Ky fakt dëshmon pse Ronaldo është “Fenomeni”

0
37

Sulmuesi legjendar brazilian, Ronaldo, ndryshe njihet edhe si Fenomeni. Shumëkush e vlerëson si futbollistin më të mirë të të gjitha kohëve, duke insistuar se ka qenë më i mirë se Pele e Maradona, por  edhe se Cristiano Ronaldo e Lionel Messi.

Më 23 dhjetor të vitit 1997, Ronaldo fitoi trofeun e tij të parë të “Topit të Artë” në kulmin e karrierës. R9 sapo ishte transferuar tek Inter Milan nga Barcelona, për atë që asaj kohe ishte një shumë rekord shitje, për t’u vlerësuar me 222 pikë, duke lënë pas vetes rivalin Predrag Mijatovic.

Ronaldo, i cili sapo kishte mbushur 21 vjeç, u bë futbollisti më i ri në histori që fitonte trofeun e “Topit të Artë”, një rekord që vazhdon ta mbajë Fenomeni. Braziliani legjendar shënoi plot 47 gola në 49 ndeshje në sezonin 1996/97 për Barcelonën, përpara se të transferohej tek Inter për shumën e 28 milionë, për të vijuar më tej me fitimin e trofeut të dytë të “Topit të Artë”, pesë vite më vonë, kur ishte rikthyer në Spanjë, kësaj here te Real Madrid. Në nivel klubesh, Fenomeni realizoi 352 gola, duke shënuar edhe 62 të tjerë në 98 ndeshje për Kombëtaren braziliane, me të cilën fitoi Kupën e Botës në 2002.

Rekordi i tij mbetet i pathyeshëm tash e 21 vjet dhe është vështirë të parashikohet një futbollist që do ta arrijë suksesin e tij. Kylian Mbappe mbase mund të jetë ai./OxygenPress.info