërkohë që shumë tjera mbeten të mbuluara nga bora./AlsatM