Punëtorët e stadiumit “Fadil Vokrri”, tash e katër muaj pa paga

0
288

Deri tash, janë paguar me mëditje nga Federata e Futbollit të Kosovës, sa herë që përfaqësuesja ka pasur ndeshje. Njëjtë vepron edhe klubi i Prishtinës.

Komuna e Prishtinës, që është pronare e stadiumit, nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje, pasi ka thënë se ende nuk ka përfunduar çështja e pronësisë.

Komuna ka mohuar se punëtorët i ka angazhuar ajo. Por, në FFK e thonë të kundërtën.

“Stadiumi “Fadil Vokrri” dhe stafi që punon aty, që e ka pru’ komuna aty, ka ardhur në një situatë ku askush nuk e menaxhon atë dhe thuajse Federatës i ka rënë barrë. Janë mëditje që secili punëtor i Federatës i merr. Janë shuma të vogla, mund të them edhe pak qesharake, për punën që e kanë bërë ata djem”, ka thënë Arianit Ahmeti zëvendëssekretar në FFK.

Për këtë staf, i cili është trajnuar nga ekspertë ndërkombëtarë për të punuar me makineri moderne, FFK-ja kërkon që të gjendet një zgjidhje.

“Me siguri ishte dashtë me ba diçka, mirëmbajtja e stadiumit është kosto shumë e madhe. Duhet me ba një zgjidhje, ndoshta me ndonjë ligj specifik për mirëmbajtjen e objekteve të rregullohet diçka, apo komuna mund të ketë fonde të mjaftueshme për ta mbajtur këtë stadium, tek e fundit është pronare”, ka thënë Ahmeti.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit pati kërkuar që të bëhet bashkëpronare e stadiumit, por me një gjë të tillë nuk është pajtuar kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti./Koha.net/OxygenPress.info