SHBA mbështet transformimin e FSKs-së në Ushtri

0
74

Në ditën kur deputetët e Kosovës, kanë votuar transformimin e FSK-së në ushtri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ripohuar mbështetjen e tyre për tranzicionin gradual të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në forcë me mandat mbrojtës territorial, siç është e drejta sovrane e Kosovës.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës për të vazhduar bashkërenditjen e ngushtë me aleatët dhe partnerët e NATO-s dhe për tu angazhuar në punën afruese në terren me komunitetet pakica tani dhe gjatë tërë procesit të gjatë shumëvjeçar që na pret. Presim që do të vazhdojnë aranzhimet ekzistuese me KFOR-in për lëvizjet dhe operacionet e forcave në Kosovë. Të gjithë hisedarët brenda dhe jashtë Kosovës duhet ti mbështesin dhe ti nxisin qytetarët e komuniteteve pakica të Kosovës për të marrë pjesë në forcat e saj të sigurisë, për dobinë e komuniteteve të tyre dhe të vendit”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-ve pas votimit të Ushtrisë.

Tutje, thuhet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zotuara për të punuar me FSK-në për promovimin e zhvillimit profesional dhe evolucionit organizativ, i cili do ti kontribuojë paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon.

“Stabiliteti rajonal kërkon që Kosova të bëjë përpjekje të njëmendta për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin e saj, Serbinë dhe i nxisim të dy palët që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të zbutur tensionet dhe për të krijuar kushte për përparim të shpejtë në dialog. Qëllimi: për të arritur një marrëveshje të leverdishme për të dy palët që do të rrisë paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në Kosovë dhe në rajon, gjithashtu paraqet prioritetin më të lartë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në këtë deklaratë.