Para Këshillit të Sigurimit në OKB, Amerika përkrah formimin e Ushtrisë së Kosovës

0
25

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përkrahur formimin e Ushtrisë së Kosovës. Kjo u tregua në seancën e jashtëzakonshme që u mbajt dje në Këshillin e Sigurimit, ku përfaqësuesi i SHBA-ve në OKB tha se Kosova nuk ka bërë asnjë shkelje me formimin e ushtrisë.

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës bëri thirrje për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, që do të rezultonte me njohje reciproke.

Vendimin e Kosovës për formimin e ushtrisë e ka përkrahur edhe Britania e Madhe. Ambasadorja e Britanisë së Madhe në OKB theksoi se Rezoluta 1244 nuk e përjashton krijimin e Forcave të Armatosura.

Ambasadorja Karen Pierce tha se kërcënimet që vijnë nga Beogradi janë shqetësuese, dhe se ushtria e formuar nuk paraqet kërcënim për serbët.

Në mbështetje të Kosovës ka dalur edhe Holanda, duke theksuar se shteti sovran i Kosovës ka të drejtë në transformimin e FSK-së.

E përfaqësuesi i Francës në OKB, tha se e mbështesin formimin e ushtrisë, por se kjo nuk është bërë në kohë të përshtatshme. Ai shtoi se Kosova duhet të heqë taksën 100% të vendosur ndaj produkteve serbe.

Kundër ushtrisë së Kosovës u deklarua Serbia dhe Rusia, shtete këto të cilat pas vendimit të Kosovës për ushtrinë, thirrën takimin urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së./OxygenPress.info