Ngjarjet e ndodhura më 19 nëntor

0
63

1863 – Lufta Civile Amerikane – Presidenti Abraham Linkoln mban një fjalim në ceremoninë e përkushtimit të varrezave për ushtarët e rënë në betejën në Gettysburg. Fjalimi i tij zgjati vetëm dy minuta, dhe një gazetë e kohës e quajti “fjalim që do të mbulohej nga mjegulla e kohës”. Por ndodhi e kundërta, fjalimi i Getisburgut sot u mësohet fëmijëve të shkollave për recitim, dhe cilësohet si më i rëndësishmi në historinë amerikane; ndërsa gazeta Patriot News, pasardhëse e gazetës Patriot & Union e cila botoi komentin nënçmues më 1863, vetëm pak ditë më parë, 13 nëntor 2013, në një shkrim të saj kërkoi ndjesë duke thëne se redaktorët e asaj kohe nuk e kishin kuptuar “rëndësinë e momentit, elokuencën e përjetshme dhe rëndësinë e vazhdueshme të fjalimit të presidentit Linkoln.” Beteja në Gettysburg, u zhvillua nga data 1 deri më 3 korrik të vitit 1863, fitorja e saj nga ushtria e Unionit shënoi pikëkthesën në luftën civile, që përfundoi më 1865 me fitoren e forcave të bashkimit.

1912 – Ushtria serbe merr Manastirin duke zmbrapsur trupat osmane, pjesa më e madhe e të cilëve, rreth 40 mijë, u tërhoqën drejt Korçës. Për shqiptarët, gjendja po bëhej alarmante. Në Vlorë, djali i Ismail Qemalit, Edhem, në marrëveshje me parinë, u dërgoi telegrame të gjitha qyteteve të vendit për të dërguar sa më shpejtë përfaqësuesit e tyre në Vlorë. Qyteti ndjehej i kërcënuar; trupat greke që kishin arritur në Himarë dhe po përparonin drejt Vlorës; dhe forcat shqiptare u nisën drejt grykave të Llogarasë për t’u prerë rrugën. Në veri, trupat malazeze përforcojnë rrethimin e Shkodrës me dy divizioneve të tjera; një malazez e një serb. Dy divizionet takohen afër Lezhës dhe pushtojnë qytetin pas disa orë luftimesh. Ndërkohë, Ismail Qemali nxitonte drejt brigjeve të Durrësit; Konti Bertold i Austrisë i kishte vënë në dispozicion anijen e tij. Për shqiptarët këto ditë i ngjanin tik-takut të orës, çdo sekondë ishte vendimtare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu