Mogherini takon liderët e Ballkanit Perëndimor

0
147

Federica Mogherini, përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian, ka mbajtur një takim joformal me liderët e Ballkanit Perëndimor me të cilët ka diskutuar për progresin e arritur në rajon më 2018.

Sipas njoftimit për këtë takim, liderët kanë shprehur mbështetje për dialogun Kosovë – Serbi.

Aty është cekur se “liderët janë pajtuar me Përfaqësuesen e Lartë në nevojën për zhvillimin e progresit dhe vazhdimin e fokusit në rrugët drejt Bashkimit Evropian dhe reformat e nevojshme të brendshme, në funksion të arritjes së progresit në kohë për Këshillin e qershorit 2019”.

“Federica Mogherini theksoi se partnerët e Ballkanit Perëndimor, tani më shumë se kurrë duhet të punojnë bashkë për të çuar përpara objektivin e përbashkët të integrimit në BE, për të konsoliduar paqen dhe sigurinë dhe për të investuar në bashkëpunimin e mëtejmë rajonal, për të mirën e të gjithë qytetarëve të rajonit”, thuhet në njoftim, shkruan buletiniekonomik.

Më tej aty thuhet se liderët e Ballkanit Perëndimor kanë shprehur mbështetje të fortë për Marrëveshjen e Prespës dhe për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjore në dialogun Prishtinë – Beograd.

Gjithashtu, thuhet se liderët janë angazhuar për të punuar për të çuar përpara marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe të pajtimit “duke u përmbajtur nga të gjitha veprimet dhe deklaratat që nuk janë të favorshme për interesat e përgjithshëm dhe objektivat strategjikë të rajonit”./OxygenPress.info