Valon Berisha në mes suksesit e dështimit

0
44

Ylli i Përfaqësueses së Kosovës, Valon Berisha, gjatë verës së këtij viti u transferua me shumë bujë nga Salcburgu te Lazio. Kur pritej që mesfushori ynë të shpërthente edhe më tepër, ndodhi e kundërta, me siguri edhe për shkak të lëndimeve që i pati. Sidoqoftë, ai është shumë larg nivelit që pritej të tregonte te skuadra romake. Paraqitja e fundit në Evropë, në ndeshjen ndaj Eintracht Frankfurt, është cilësuar si jashtëzakonisht e dobët nga mesfushori i cili nuk po gjen ritmin e duhur për t’u bërë protagonist siç pritej, ndaj në mediet italiane kanë filluar që tani kritikat.

“Nuk gjen një pasim të saktë, është jashtë loje dhe humb topin ato pak herë që e prek. Dëmtimet e kanë kushtëzuar, por është gjithnjë e më shumë jashtë normalitetit. Në fakt, ai është kthyer në çështje”, shkruan “Cittaceleste.it”, një prej portaleve kryesore që i kushtohet skuadrës së Lazios. Për këtë arsye, Berisha duhet të reagojë fuqishëm dhe sa më shpejt që është e mundur të tregojë potencialin e tij të vërtetë, përndryshe transferimi te Lazio mund të jetë një dështim në karrierën e tij.